Kryeministri izraelit pranon ftesën për t’iu drejtuar Kongresit amerikan
2024-06-04 12:02:26

Kryeministri izraelit (Foto Kohajone)

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka pranuar ftesën nga liderët e të dyja palëve në Kongresin amerikan për t’iu drejtuar Dhomës së Përfaqësuesve, njoftoi zyra e tij, përcjell “ATSH”.

“Udhëheqësi izraelit është i emocionuar për privilegjin për të paraqitur të vërtetën e luftës së drejtë të Izraelit në Gaza përpara përfaqësuesve të popullit amerikan dhe të gjithë botës”,- thuhet në deklaratë, ku theksohet se lufta drejtohet kundër atyre që duan të vrasin izraelitët.

Deklarata vjen pasi kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Mike Johnson, publikoi ftesën drejtuar Netanyahut, e cila u nënshkrua gjithashtu nga lideri i pakicës republikane në Senat, Mitch McConnell, si dhe nga demokratët kryesorë në të dy dhomat, Hakeem Jeffries dhe Chuck Schumer.

Letra nuk specifikon një datë për fjalimin.

Ftesa vjen në kuadër të mosmarrëveshjeve të mëdha në shoqërinë amerikane për luftën në Gaza dhe ardhja e Netanyahut mund të çojë në trazira të mëtejshme politike përpara zgjedhjeve presidenciale të planifikuara në nëntor.

“Netanyahu do të jetë kreu i parë i shtetit në botë që do t’i drejtohet të dy dhomave të Kongresit amerikan për herë të katërt”,- bëri të ditur zyra e kryeministrit izraelit. (Fatosi)