Foto nga Chinese Foreign Ministry
Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi u kërkoi më shumë vendeve të përkrahin zgjidhjen politike të krizës së Ukrainës, gjatë një konference të përbashkët shtypi me homologun e vet turk Hakan Fidan të martën në Pekin.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje rreth qëndrimit të palës kineze mbi zgjidhjen e krizës së Ukrainës, Wang, gjithashtu anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, theksoi se Kina është gjithmonë e angazhuar për nxitjen e bisedimeve të paqes.
Sipas tij, sovraniteti dhe integriteti territorial i të gjitha vendeve duhet të respektohen dhe duhet të mbështeten të gjitha përpjekjet për zgjidhjen paqësore të krizës.
Kreu i diplomacisë kineze u shpreh më tej se Kina e vlerëson punën që ka bërë Zvicra për përgatitjen e konferencës së paqes dhe ka bërë sugjerime konstruktive në shumë raste, të cilat janë mirëpritur nga pala zvicerane.
Wang bëri të ditur që Kina dhe Brazili kanë shpallur kohët e fundit një konsensus të përbashkët prej gjashtë pikash për zgjidhjen politike të krizës së Ukrainës, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të përfshira të respektojnë tre parime për çpërshkallëzimin e gjendjes, përkatësisht moszgjerimin e fushëbetejës, mospërshkallëzimin e luftës dhe mosprovokimin prej ndonjë pale.
Sipas konsensusit, duhet të kundërshtohen përdorimi i armëve bërthamore dhe sulmet ndaj centraleve bërthamore e objekteve të tjera bërthamore për përdorim paqësor.
Kina mirëpret më shumë vende ta mbështetin dhe t'i bashkohen konsensusit, tha kryediplomati kinez.