Maratona (Foto ATSH)
Në Parkun e Liqenit Artificial u zhvillua mëngjesin e së martës një maratonë prej 5 kilometrash, kushtuar kauzës së ndërgjegjësimit ndaj çrregullimeve të spektrit autik, shkruan “ATSH”.
Kjo maratonë u organizua dhe ideua nga organizata jofitimprurese “Progetto Filippide”, si një garë jokonkurruese ku të gjithë pjesëmarrësit u mblodhën në solidaritet në këtë event sportiv.
Veprimtaria “Run4Autism”, erdhi në kuadër të Javës së Kulturës Italiane, promovuar nga Ambasada e Italisë në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës.
I pranishëm ishte edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
Në këtë ditë kushtuar sportit, miqësisë e solidaritetit, atletë, të rinj, nxënës shkollash e veçanërisht familjarë të personave autikë, vrapuan së bashku për një të ardhme më të mirë. Kjo maratonë për rreth 5 km u krye me qëllim sensibilizimin ndaj çështjes së autizmit, duke vënë theksin edhe te rëndësia që ka sporti si një mjet për gjithëpërfshirjen sociale. (Elona)