foto nga VCG
Kina i kërkoi palës amerikane të hënën të ndalojë ndërhyrjen në punët e Hong-Kongut dhe paralajmëroi se do të marrë kundërmasa nëse ShBA-ja zbaton kufizime vizash ndaj zyrtarëve nga qeveria qendrore kineze dhe qeveria e Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës Mao Ning i tha këto pas njoftimit nga pala amerikane të kufizimeve të reja lidhur me vizat ndaj zyrtarëve kinezë javën e kaluar, si përgjigje ndaj një vendimi të gjykatës së Hong-Kongut për një çështje që përfshin komplot për përmbysje pushteti.
Zëdhënësja Mao tha se ShBA-ja ka abuzuar me kufizimet e vizave, ka sulmuar qëllimisht parimin "Një vend, dy sisteme", ka përbaltur ligjin e sigurisë kombëtare të Kinës dhe është përzier në çështjet gjyqësore të Hong-Kongut.
foto nga MJK
"Lëvizje të tilla ndërhyjnë në mënyrë të hapur në punët e brendshme të Kinës dhe shkelin ligjin ndërkombëtar e normat bazë që rregullojnë marrëdhëniet ndërkombëtare. Kina shpreh pakënaqësi të madhe dhe e kundërshton një gjë të tillë," tha ajo.
Mao Ning shtoi se të ashtuquajturat "zgjedhje paraprake" të organizuara nga ata që janë përfshirë në këtë rast, të cilët janë kundër Kinës dhe kërkojnë të destabilizojnë Hong-Kongun, përbëjnë një sfidë serioze për rendin kushtetues në Hong-Kong dhe rrezikojnë sigurinë kombëtare të Kinës.
foto nga VCG
"Ndër të pandehurit e përfshirë në këtë çështje, 31 e kanë pranuar tashmë fajin," vuri në dukje zëdhënësja, duke shtuar se është e arsyeshme dhe e ligjshme që organet ligjzbatuese dhe autoritetet gjyqësore në Hong-Kong të kryejnë detyrat e tyre në përputhje me ligjin dhe të ndëshkojnë të gjitha veprimet që minojnë sigurinë kombëtare, çka mbështetet fuqishëm nga qeveria qendrore.
Ajo theksoi se çështjet e Hong-Kongut janë thjesht punë të brendshme të Kinës që nuk pranojnë ndërhyrje të jashtme.
Pala kineze i kërkon palës amerikane të respektojë sovranitetin e Kinës dhe sundimin e ligjit në Hong-Kong, si dhe t'i bindet ligjit ndërkombëtar e normave bazë që rregullojnë marrëdhëniet ndërkombëtare, shtoi zëdhënësja. (Fang Xiaoyu/Artan)