Ajscha Lehmann (Foto personale)
Kengetarja Ajscha Lehmann (Foto personale)
Ajscha Lehmann është një artiste e re me origjinë shqiptare, që ka lindur dhe jeton në Zvicër. Bijë e këngëtares së njohur Afërdita Hoxha, Ajscha pasionin për muzikën e ka trashëguar pikërisht nga nëna dhe daja e saj. Ajo flet mjaft mirë gjuhën shqipe dhe ruan traditën dhe kulturën shqiptare në Zvicër, duke e promovuar atë në evente të ndryshme artisike dhe kulturore. Ajscha ka realizuar dy këngë deri tani, dhe po punon për një tjetër material muzikor me një kompozitor të njohur shqiptar. Ajo synon që në të ardhmen të jetë pjesë e tregut muzikor ndërkombëtar. Në intervistë për Radio Ejani Ajcha Lehmann tregon për pasionin për muzikën, dashurinë për Shqipërinë dhe promovimin që i bën traditës shqiptare në Zvivër.
CMG: Si lindi dëshira për t’u marrë me muzikë?
Ajscha Lehmann: Dëshira për muzikën ka qenë gjithmonë me mua, sepse kënga dhe muzika më kanë inspiruar dhe shoqëruar kudo, qëkur unë e kam ndjerë atë.
CMG: Këtë pasion për këngën e ke trashëguar nga familja?
Ajscha Lehmann: Patjetër që po, sepse pasioni për muzikën dhe këngën është diçka që e kam trashëguar nga familja. Gjyshi im ka kënduar bukur, siç më ka treguar mami. Gjithashtu nuk është për t’u habitur, që dhe nëna apo daja im kanë pasur pasion muzikën dhe më kanë frymëzuar që t’i ndjek këto gjurmë. Prandaj dhe unë e kam trashëguar këtë pasion të bukur nga ata, dhe jam mësuar ta vlerësoj dhe të shpreh dashurinë time për ta.
CMG: Cila është rryma muzikore që t’i ndjek?
Ajscha Lehmann: Rryma muzikore që unë ndjek është shumë ndryshe dhe varion, sepse nuk kam një preferencë të caktuar për një rrymë muzikore. Kam një shije të gjerë muzikore dhe më pëlqen të eksperimentoj me zhanre të ndryshëm, të dëgjoj nga muzika pop, rrok, hip-hop e deri te muzika klasike. Për mua ka shumë rëndësi që muzika të ketë një impakt emocional dhe të më bëjë të ndjehem mirë, pavarësisht nga stili apo rryma muzikore.
CMG: Ke lindur në Zvicër dhe flet mjaft mirë gjuhën shqipe. Si e ke mësuar shqipen?
Ajscha Lehmann: Gjuhën shqipe e kam mësuar në shtëpi, dhe pse nuk e flas në nivelin perfekt. Unë e kam pasur një detyrim të veçantë për ta përdorur atë dhe për ta ruajtur gjuhën time të trashëguar. Prindërit e mi janë një kombinim i dy kulturave dhe gjuhëve, sepse babai fliste gjermanisht, ndërsa nëna ime fliste shqip, dhe për ne si fëmijë ishte normal të rriteshim me të dyja gjuhët. Unë vazhdoj të punoj për ta përmirësuar dhe e kam si detyrim për ta mësuar më shumë si gjuhë dhe kulturën time.
CMG: Shqipëria është atdheu i nënës tënde. Kur vjen në Shqipëri çfarë ndjesie përjeton?
Ajscha Lehmann: Kur vij në Shqipëri përjetoj një ndjesi të thellë të lidhur me identitetin dhe prejardhjen time. Atdheu i nënës sime është një vend shumë i veçantë dhe me histori të pasur. Kështu që për mua vizita në Shqipëri është një përvojë emocionuese dhe frymëzuese. Gjatë vizitës në Shqipëri unë përjetoj një miksim të ndjenjave dhe kam emocion për të qenë në vendin e prejardhjes time. Kureshtja për të zbuluar më shumë kulturën dhe historinë e vendit tim, dhe një ndjenjë e privilegjuar që kam mundësinë të eksploroj dhe të ndjej atmosferën e Shqipërisë.
CMG: Gjithashtu ke ardhur edhe për evente artistike në Shqipëri. Si ka qenë kjo përvojë për ty?
Ajscha Lehmann: Kam marrë pjesë në eventin e organizuar nga Bashkia e Librazhdit, për nder të dhënies së titullit “Qytetar Nderi” për dajën tim, këngëtarin Hysni Hoxha. Ishte një përvojë e veçantë dhe motivuese për mua. Interpretimi dhe performimi i dy këngëve në këtë event më bëri të ndjehem pjesë e një momenti të rëndësishëm kulturor dhe artistik. Përvoja ime në këtë event më ka shtyrë të shpresoj dhe të pres me entuziazëm që të marr pjesë në më shumë evente dhe festa artistike në të ardhmen dhe të ndaj talentin tim me publikun shqiptar.
