BE në zgjedhje vendimtare mes sfidave në rritje
2024-06-07 10:17:09

Zgjedhjet për Parlamentin Europian nisën të enjten me hapjen e qendrave të votimit në Holandë, e para nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Europian (BE) që votoi. Në shumicën e shteteve të tjera anëtare, banorët do të votojnë të dielën.

Zgjedhjet e Parlamentit Europian, nga 6 deri më 9 qershor, konsiderohen kyçe për Bashkimin Europian (BE) pasi do të formësojnë politikat e ardhshme të bllokut në mes të përshkallëzimit gjeopolitik dhe tensioneve të brendshme.

foto nga VCG

foto nga VCG

Në zgjedhjet e para të PE-së pas Brexit-it, votuesit nga 27 shtetet anëtare do të zgjedhin 720 anëtarë në Parlament, i vetmi organ i zgjedhur drejtpërdrejt i BE-së.

Si organ kyç legjislativ, Parlamenti Europian ka përgjegjësi të rëndësishme. Këto përfshijnë fuqinë për të miratuar ose refuzuar emërimin e presidentit të Komisionit Europian (KE) dhe komisionerëve, miratimin e planit të buxhetit dhe votën për marrëveshjet ndërkombëtare dhe zgjerimet e bllokut.

Parlamenti është udhëhequr nga një shumicë e fortë e partive centriste brenda "super koalicionit të madh" qeverisës, që përbëhet nga Partia Popullore Europiane (EPP), Socialistët dhe Demokratët (S&D) dhe RE (Rinovoni Europën).

Megjithatë, projeksionet e sondazheve nga burime të shumta tregojnë një rritje të ndjenjës së djathtë populiste në të gjithë Europën. Konservatorët dhe reformistët europianë dhe grupi i krahut të djathtë Identiteti dhe Demokracia parashikohet të marrin vota të konsiderueshme.

Ky zhvendosje djathtas pasqyron tendencat më të gjera të vërejtura në zgjedhjet e fundit kombëtare në të gjithë Europën. Vende si Italia, Finlanda dhe Suedia kanë parë fitore të mëdha për partitë e ekstremit të djathtë. Gati gjysma e vendeve në Parlamentin e ardhshëm Europian do të mbahen nga anëtarët jashtë "super koalicionit të madh", sipas një projeksioni nga Këshilli Europian për Marrëdhëniet me Jashtë (ECFR).

Megjithatë, koalicionet tradicionale pro-europiane pritet të mbajnë shumicën në parlament. PPE e qendrës së djathtë parashikohet të mbetet grupi më i madh, megjithëse pritet të humbasë disa vende. Grupet S&D dhe RE gjithashtu pritet të ruajnë ndikim të rëndësishëm, duke formuar potencialisht një koalicion për të kundërbalancuar të djathtën në rritje.

Megjithatë, Qendra e Politikave Europiane (EPC) vuri në dukje se çështjet që lidhen me mjedisin, institucionet e BE-së, çështjet sociale, bujqësinë dhe marrëdhëniet e jashtme mund të ndikohen nga një qasje politike e krahut të djathtë. Eurobarometri i PE-së Pranverë 2024 tregoi interes të fortë publik për këto zgjedhje, me 60 për qind të të anketuarve që shprehën interes të konsiderueshëm, nga 49 për qind në zgjedhjet e 2019-s.

foto nga VCG

foto nga VCG

Shqetësimet kryesore përfshijnë konfliktet e vazhdueshme Rusi-Ukrainë dhe Izrael-Palestinë, me 81 për qind të të anketuarve që thonë se këto çështje i bëjnë zgjedhjet më vendimtare. Përveç kësaj, varfëria, shëndetësia, punësimi dhe mbrojtja janë gjithashtu çështje me ndjeshmëri të lartë për  votuesit, sipas sondazhit. Duke komentuar rezultatet e sondazhit, presidentja në largim e PE-së, Roberta Metsola, tha se europianët janë të vetëdijshëm për situatën dhe se votimi është edhe më i rëndësishëm në kontekstin aktual gjeopolitik.

Politikanët e zakonshëm duken të mbingarkuar pasi shumica e sfidave të vitit të kaluar mbeten të pazgjidhura dhe forcat e reja të fuqishme duket se po marrin vazhdimisht terren, thanë analistët në një raport të botuar nga Qendra e Politikave Europiane.

Raporti theksoi zhgënjimin në rritje të publikut me establishmentin politik, duke rezultuar në humbjen e terrenit të partive tradicionale ndaj forcave politike radikale të djathta.

Një nga prioritetet e parlamentit të ri është votimi për presidentin e ardhshëm të Komisionit Europian. Presidentja aktuale Ursula von der Leyen po kërkon rizgjedhjen, por përballet me sfida të mundshme. Riemërimi i saj varet nga mbështetja e mjaftueshme nga udhëheqësit kryesorë të BE-së dhe një shumicë në PE. Megjithatë, ngritja e së djathtës ekstreme mund ta ndërlikojë procesin.

foto nga VCG

foto nga VCG

Kancelari gjerman Olaf Scholz paralajmëroi në maj se presidenti i ardhshëm i KE-së nuk duhet të kërkojë mbështetje nga partitë e ekstremit të djathtë.

Brenda PPE-së po ashtu ka debat për rizgjedhjen e von der Leyen. Të enjten, Francois-Xavier Bellamy i partisë “Les Republicans”, pjesë e  PPE-së, shkroi në rrjetin social “X”: "Nëse presidentja e Komisionit Europian nuk rizgjidhet, kjo do të ndodhë falë luftës që kemi udhëhequr ne, që e vendosi atë në pakicë në partinë e saj”.