Fjala kyçe: 阿拉伯---[ā lā bó ]---arab
foto CFP
Me rastin e 20 vjetorit të krijimit të Forumit të Bashkëpunimit Kinë-Vendet Arabe (CASCF), të enjten u mbajt në Pekin Konferenca e 10-të Ministrore. Gjatë dy dekadave të fundit, mekanizmi i forumit ka evoluar në mënyrë progresive, duke nxitur zgjerimin e vazhdueshëm të sferës së bashkëpunimit Kinë-Vendet Arabe me arritje të dukshme. CASCF ka shërbyer si një platformë qendrore për dialogun kolektiv dhe bashkëpunimin pragmatik midis Kinës dhe vendeve arabe.
Kina dhe vendet arabe kanë trajektore të ngjashme historike dhe mbajnë përgjegjësinë e rëndësishme të rilindjes kombëtare. Takimi i fundit ministror në Pekin, i shënuar nga nënshkrimi i tre deklaratave të përbashkëta – Deklarata e Pekinit, Plani i Ekzekutimit të CASCF për 2024-2026 dhe Deklarata e Përbashkët Kinë-Vendet Arabe mbi çështjen palestineze – nënvizoi vullnetin e përbashkët për miqësinë e tyre të përjetshme, thellimin e bashkëpunimit dhe forcimin e besimit politik për të ardhmen.
foto nga CFP
CASCF është bërë një platformë kryesore për bashkëpunimin dypalësh, duke luajtur një rol thelbësor gjatë 20 viteve të fundit në zgjerimin e besimit të ndërsjellë politik, nxitjen e bashkëpunimit ekonomik e tregtar, nxitjen e shkëmbimeve kulturore dhe përparimin shkencor dhe teknologjik.
Tashmë Kina ka krijuar partneritet strategjik gjithëpërfshirës apo partneritet strategjik me 14 vende arabe dhe Ligën Arabe. Falë mundësive të mëdha përplotësuese ekonomike, Kina dhe vendet arabe përputhen natyrshëm si partnerë ekonomikë dhe tregtarë në kornizë të nismës "Një brez, një rrugë". Përparimi i kësaj nisme në Lindjen e Mesme, nënkupton përparime edhe në marrëdhëniet midis Kinës dhe këtyre vendeve.
Kina dhe vendet arabe janë të rëndësishme për njëra-tjetrën, pasi këto të fundit përbëjnë furnizuesit kryesorë të naftës bruto jashtë Kinës. Për shumë vite, Kina ka qenë partneri më i madh tregtar për vendet arabe. Tregtia midis dy palëve ka dëshmuar rritje të jashtëzakonshme, duke u përshkallëzuar nga 36.7 miliardë dollarë në vitin 2004, në 431.4 miliardë dollarë në vitin 2022. Bashkëpunimi është zgjeruar përtej sferave konvencionale ekonomike dhe tregtare, duke përfshirë fusha të teknologjisë së lartë si shëndetësia, komunikimi satelitor dhe fusha të tjera të reja.
foto nga CFP
Që nga raundi i ri i konfliktit midis Izraelit dhe Palestinës, më 7 tetor të vitit të kaluar, Kina është angazhuar me palët e ndryshme, duke nxitur aktivisht paqen dhe negociatat. Nga ana tjetër, disa fuqi jashtë rajonit kanë acaruar tensionet, nëpërmjet ndërhyrjeve të papërgjegjshme. Propozimi i fundit i Izraelit për paqen me tre faza, i paraqitur nga ShBA që synon zgjidhjen e konfliktit të zgjatur, mund të ofrojë perspektiva për stabilitet. Megjithatë, mangësitë e propozimit në trajtimin e ndihmës humanitare rajonale dhe të përgjegjësive paqeruajtëse, tregojnë se propozimi ka mundësi të mbetet thjesht në letër, në përparimin e procesit të paqes në rajon.
Gjatë dy dekadave të fundit, Kina dhe vendet arabe kanë përforcuar vazhdimisht besimin reciprok politik, duke kontribuar pozitivisht në paqen dhe stabilitetin rajonal e global. Këto përpjekje bashkëpunuese ofrojnë njohuri të çmueshme për bashkëpunimin Jug-Jug dhe Veri-Jug. Trajektorja e zhvillimit të Kinës mishëron parimet e paqes dhe përparimit, duke nënvizuar angazhimin e saj për të shërbyer vazhdimisht, si një mik dhe partner i vendosur i vendeve arabe. (Wang Lei/ Elona)