Përkeqësohet situata në Indi, mbi 25.000 të sëmurë dhe dhjetëra të vdekur për shkak të temperaturave të larta
2024-06-05 15:30:18

Indi (Foto Panorama)

Situata në Indi duket se sa vjen dhe po përkeqësohet. Vala e rëndë e të nxehtit që përfshiu Indinë këtë verë dyshohet se ka vrarë më shumë se 100 njerëz dhe ka sëmurur dhjetëra mijëra të tjerë, pasi disa pjesë të vendit u goditën gjithashtu kohët e fundit nga ciklone dhe shira të dendur.

Temperaturat e larta, të cilat filluan në muajin mars, arritën në 50 gradë Celsius në kryeqytetin Delhi në maj për shkak të një sërë faktorësh, një prirje që shkencëtarët thonë se sa vjen dhe përkeqësohet nga ndryshimet klimatike, shkruan “Panorama”.

“Afro 25.000 njerëz duket se kanë pësuar goditje të rëndë nga i nxehti nga marsi deri në maj”- raportoi uebfaqja e lajmeve “ThePrint”, duke cituar shifrat e qeverisë, me incidentet që arritën kulmin në maj.

Vdekje u raportuan gjithashtu në pjesët veriore dhe perëndimore të Indisë, ku një valë e të nxehtit ishte veçanërisht e rëndë muajin e kaluar.

Ndërkohë një pjesë e Indisë lindore po vuan nga cikloni “Remal”, me shira të rrëmbyeshëm që kanë shkaktuar 14 viktima. (Elona)