Tuneli i Llogarasë drejt përfundimit
2024-06-04 11:44:04

Ministrja Balluku gjatë inspektimit të punimeve (Foto Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë)

Tuneli i Llogarasë përfaqëson një nga veprat më të rëndësishme infrastrukturore të vendit. Në tunel janë realizuar deri tani rreth 88 përqind e punimeve. Ka përfunduar betonimi i tunelit kryesor dhe po bëhen përgatitjet e fundit për të nisur hedhjen e shtresave asfaltike, ndërsa po punohet edhe për plotësimin e sistemit elektromekanik dhe atij të ndriçimit.

Janë fazat e fundit të veprës. Po punohet paralelisht edhe për ndërtimin e qendrës së monitorimit të tunelit, e cila do të garantojë sigurinë e plotë të menaxhimit të tij.

Studimi i leverdisshmërisë, prokurimi dhe së fundi, ndërtimi i Tunelit të Llogarasë, ka qenë një proces i gjatë, por i mirëstudiuar, me dy gara ndërkombëtare. Fillimisht ka qenë gara ndërkombëtare e studimit dhe e projektimit të detajuar.

Më pas, ka ardhur faza e ndërtimit të këtij tuneli, i cili ka zgjatur tre vjet, me sfida jo të vogla, përsa i përket gjeologjisë së mjedisit shkëmbor ku është punuar.

Ky tunel, me gjatësi 5.9 kilometra, përfaqëson tunelin më të gjatë rrugor në vend. Ai lidh Vlorën, kryeqendrën e Jugut të Shqipërisë, me Rivierën Shqiptare, e cila përfaqëson një perlë të natyrës, me bukuri të pashoqe dhe plazhe të shumtë e të virgjër përgjatë bregdetit. Kjo Rivierë vjet ka pritur mbi 5 milionë vizitorë vendas dhe të huaj. Për këtë vit, operatoret turistikë mendojnë se Riviera Shqiptare, edhe për lehtësimin e aksesit përmes Tunelit të Llogarasë, do të presë të paktën 30 përqind më shumë vizitorë. 

Tuneli shmang kalimin në Qafën e Llogarasë (1027 metra mbi nivelin e detit), duke eliminuar kështu rreth 600 metra lartësi, si dhe kalimet e ngushta, me shumë kthesa dhe tejet të pjerrëta të rrugës aktuale.

Kjo rrugë përbën sot një stres të vërtetë për qytetarët, pasi sprovon dhe konsumon më tej rreth 65 përqind të automjeteve të amortizuara të qytetarëve shqiptarë, si dhe i vonon ata ndjeshëm për të shkuar në Rivierë.

Rruga e re përmes tunelit është 11 km më e shkurtër se e sotmja. Nga korriku 2024, koha e kalimit për në Rivierën Shqiptare, përmes Tunelit të Llogarasë, shkurtohet me të paktën 25-30 minuta.

Aksesi më i shpejtë në Rivierë do t’i japë një impuls të ri turizmit, sidomos atij në periudhën pik të verës, duke e shtuar, në tërësi, me qindra milionë euro vlerën e dhjetra mijëra ndërtimeve, apartamenteve, dyqaneve dhe hoteleve, nga Palasa nga ku del tuneli, e deri në Ksamil, në jug të Sarandës.

Tuneli i Llogarasë, me një gjatësi 5.9 km, do të shkurtojë edhe kohën e udhëtimit nga Vlora për në Palasë, që do të përshkruhet në vetëm për 20 minuta. Investimi për këtë vepër infrastrukturore arrin në 140 milionë euro.

Sikurse theksoi gjatë një inspektimi në kantjer zvKryeministrja dhe Ministrja e Infrastruktures dhe Energjise Belinda Balluku, “Duhet shpjeguar që ky është një tunel i një gjatësie të madhe (long range), përsa i përket kritereve të Bashkimit Evropian, pasi është një tunel rreth 6 kilometra, 5.9 kilometra.

Punimet në Tunelin e Llogarasë (Foto A2CNN)

Gjatë punimeve për Tunelin e Llogarasë (Foto Dritare.net)

Është e nevojshme, përveç kritereve të ndërtimit, që ne kemi ndjekur, të gjitha parametrave, daljeve çdo 500 metra, që të lidhin me tunelin ndihmës.

Ky tunel është punuar në një mënyrë të tillë, që, nëse do të ketë flukse të shtuara, gjatë viteve në vazhdim, për të aksesuar Jugun, apo për t’u kthyer në Vlorë, do të na duhet që edhe ai tunel ndihmës të kthehet në një tunel të shfrytëzueshëm...

Unë shikoj që puna ka ecur shumë mirë dhe me të vërtet nuk ka më shqetësime. Do të shpjegojmë faktin që Tuneli i Llogarasë do të hapet për akses të automjeteve, sigurisht, me disa kushte sigurie, pasi do të na duhet që ne të vazhdojmë punën në tetor.

Kur të mbaroj fluksi, do të mbyllet sërish, ashtu siç kemi bërë dhe me aksin Orikum-Dukat, apo siç kemi bërë edhe me bypass-in e Vlorës.

Pra, ne i disponojmë për kalim gjatë verës, por i mbyllim në tetor, për t’ju dhënë mundësi kontraktorëve që të përfundojnë të gjitha detajet, sidomos edhe ato të parametrave brenda tunelit të emergjencës.

Deri në tetor do të funksionojnë normalisht. Do të kemi disa kufizime, përsa i përket shpejtësisë apo gjithçka tjetër. Policia do të jetë në monitorim të vazhdueshëm, në hyrje dhe dalje të tunelit.

Këtë vit nuk do të aplikohet pagesa e tunelit, pasi duhet të përfundojë i gjithë kantieri dhe parashikohet që të vazhdojë në vitet në vazhdim.

Aplikimi i tarifës do të jetë pas vitit 2025, kur të dorëzohet ky si tunel i plotë, bashkë me tunelin e emergjencës. Këtë vit do të jetë i aksesueshëm, nën monitorimin e policisë rrugore, por me parametrat e plotë të sigurisë.

Unë besoj që deri në fund, deri në ditët e para të korrikut, ne do ia dalim që të përfundojmë gjithshka. Të sistemohen edhe sheshi hyrës, edhe sheshi dalës i Tunelit.

Kështu që, në korrik, gusht dhe shtator, në të gjithë këta muaj që janë muaj intensivë, përsa i përket turizmit veror, qytetarët do ta kenë të disponueshëm këtë vepër infrastrukturore që i çon shumë më shpejt dhe më komodë në Rivierën e Jugut të Shqipërisë.

Një vepër që nuk do të rresht kurrë së theksuari, përbën krenarinë tonë, të të gjithë punës që qeveria ka bërë që nga viti 2013 e deri më sot”. 

Në këtë sezon turistik veror nuk do të aplikohet asnjë tarifë për automjetet, të cilat do të kalojnë përmes tunelit.

Kantieri i Tunelit të Llogarasë, për shkak të gjatësisë së tunelit, i konkurron të gjithë kantieret e tuneleve në Ballkan. Është bërë një punë kolosale, me gërmime masive dhe vepra arti të mëdha të ndërtimit të rrugëve. Në kantierin e Llogarasë po punohet me tre turne,  ku krahas tunelit, po punohet edhe për përfundimin e rrugëve lidhëse të kësaj vepre.

Tuneli parashikohet të përfundojë në ditët e para të korrikut. Qeveria ka angazhimin maksimal që kjo vepër e rëndësishme infrastrukturore të jetë gati në nisje të sezonit turistik veror të këtij viti.

Fatos Çoçoli