Nevoja e sigurimit në bujqësi dhe rreziku nga fatkeqësitë natyrore
2024-06-05 10:06:09

Puna në fermat bujqësore (Foto Agroweb)

Puna në fermat bujqësore (Foto Agroweb)

Permbytjet, thatësira, sëmundjet, janë vetëm disa nga kërcënimet që ka sektori i bujqësisë në raste të paparashikuara. Çdo pasojë në finale rëndon si kosto tek fermerët. Në një intervistë për mediat Kreu i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar Agim Rrapaj, thekson se sigurimi në fushën e bujqësisë është i domosdoshëm.

“Është një nga temat që është bërë prezentë më shumë se sa ka qenë më përpara. Është një element që duhet vlerësuar mjaftueshëm sepse nuk është vlerësuar ashtu siç duhet, pasi këtu nuk bëhet fjalë vetëm për thatësirën, por për reshjet dhe përmbytjet. Për këto ndryshime klimatike që ndikojnë në sektorin e bujqësisë dhe në të gjithë sektorin ushqimor duhet një vëmendje e veçantë, veçanërisht në këtë situatë ku ndryshimet klimatike po pësojnë ndryshime të herëpashershme dhe po bëjnë dëme të paimagjinueshme në bujqësi dhe në gjithë sektorët e ushqimit dhe ekonomisë.”, tha Rrapaj

Ai theksoi dhe faturat e larta të dëmeve, të vlerësuara tashmë edhe nga institucione të huaja.

“Ka vlerësime të bëra nga Banka Botërore dhe na rezulton që në 1 vit Shqipëria pëson dëme 147 milionë euro nga përkeqësimi i kushteve natyrore. Dëmi që shkaktohet nga kushtet klimatike është i barabartë me buxhetin e Ministrisë së Bujqësisë për 1 vit dhe  ajo kërkon t’i përballojë këto dëme.”

Kreu i KASH Agim Rrapaj (Foto Ora news)

Kreu i KASH Agim Rrapaj (Foto Ora news)

Duke folur në Televizionin Scan, Kreu i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar Agim Rrapak vuri në dukje hapat që duhen ndërmarrë.

“E para dhe mbi të gjitha duhet ndërgjegjësuar dhe informuar gjithë sistemi për rrezikun që shkaktojnë këto ndryshime klimatike. Tashmë, ne duhet të bëjmë prezent të gjitha shkaqet dhe pasojat, që vijnë nga ndryshime klimatike, në radhë të parë për sektorin e bujqësisë dhe mbi të tëra është çështja e infrastrukturës së ujit dhe kullimit. Është kjo infrastrukturë, e cila ndikon pozitivisht apo negativisht në çështjen e thatësirës dhe përmbytjes. Nëse ne nuk na funksionon rrjeti kullues kuptohet që përmbytja do shkaktojë dëme shumë më të mëdha.”

Rrapaj thotë se rreziku do të jetë prezent nëse nuk kemi një infrastrukturë siç duhet sinjalizuese për zjarret dhe për sëmundjet. Masat paraprake janë shumë të domosdoshme sipas ekspertëve.

“Ne duhet të kemi sistemin e sinjalizimit dhe informimit në kohën e duhur dhe duhet ta ngremë këtë sistem ashtu siç ka qenë dikur kur nuk kishim këto mjete dhe sisteme digjitale që kemi sot, por ka qenë i vlerësuar shumë herë më tepër se sa është sot, sepse kemi shumë instrumente në funksion të sinjalizimit dhe informimit të fermerëve për të parandaluar dhe për të marrë masa paraprake për të minimizuar dëmet. Pra edhe sistemi i sinjalizimit dhe informimit është një çështje që duhet diskutuar dhe vënë në qendër të vëmendjes të të gjithë aktorëve, në mënyrë që të minimizojmë përkeqësimin e kushteve klimatike. Në  këtë fazë që jemi duhet të përqendrohemi fort tek masat paraprake që duhet të marrim në drejtim të investimeve që duhet të bëjmë për argjinaturat, për investimet tek digat e liqeneve, digat e rezervuarëve.”

Mbledhja e mollëve(Foto Gazeta Dita)

Mbledhja e mollëve(Foto Gazeta Dita)

Qeveria ka deklaruar se ka në fokus të saj zgjidhjen e problemeve të tilla.

“Pa diskutim që duhet pasur vëmendje e madhe pasi këto shkaktojnë dëme të jashtëzakonshme, ku infrastruktura e kullimit është shumë e rëndësishme. Këtu janë të dy sektorët, sektori publik edhe privat në kombinim me njëri- tjetrin, në mënyrë të tillë që të kemi një infrastrukturë kullimi sa më të mirë, duke filluar nga rezervuarët që nga hidrovoret, që janë në kompetencë të sektorit publik, e deri tek kanalet e treta që janë si detyrim i sektorit privat për ta realizuar. Kështu që infrastruktura e ujit dhe kullimit është thelbësore. Sinjalizimi dhe informimi është elementi tjetër shumë i rëndësishëm, njëkohësisht edhe mjetet që duhen për sektorin e zjarrfikëses është një element shumë i rëndësishëm. Në vitin 2022 Shqipëria pësoi një nga dëmet më të mëdha nga zjarret nga 62 bashki, në 42 prej tyre u shfaqen zjarre dhe u detyruam që t’i kërkonim ndihmë Evropës për të përballuar pasojat nga zjarret. Ky është një tjetër element që ne duhet t’i kushtojmë vëmendje reparteve zjarrfikëse, por edhe i gjithë sektorëve që janë të angazhuar në mbrojtjen e pyjeve, që duhet kushtuar vëmendje e veçantë.”

Sëmundjet gjithashtu shkaktojnë dëme të mëdha në bujqësi, qoftë në mungesën e produkteve shqiptare  në tregje, por edhe në humbjet tek fermerët.

“Sëmundjet janë një tjetër element që duhet t’i kushtojmë vëmendje në mënyrë që t’i parandalojmë ato. Përveç sëmundjeve njëkohësisht dëmtuesit e tjerë siç është karkaleci, një tjetër dëmtues që ndikon negativisht në bujqësi, por njëkohësisht edhe mbrojtja që duhet t’i bëjmë bimëve bujqësore, veçanërisht frutave dhe perimeve, duke ndërtuar sera dhe duke vendosur rrjedha. Kjo më shumë në vreshtari në mënyrë të tillë që të parandalojmë sa të jetë  mundur dëmet që na shkaktohen dhe të minimizojmë dëmet që vërehen nga këto.”

Taakim për sigurimet në bujqësi (Foto Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural)

Taakim për sigurimet në bujqësi (Foto Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural)

Bujqësia, duke qenë një sektor me risk të lartë, rrjedhimisht edhe primi i sigurimit është i lartë. Në këto kushte, gjykojnë ekspertët e vetmja mënyrë për të futur fermerët në skemat e sigurimit është subvencionimi i primeve nga shteti.