Banka e Shqipërisë analizon impaktin e forcimit të lekut në ekonomi
2024-06-03 09:29:42

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka theksuar se mbiçmimi i shpejtë i lekut në kursin e këmbimit ndihmoi në zbutjen e presioneve të huaja inflacioniste, ndërsa konsolidimi fiskal ndihmoi në frenimin e presioneve të brendshme. Në veçanti, ai u ndal në një analizë të faktorëve që sollën forcimin e lekut dhe implikimet e këtij forcimi për stabilitetin monetar dhe financiar të vendit. Gjatë raportimit në në Komisionin për Ekonominë dhe Financat në lidhje me veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë vitin 2023 Sejko tha se në këto rrethana, forcimi i lekut pati një ndikim tërësor pozitiv në ekonomi.

Guvernatori Sejko  ne komision (Foto Banka e Shqiperise)

Guvernatori Sejko  ne komision (Foto Banka e Shqiperise)

“Në mënyrë të përmbledhur, ato kanë konkluduar se trendi forcues i kursit të këmbimit të lekut ka ardhur si pasojë e përmirësimit strukturor të bilancit të shkëmbimeve tregtare dhe financiare të Shqipërisë me botën, të pasqyruara në rritjen e eksporteve, e kryesisht atyre të turizmit, të remitancave dhe të investimeve të huaja direkte.”-tha Sejko.

Gjithashtu sipas Guvernatorit edhe sistemi më i ri i shlyerjes së pagesave në euro brenda vendit përjetoi një rritje të mëtejshme të përdorimit.

“Banka e Shqipërisë siguroi funksionimin normal të sistemeve të pagesave, nëpërmjet operimit dhe administrimit të 3 infrastrukturave kryesore për procesimin e pagesave ndërbankare dhe 1 infrastrukture për shlyerjen e titujve. Të gjitha sistemet kanë ofruar disponueshmëri maksimale. Sistemi më i ri i shlyerjes të pagesave në euro brenda vendit përjetoi një rritje të mëtejshme të përdorimit gjatë vitit 2023. Për rrjedhojë, vetëm gjatë vitit 2023, konsumatorët dhe bizneset shqiptare vlerësohet të kenë kursyer rreth 37 milionë euro prej përdorimit të këtij sistemi.”- tha guvernatori  Sejko.

Zhvillimi i infrastrukturës së shërbimeve të pagesave ka mbështetur zgjerimin e përdorimit të instrumenteve të pagesave elektronike dhe përfshirjen financiare të popullsisë.

“Të dhënat tona tregojnë një rritje prej 25.5% të pagesave me karta, të pagesave me para elektronike dhe të pagesave home banking. Përdorimi i pagesave elektronike arriti në nivelin 21 pagesa për frymë në vit, nga 10 pagesa që ishte objektivi i vitit 2023 në Strategjinë Kombëtare të Pagesave me Vlerë të Vogël. Banka e Shqipërisë ka punuar në mënyrë intensive për të siguruar që sistemet e pagesave të jenë të sigurta, eficiente dhe të disponueshme. Gjatë vitit 2023, nisëm punën për anëtarësimin e Shqipërisë në Tregun Unik të Pagesave në Euro (SEPA), si pjesë integrale e Planit të Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor, të hartuar nga Komisioni Evropian. Ky anëtarësim është një mundësi për të integruar platformat tona të pagesave dhe të tregtisë elektronike me tregun evropian dhe mundëson zbatimin e parimit të tarifave të barabarta si për pagesat kombëtare, ashtu edhe për ato ndërkufitare, në mënyrë elektronike në euro.”- tha kreu i BSH-së.

 Sipas Sejkos, vlerësimet paraprake mbi kriteret e pajtueshmërisë me legjislacionin e BE-së, të kryera me asistencën e Bankës Botërore, kanë treguar se Shqipëria është më e avancuara në rajonin e Ballkanit Perëndimor për përafrimin e legjislacionit për të qenë anëtare e SEPA-s.

“Procesi i aplikimit po udhëhiqet nga Banka e Shqipërisë, por ai reflekton kontributin e disa autoriteteve publike. Po ashtu, kemi ndërmarrë hapa të rëndësishëm për implementimin e infrastrukturave të reja të pagesave, siç është ajo për pagesat e shpejta (instant payment). Kjo infrastrukturë mundëson shlyerjen elektronike të pagesave me vlerë të vogël, në mënyrë të sigurt, në çdo moment të ditës dhe në një kohë pothuajse të menjëhershme. Banka e Shqipërisë po mbështetet aktivisht nga Banka e Italisë për zhvillimin dhe implementimin e një sistemi të tillë, sipas modelit të sistemit të pagesave të shpejta TIPS në Eurozonë. Eventualisht, kjo zgjidhje lehtëson integrimin e sistemeve tona të pagesave me ato të BE-së në të ardhmen.”

Monedha shqiptare(Foto Shqiptarja.com)

Monedha shqiptare(Foto Shqiptarja.com)

Gjithashtu, Banka e Shqipërisë ka përmbushur detyrimet institucionale që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit.

