Biden njofton masat e reja kufizuese për emigrantët që kalojnë kufirin ilegalisht
2024-06-05 17:36:52

Kufiri-Shba-Meksike (Foto Panorama).jpg

Kufiri-Shba-Meksike (Foto Panorama)

Mediat amerikane kanë raportuar se presidenti Joe Biden do të shpallë masa të ashpra kufizuese për të reduktuar numrin e emigrantëve që kalojnë ilegalisht kufirin me Meksikën.

Presidenti amerikan pritet të nënshkruajë një urdhër ekzekutiv që do të autorizonte disa zyrtarë qeveritarë të dëbojnë emigrantët që kalojnë kufirin ilegalisht pa shqyrtuar më parë kërkesat e tyre për azil, shkruan “Panorama”.

Biden pritet të zbulojë masat gjatë një ceremonie në Shtëpinë e Bardhë me të pranishëm kryebashkiakët e qyteteve kufitare.

Duke qenë se të ardhurit aktualisht janë mbi 2500 në ditë, kjo do të thotë se kufijtë mbyllen me nënshkrimin e urdhrit ekzekutiv presidencial.

Emigracioni është bërë një çështje kyçe në fushatën zgjedhore të Joe Biden.

Në 12 muajt deri në tetor 2023, 2.4 milionë njerëz u arrestuan përgjatë kufirit me Meksikën.

Në dhjetor, rreth 10.000 njerëz, të detyruar nga dhuna apo varfëria për të ikur nga vendet e Amerikës Latine, kalonin ilegalisht kufirin çdo ditë. (Elona)