Reformimi i administratës publike dhe rritja e pagave
2024-06-06 11:37:09

Bashkë me lajmin për rritjen e pagave nga muaji  qershor kryeministri Edi Rama ka shpalosur edhe planin për reformimin e administratës publike. Në qershor hyri në fuqi rritja e re e pagave, periudhë në të cilën do të arrihet objektivi  i qeverisë që paga mesatare në sektorin publik të jetë 900 Euro. Në prezantimin e Planit të Motivimit të Administratës Publike, pjesë e sfidës së Shqipërisë 2030 për anëtarësimin në BE dhe rritjes cilësore të aftësive të shtetit në shërbim të qytetarëve, kreu i qeverisë tha se “sot shërbimet janë online dhe duhet riparë mundësia e funksionimit të punës nga administrata shtetërore”.

“Sot ne nuk e kemi më këtë problem sepse masivisht shërbimet jepen online. Ne nuk kemi më sportele përveç atyre pak sporteleve që janë të pamundura të mbyllen sepse kur do marrësh pasaportën dhe duhet të vësh shenjat e gishtërinjve apo kur do të martohesh nuk është realizuar akoma një skemë martese online. Do vijë me siguri, do vijë dhe disa pak procese të tjera, por janë 95% e proceseve që sot janë online. Faktikisht sot nuk ka më adresa fizike që të shkosh të rrish në radhë, të presësh, të vish prapë dhe kjo bën që përmbajtja e punës mbas dyerve të mbyllura tanimë të sporteleve të jetë një përmbajtje që mund të administrohet me fleksibilitet”

Administrata publike (Foto Scan tv)

Administrata publike (Foto Scan tv)

E gjitha kjo kërkon hartimin e një strategjie të përshtatshme.

“Nga ana tjetër, kuptohet që kjo do kërkojë një fazë kolaudimi të mënyrës sesi do të programohet sepse gjithsesi ka kohë, fasha të caktuara kur duhen bërë takime të përbashkëta apo kur duhet të ketë një ndërveprim të brendshme, por këto janë gjëra që ne nuk kemi pse i shpikim, nuk është një gjë që po e bëjmë ne të parët, por është diçka që aplikohet gjithmonë e më shumë në vende të BE sepse mirëqenia shpirtërore, mirëqenia psikologjike e punonjësve sidomos në administratën publike është e dorës së parë.”

Rastet e korrupsionit në adminisratë, sipas kryeminisrit nuk mund të hedhin poshtë të gjithë punën që bëjnë punonjësit.

“Nuk është aspak  penguese për mua që ta shoh edhe ta vlerësoj punën tuaj si një kontribut të rëndësishëm kombëtar për shkak të rasteve të korrupsionit, për shkak të rasteve të keqbërjes, të cilat unë besoj se fakti që po ekspozohen dhe fakti që po trajtohen më në fund deri në nivelet më të larta, është shumë inkurajues dhe është një arsye tjetër krenarie, nuk është një arsye për të ulur kokën dhe për të menduar të justifikohemi sepse ky nuk ka qenë një mister, as një rrufe në qiell të pastër, nuk është kjo që ndodh. Ka qenë një fakt botërisht shqetësues, botërisht i njohur që në proceset administrative, në proceset e ndërveprimeve mes shtetit dhe qytetarit, ka një dimension shqetësues të abuzimit dhe korrupsionit, por ndryshimi është e kundërta e asaj që thuhet, është e kundërta. Fakti që sot, publiku ballafaqohet me më shumë raste që i sheh, nuk tregon që korrupsioni është rritur, tregon që korrupsioni po luftohet seriozisht”

Kryeministri Edi Rama (Foto Kryeministria.al)

Kryeministri Edi Rama (Foto Kryeministria.al)

Rritja e pagave do të jetë e konsiderueshme sipas kryeministrit.

“Në qershor hyn në fuqi rritja e re e pagave dhe kështu të gjithë do të kenë një rritje në pagën e tyre dhe do ta arrijmë objektivin që kemi shpallur që paga mesatare në sektorin publik shqiptar të jetë 900 euro dhe patjetër që paga mesatare në sektorin publik shqiptar do të jetë 900 euro, nuk diskutohet! Qershori është muaji i fundit me këtë pagë që keni dhe me kryerjen e të gjitha procedurave me departamentin, paga e radhës do jetë paga e rritur dhe është në fakt një rritje shumë e konsiderueshme po të marrim parasysh totalin, domethënë, nga vjet në sivjet janë rreth 400 milion në total që janë vendosur për burimet njerëzore, për kapitalin njerëzor.”

Kryeministri Rama në fjalën e tij  theksoi dhe mbështetjen për pensionistët.

“ Patjetër që duhet më shumë, as nuk diskutohet, por edhe më shumë do të jenë sepse nuk është një rritje që ne shikojmë si fundin e procesit dhe pastaj shihemi 10 vjeçarin tjetër, po është një rritje domethënëse për një periudhë të caktuar kohe. Ndërkohë që na duhet dhe besoj se këtu jeni dakord që të shikojmë pak më shumë se si të bëjmë edhe pjesën më të vështirë, më sfiduese që është duke filluar nga pensionet më të ulëta, të rrisim mbështetjen për pensionistët sepse kemi një numër të konsiderueshëm pensionistësh që marrin një pension nën 150 euro. E kam thënë gjithmonë edhe të gjithë na e thonë, edhe të gjithë ekspertët ndërkombëtarë, edhe FMN-ja, edhe BB-ja, të gjithë na e thonë te pensionet bëni kujdes sepse është realisht një peshë shumë e rëndë”

Ndërkohë ekspertja e ekonomisë Romina Radonshiqi thotë në një intervistë për Tv Scan se rritja e pagave ka efekt pozitiv.

Rritja e pagave të administratës (Foto Revista Monitor)

Rritja e pagave të administratës (Foto Revista Monitor)

“ Ka qenë një pauze e madhe pa u indeksuar pagat dhe ndoshta vjen kjo iniciativë për shkak të rritjes së kostos së jetesës në Tiranë dhe në çdo qytet tjetër të Shqipërisë. Ne renditemi si një nga vendet me pagat më të ulta dhe është normale që sot duhet të kishim një reagim sepse nëse nuk kemi paga të larta do të thotë që kemi nivel varfërie të lartë,  një standard jetese të ulët. Ne duam të futemi në BE dhe me pagat që jemi ne nuk mund të futemi në BE”- tha  Radonshiqi.

Kryeministri Rama ka theksuar gjithashtu se brenda 5 vitesh do të zgjidhet problemi për punonjësit e administratës , që punojnë në zyra me qira.