Geni Ademi, pas këngës “Engjëll” po realizon albumin e tij të parë si kantautor
2024-06-02 09:44:26

Geni Ademi  dhe grupi Epoka 94 (Foto personale)

Geni Ademi  dhe grupi Epoka 94 (Foto personale)

Kantautori Shkëlzen Ademi me emrin e artit Geni ka lindur në Prishtinë në korrik të vitit 1978. Muzikën e ka pasur gjithmonë pasion dhe në vitin 1994 formoi bashkë me disa shokë grupin muzikor  “Metallnativa”,  duke ndërruar emirn më pas në “Epoka ‘94”, që e mban edhe sot. Pas largimit nga grupi në vitin 2021 Geni ka vijuar karrierën individuale, duke realizuar këngën e re “Engjëll”, me të cilën është prezantuar  në publik si kantautor. Momentalisht është duke punuar për albumin e tij të parë individual, për të cilin flet në intervistë për Radio Ejani.  

 

Geni Ademi kitarist ne grupin Epoka (Foto nga youtube )

Geni Ademi kitarist ne grupin Epoka (Foto nga youtube )

CMG: Sapo ke sjellë këngën tënde e re "Engjëll". Na trego për fabulën e saj si autor i këngës.

Geni Ademi: Kjo është kënga ime  e parë. Është një këngë e lehtë dhe shumë  e mirë. Teksti flet për një djalë që dashuron një vajzë. Ata që të rinj kanë patur simpati mes njëri-tjetrit, ndërsa tani që ajo ka shkuar larg,  djaloshit i ka mbetur në mendje vetëm ajo dhe disa kujtime me të. E imagjinon atë vajzë shpesh dhe e sheh si një engjëll.

CMG:  Geni, këtë herë vjen si solist me këngën "Engjëll",por si e mendon karrierën muzikore sot?

Geni Ademi: Është e vërtetë që unë këtë herë vij si solist,  nuk mendoj se do arrij diçka të madhe, por e kam synimin që të sjell këngë të mira për dëgjuesit, kjo është e gjitha.

CMG: Në rrjetet sociale ke publikuar se pret të sjellësh një këngë tjetër. Na trego më tepër për çfarë flet kënga, zhanri muzikor dhe si titullohet?

Geni Ademi: Kënga do të jetë një rrok-baladë dhe mban titullin “E gjitha mori fund”. Kjo këngë flet për çdo njeri të mirë, që ndonjëherë në jetë është mashtruar, keqpërdorur dhe ai mezi pret t’i harrojë ato kohë të mërzitshme  dhe dëshiron që ta ndryshoj fatin e tij. Besoj se do ju pëlqejë.

CMG: Ke nisur të aktivizohesh që në vitin 1994 me grupin muzikor “Epoka '94, si ka qenë kjo eksperiencë e gjatë muzikore për ty?

Geni Ademi: Kam qenë bashkëthemelues i grupit “Epoka ‘94”, ka qenë një periudhë shumë e  vështirë në ato fillime, por ja kemi dalë.

CMG:  Si është marëdhënia jote sot me grupin Epoka '94?

Geni Ademi:  Marrëdhënia ime me pjesëtarët e grupit është e mirë, edhe pse rrallë shihemi.

CMG: Në grup  ke luajtur bas -kitaristin,  ndërsa tani vjen si kantautor. Ku ndjehesh më mirë?

Geni Ademi: Pyetje me vend. Në fillim kam qenë bas-kitarist, më vonë kitarist dhe tani kantautor. Në çfarëdo rrethane  si e kërkon vendi, unë ndjehem rehat, pa komplekse. Muzika më jep kënaqësi.

CMG: Me grupin keni interpretuar kryesisht këngë të muzikës rrok, a vazhdon të jetë rroku bashkëshoqërues i jetës tënde?

Geni Ademi: Realisht unë kam dëgjuar këngë rrep, xhaz, tekno ,bluz, etj, por si metal dhe hard-rrok , aty e gjej veten më mirë dhe nuk e ndërroj me asnjë lloj zhanri tjetër.  

Geni Ademi  me grupin Epoka 94 (Foto personale)

Geni Ademi  me grupin Epoka 94 (Foto personale)

CMG: Geni, ke filluar të aktivizohesh me grupin muzikor që në moshën 16 vjeçare, por si lindi pasioni për muzikën tek ti?

Geni Ademi: Kur isha fëmijë shihja televizionin RTP, ku shpesh dëgjoja këngët e grupit të rrokut “Gjurmët”, më vonë pas viteve ’90 fillova të ndiqja MTV-në, dhe aty ishte kthesa ime më e madhe që të merresha me muzikë, duke dëgjuar Guns N’Roses, Bon Jovi, White Snake, Metallica, etj.  Aty filloi gjithçka.

CMG: Je autor dhe i disa këngëve të grupit “Epoka '94”, por tashmë si solist po punon për një album të ri muzikor. Sa këngë do përmbajë albumi?

Geni Ademi: Në grupin “Epoka ’94” kam qenë autor i katër këngëve, si dhe kam dhënë kontributin tim shumë të madh. Tani jam duke punuar për të realizuar albumin tim individual, i cili do të ketë 10 këngë.

CMG: Ti  interpreton në kitarë, kompozon këngë,  por edhe këndon. Ku është ndjesia më e mirë?

Geni Ademi: Kam një dhunti për të krijuar këngë dhe më së shumti e gjej veten aty. Edhe pse i bie kitarës në çdo moment, kur krijoj një melodi të mirë e më pas tekstin, më merr pak kohë, por është një ndjesi shumë e mirë.

CMG: Cilat janë planet e tua artistike që pret t’i realizosh në të ardhmen?

Geni Ademi: Nuk dua të shkoj shumë larg, por ajo çfarë dua më parë është që të përfundoj albumin, ky është fokusi im për momentin.

CMG: Çfarë do të shtoje pë dëgjuesit e Radio Ejani?

Geni Ademi:  I përshëndes dëgjuesit e Radio Ejani kudo ku janë nëpër botë, se kanë çfarë të dëgjojnë nga kjo radio. Jeni shumë të mirë.

CMG: Faleminderit për intervistën dhe suksese!

Geni Ademi: Falemidnerit edhe juve, ndjehem shumë i nderuar që më krijuat hapësirë. Çdo këngë që do e publikoj, më parë do e sjell në programin tuaj. Respekte gjithmonë!

Intervistoi: Sava Lena