Shkencëtarët e huaj falënderojnë Kinën për misionin hënor "Chang'e-6"
2024-06-03 17:04:14

Një ilustrim tregon uljen e  sondës Chang'e-6 të Kinës në pellgun e Polit të Jugut-Aitken (SPA) në anën e pasme të Hënës, 2 qershor 2024. /CNSA

Pasi sonda kozmike "Chang'e-6" e Kinës u ul në anën e pasme të Hënës të dielën në mëngjes për të mbledhur mostra, shkencëtarët e huaj që morën pjesë në mision shprehën emocionet dhe falënderimet e tyre ndaj Kinës. 

"Chang'e-6" mbajti katër ngarkesa të zhvilluara nëpërmjet bashkëpunimit ndërkombëtar, duke ofruar më shumë mundësi për shkencëtarët nga mbarë bota dhe për ndërthurjen e njohurive njerëzore në eksplorimin e hapësirës. 

Ngarkesat përfshijnë DORN (Gjurmimi i Çlirimit të Radonit ) nga Agjencia Hapësinore Franceze, NILS (Jonet Negative në Sipërfaqen Hënore) nga Agjencia Hapësinore Evropiane dhe një retroreflektor nga Italia. Këto tre instrumente do të kryejnë detyra shkencore eksploruese në anën e pasme të Hënës. 

Sonda mbajti gjithashtu një satelit kubik nga Pakistani të njohur si ICUBE-Q, i cili u nda nga orbituesi i "Chang'e-6" më 8 maj për të kryer veprimtari eksplorimi, të tilla si marrja e pamjeve të Hënës. 

Kryehulumtuesi i DORN-it nga Franca , Pierre-Yves Meslin /  CMG

Kryehulumtuesi i DORN-it nga Franca , Pierre-Yves Meslin, i cili dëshmoi zbritjen e "Chang'e-6", tha: "Ndarja e ideve me vendet e ndryshme është gjithmonë një gjë e mirë, që na lejon të përparojmë e të pasurojmë njohuritë tona. Si europianë, ne nuk kemi ende aftësinë për të vendosur instrumentet tona në sipërfaqen e Hënës, kështu që mbështetemi te partnerët ndërkombëtarë. Kina është tani një nga partneret më të besueshme që mund të zbresin në mënyrë të sigurt në Hënë, siç e kemi edhe një provë sot," u shpreh Meslini. 

Neil Melville-Kenney, zyrtar teknik i NILS-it të Agjencisë Hapësinore Evropiane, tha se nisma e Administratës Kombëtare Hapësinore të Kinës për të ftuar partnerët ndërkombëtarë të marrin pjesë në misionin "Chang'e-6" vlerësohet shumë nga bashkësia ndërkombëtare. 

"Është shumë e rëndësishme të kemi bashkëpunim ndërkombëtar për eksplorimin e hapësirës. Unë mendoj se eksplorimi i hapësirës na nxit t'i konsiderojmë planetin dhe popujt tanë si një të tërë. Dhe është e rëndësishme që të punojmë së bashku ndërsa fillojmë ta eksplorojmë sistemin diellor gjithnjë e më shumë. Së bashku ne mund të arrijmë gjëra më të mëdha," shtoi ai. (Artan)