foto nga VCG
Ministri i Tregtisë i Kinës Wang Wentao tha se hetimi i Europës kundër subvencioneve për automjetet elektrike kineze mbi bazën e pretendimit të "kapacitetit të tepërt industrial" është proteksionizëm tipik tregtar. Sipas tij, Kina shpreson se të dy palët do t'i trajtojnë shqetësimet e njëra-tjetrës nëpërmjet dialogut dhe komunikimit.
Duke vënë në dukje se i ashtuquajturi "kapacitet i tepërt industrial" ishte i pabazë, ministri Wang tha se i tepërt nuk ishte kapaciteti i prodhimit industrial, por ankthi, duke shtuar që akuza ndaj Kinës për shtrembërim të tregut ishte rezultat i një "mendësie të shtrembëruar".
Sipas Ministrisë së Tregtisë kineze, Wang i bëri komentet të hënën, gjatë mbledhjes së 29-të të Komitetit të Përbashkët Ekonomik dhe Industrial Kinë-Spanjë të mbajtur në Madrid, të cilin ai e bashkëkryesoi me ministrin spanjoll për Ekonominë, Tregtinë dhe Biznesin Carlos Cuerpo.
foto nga VCG
Gjatë takimit, të dy palët shkëmbyen pikëpamje të thelluara mbi çështje që përfshijnë ndër të tjera promovimin e zhvillimit me cilësi të lartë në marrëdhëniet ekonomike-tregtare dypalëshe, hetimin antisubvencion të BE-së për automjetet elektrike kineze, lehtësimin e shkëmbimeve dypalëshe të personelit, prokurimet qeveritare e hyrjen në treg të produkteve bujqësore e ushqimore.
Wang tha se Kina do të punojë me Spanjën për të vazhduar ngritjen e nivelit të tregtisë ndërmjet dy vendeve, promovimin e investimeve të dyanshme, forcimin e bashkëpunimit ndërmjet ndërmarrjeve të vogla e të mesme dhe bashkëpunimin në tregjet e palëve të treta, si edhe zgjerimin e fushave të bashkëpunimit për të realizuar përfitime të ndërsjella.
Ai shprehu shpresën që Spanja do të luajë një rol pozitiv për ta bindur BE-në të mbetet racionale dhe e hapur në fushën e industrisë së gjelbër dhe të energjisë së re.
foto nga VCG
Ministri Cuerpo vuri në dukje nga ana e tij se Spanja u kushton rëndësi të madhe marrëdhënieve ekonomike e tregtare me Kinën dhe është e gatshme të vazhdojë të thellojë partneritetin strategjik ndërmjet dy vendeve, të ruajë dialogun dhe bashkëpunimin me Kinën, të promovojë zhvillimin e ekuilibruar të bashkëpunimit ekonomik e tregtar dhe të promovojë eksplorimin e më shumë mundësive të bashkëpunimit nga sipërmarrjet e të dy vendeve në fusha të tilla si automjetet, energjia e përtëritshme, pjesët e makinerive industriale dhe pajisjet mjekësore. (Fang Xiaoyu/Artan)