Ajscha ne Zvicer (Foto personale)
CMG: Si e ruan dhe promovon traditën shqiptare në Zvicër?
Ajscha Lehmann: Unë përpiqem ta ruaj dhe promovoj traditën shqiptare në Zvicër nëpërmjet disa mënyrave. Pjesëmarrja në aktivitete kulturore dhe evente në komunitetin shqiptar në Zvicër është një mënyrë për të përjetuar dhe për të ndarë traditat tona me të tjerët. Gjithashtu përdorimi i gjuhës shqipe në shtëpi dhe në komunikim me familjen dhe miqtë e mi është një mënyrë tjetër për të ruajtur trashëgimin tonë gjuhësor dhe kulturor. Nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme, si gatimi i ushqimeve tradicionale shqiptare, veshja tradicionale në festa të ndryshme, lexoj dhe mësoj për kulturën dhe historinë tonë. Përpiqem të krijoj një lidhje të fortë me trashëgiminë time, dhe ti jap një vlerë të veçantë traditave shqiptare.
CMG: Kush të ka mbështetur më shumë në rrugën e muzikës?
Ajscha Lehmann: Në rrugën time të muzikës kam pasur padyshim mbështetjen e familjes sime, veçanërisht të prindërve, vëllait dhe dajës tim. Ata kanë qenë gjithmonë të gatshëm të më inkurajojnë, ndihmojnë dhe të më japin këshilla në çdo hap të rrugës sime artistike, duke më shtyrë të vazhdoj përpara dhe në momentet më të vështira. Edhe kur nuk kam patur besim te vetvetja kam besuar. Gjithashtu dhe miqtë e shokët, mësuesit e muzikës kanë luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin tim si artiste.
CMG: Sa këngë ke realizuar deri tani dhe cilës rrymë muzikore i përkasin?
Ajscha Lehmann: Kam realizuar dy këngë deri tani, të cilat përfaqësojnë një shkallë të gjerë të rrymave muzikore. Aktualisht jam duke punuar me dy projekte në Tiranë. Jam duke realizuar një këngë të tretë që do të jetë surprizë për publikun. Kjo përvojë më jep shumë shpresë, dhe më bën të besoj se kjo këngë do të dalë e veçantë dhe mjaft premtuese. Bashkëpunimi me një kompozitor të njohur më jep mundësinë për të eksploruar më shumë, dhe për të zhvilluar një stil unik për muzikën time.
CMG: Cilat janë ambicjet tuaja në vazhdim përsa i përket muzikës?
Ajscha Lehmann: Kam dëshirë që në të ardhmen të ndërmarr projekte të mëdha dhe të frymëzueshme, që të arrij nivelin më të lartë profesional dhe artistik. Duhet të vazhdoj të krijoj muzikë që prek zemrat e dëgjuesve, dhe të shpreh talentin tim me mënyrat e reja dhe inovative. Ambicja ime është që të realizoj më shumë këngë, të performoj në skena të mëdha që të promovohet muzika ime në nivelin ndërkombëtar. Gjithashtu dëshiroj të punoj me artistë dhe producentë të tjerë, për të krijuar bashkëpunime të suksesshme, dhe për të zhvilluar karrierën time si një artiste e pavarur.
CMG: Dëshiron ta promovosh veten dhe në muzikën popullore shqiptare?
Ajscha Lehmann: Unë dëshiroj të jem gjithmonë e hapur. Muzika popullore shqiptare ka një histori shumë të pasur dhe një pasion të thellë në audiencë. Dëshiroj të jem pjesë e kësaj tradite dhe të sjell këngë të reja e të freskëta, për të ruajtur dhe promovuar trashëgiminë tonë muzikore në një mënyrë moderne dhe inovative.
CMG: Ke menduar ndonjë bashkëpunim me mamanë tënde, këngëtaren Afërdita Hoxha apo dhe me dajën tënd?
Ajscha Lehmann: Jam gjithmonë e hapur për bashkëpunim me nënën ose dajën tim, dhe kjo do ishte një përvojë e re. Besoj se do ishte frymëzuese, vetëm se kemi pak stile të ndryshme sepse mami ka një stil muzike pak më ndryshe se unë. Mendoj se bashkëpunimi ynë do të sillte një kombinim unik të zhanreve dhe stileve tanë, duke krijuar një muzikë që do të ndikonte në audiencë.
CMG: Çfarë të pëlqen më shumë nga Shqipëria?
Ajscha Lehmann: Mua nga Shqipëria më pëlqen veçanërisht kultura e pasur, bukuritë natyrore të mrekullueshme, bujqësia dhe kuzhina e shijshme. Unë vdes për gjizën dhe byrekun. Gjithashtu më pëlqen tradita e bujarisë dhe mikpritja e ngrohtë e shqiptarëve, të cilët bëjnë që secili vizitor të ndjehet i mirëpritur dhe i kujdesur. Jam shumë e lumtur që edhe unë e mbaj këtë traditë dhe kulturë.
Intervistoi: Gazmend Agaj