“Paralelisht me nxitjen dhe sigurimin e mbarëvajtjes së pagesave elektronike, ne kemi akomoduar edhe kërkesën e ekonomisë për para fizike. Pas përfundimit të emetimit të serisë së re të kartëmonedhave në vitin 2022, gjatë vitit 2023 ne kemi plotësuar të gjitha kërkesat e ekonomisë shqiptare për para fizike, si në vlerë edhe në strukturë.Gjithashtu, Banka e Shqipërisë ka përmbushur detyrimet institucionale që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, Raportet e Progresit të Komisionit Evropian, nënkomitetet e përbashkëta BE-Shqipëri, si dhe Plani Kombëtar për Integrimin Evropian. Me hapjen e negociatave, Banka e Shqipërisë ka kontribuar aktivisht në takimet bilaterale screening për çdo kapitull të Acquis-it midis delegacioneve shqiptare dhe përfaqësuesve të Komisionit Evropian. Gjithashtu, kemi vazhduar të drejtojmë hartimin e kapitujve 4 dhe 17, përkatësisht për “Lëvizjen e lirë të kapitalit” dhe “Politikën ekonomike dhe monetare”. – thotë Sejko.

Banka Qendrore thotë se  ka administruar me përgjegjësi rezervën valutore, duke respektuar objektivat kryesorë të likuiditetit dhe sigurisë.

“ Niveli i rezervave tona valutore është në përputhje me kriteret tona të mjaftueshmërisë dhe praktikat më të mira ndërkombëtare. Po ashtu, kthimi nga administrimi i rezervës ka rezultuar pozitiv, si pasojë e rritjes së normave të interesit në tregun ndërkombëtar gjatë vitit 2023.Në të njëjtën kohë, marrëdhëniet tona me publikun dhe me grupet e interesit janë orientuar nga parimet e transparencës dhe të llogaridhënies, duke mbajtur gjithnjë kanale të hapura komunikimi. Kjo përqasje ndihmon në rritjen e efektivitetit të politikave të ndjekura nga Banka e Shqipërisë. Megjithatë, ajo ka si parakusht një shkallë të kënaqshme të edukimit financiar të publikut. Për ta përmirësuar dhe më tej këtë të fundit, ne hartuam këtë vit Strategjinë e Bankës së Shqipërisë për Edukimin dhe Përfshirjen Financiare, dokumenti i parë institucional që promovon edukimin financiar. Disa nga objektivat kryesorë të kësaj strategjie janë miradministrimi i financave personale dhe huamarrja e shëndetshme, planifikimi dhe kursimi për të ardhmen, si dhe mbrojtja e konsumatorit. Banka e Shqipërisë ka filluar tashmë punën për zbatimin e kësaj strategjie.”

Në fokus të aktivitetit të Bankës së Shqipërisë për vitin që kaloi ishte edhe shtimi i masave mbrojtëse për sulmet kibernetike.

“Së fundi, përmirësime të dukshme janë bërë në drejtim të përmirësimit të qeverisjes së institucionit, nëpërmjet përditësimit të sistemeve për administrimin e rrezikut dhe sistemeve e infrastrukturës së teknologjisë së informacionit. Duke marrë shkas nga sulmet e shpeshta kibernetike, të cilat kanë targetuar institucionet publike e private shqiptare, ne i kushtuam një vëmendje të veçantë forcimit të sistemeve të sigurisë kibernetike për vijueshmërinë e veprimtarisë së përditshme të Bankës së Shqipërisë dhe për funksionimin e sistemit bankar dhe financiar në vend. Në këtë kontekst, shtuam masat mbrojtëse dhe ato të monitorimit, teknike dhe proceduriale, të bazuara në standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, në bashkëpunim me institucione ndërkombëtare e kombëtare dhe në funksion të qëndrueshmërisë ndaj sulmeve të mundshme kibernetike.”

Guvernatori Gent Sejko  (Foto Banka e Shqiperise)

Guvernatori Gent Sejko  (Foto Banka e Shqiperise)

Sipas Bankës së Shqipërisë, viti 2023 shënoi përmirësimin e pozicionit fiskal të vendit, të pasqyruar në reduktimin e deficitit buxhetor dhe të borxhit publik, të cilët zbritën në nivelet minimale të më shumë se një dekade, respektivisht në 1.4% dhe 59.2% të PBB-së. Reduktimi i borxhit publik rrit hapësirat fiskale për reagim ndaj goditjeve potenciale në të ardhmen, si dhe ul primet e rrezikut dhe kostot e financimit të të gjithë operatorëve të ekonomisë. Gjithashtu, Sejko nënvizoi qëndrueshmërinë e sektorit bankar, të pasqyruar në përmirësimin e treguesve të kapitalizimit, të përfitueshmërisë, si dhe të cilësisë së portofolit të kredive, me treguesin e kredive me probleme në nivelin 4.8%.  Këto trende pozitive i mundësojnë sektorit bankar të furnizojë ekonominë – me eficiencë dhe në vazhdimësi –  me fonde financiare dhe instrumente pagesash e kursimesh. Në analizën e Bankës së Shqipërisë, normalizimi i qëndrimit të politikës monetare, që vijoi më i ngadaltë edhe gjatë vitit 2023, mundësoi reduktimin e inflacionit, pa dëmtuar trendin pozitiv të rritjes ekonomike. Sejko thekson se ambienti i huaj vijon të karakterizohet nga pasiguri të shumta, tensione gjeopolitike dhe fragmentarizim ekonomik e tregtar në rritje. Gjithashtu, efektet e plakjes së popullsisë dhe kufizimet e fuqisë punëtore po bëhen faktorë gjithnjë e më të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik, në vend dhe në botë, ndërkohë që inovacioni teknologjik dhe ndryshimet klimatike janë kthyer në sfida të ditës.