Mirjeta Çelaj, mësuesja tropojane me pasion këngën popullore
2024-06-01 09:34:37

Mirjeta Celaj me veshje popullore (Foto personale)

Mirjeta Celaj me veshje popullore (Foto personale)

Mirjeta Çelaj është këngëtare e muzikës popullore tradicionale, kryesisht e trevës së veriut. Ajo ka përfunduar studimet e larta për mësuesi në qytetin e Shkodrës. Këtë vit ka marrë titullin “Mësues mjeshtër në shkenca” dhe aktualisht vazhdon të japë mësim në qytetin e Tropojës. Mirjeta ka një zë të veçantë dhe pasionin për këngën popullore e ka patur qëkur ishte e vogël. Ajo ka realizuar mjaft këngë popullore si soliste dhe në duet me këngëtarë të tjerë, këngë të cilat janë mirëpritur nga publiku. Mirjeta përveçse një mësuese shembullore dhe e përkushtuar në këtë profesion, është dhe një artiste që e ka ruajtur muzikën popullore në interpretimet e saj. Në një intervistë për Radio Ejani ajo tregon për rrugëtimin e saj muzikor dhe projektet në vazhdim.

Kengetarja Mirjeta Celaj (Foto personale)

Kengetarja Mirjeta Celaj (Foto personale)

CMG: Kur kanë qenë fillimet tuaja me muzikën popullore?

Mirjeta Çela: Unë fillimet e mia me muzikën popullore i kam pasur në vitin 2000-2002 në qytetin e Shkodrës. Në Shkodër kam qenë studente, ku kam mbaruar Fakultetin e Shkencave të Natyrës në degën biologji-kimi, dhe të punoj si mësuese në arsimin e mesëm të lartë në Tropojë. Në qytetin e Shkodrës kam patur bashkëpunimet e para me Fan Kodrën, me të cilin e vazhdoj këtë bashkëpunim edhe sot.

CMG: Këngën popullore e ke trashëguar nga familja?

Mirjeta Çelaj. Unë jam e vetmja që këndoj në familjen time. Kam patur babain i cili i binte lahutës dhe këndonte njëkohësisht. Besoj se këtë pasion e kam marrë nga ai, por ai këndonte vetëm për qejf pas darke në shtëpi dhe nuk këndonte me një grup apo diku tjetër.  

Kengetarja nga Tropoja Mirjeta Celaj (Foto personale) (1)

Kengetarja nga Tropoja Mirjeta Celaj (Foto personale) 

CMG: Cilat kanë qenë produksionet tuaja muzikore të publikuara së fundi në kanalin YouTube?

Mirjeta Çelaj: Unë kam kanalin tim të YouTub-it tani, dhe së fundi kam publikuar një këngë të vjetër popullore, e sjellë para shumë vitesh nga rapsodë të vjetër. Kjo këngë i përket popullit dhe titullohet “Hyna në magje me gatue”. Besoj se kjo këngë është mirëpritur mirë nga artdashësit.

CMG: Kush janë bashkëpunëtorët tuaj në realizimin e këngëve?

Mirjeta Çelaj: Unë në fakt kam pasur një shkëputje nga kënga, dhe pastaj jam rikthyer përsëri. Ka qenë prapë i madhi Fran Kodra, i cili bën tekstet dhe muzikën njëkohësisht. Njëra nga këngët e repertorit tim, që është një himn “O moj nënë” është e realizuar nga ai. Ai më ka dhënë ndihmën e parë dhe vazhdon të më ndihmojë vazhdimisht. Ndërsa vetë situata sot në tregun muzikor është më shumë financiare sesa të kesh talent, dhe unë e kam patur përsëri të vështirë të futem në treg, sepse kjo punë kërkon shumë kohë dhe ka shumë kosto. Prandaj e kam pak të vështirë të mbuloj të gjitha këto shpenzime.

Mirjeta Celaj (Foto personale)

Mirjeta Celaj (Foto personale)

CMG: A është më mirë të jesh në treg me muzikë të vërtetë shqiptare apo me këngë komerciale?

Mirjeta Çelaj: Mendimi im është që duke studiuar tregun muzikor është më mirë të jesh një këngëtare profesioniste dhe të kesh zë. Unë kam marrë shumë mendime pozitive për zërin tim nga shumë artistë, por mundësitë financiare janë të pakta. Prandaj dhe publikimi i këngëve të mia ka qenë i pakët.

CMG: Ke patur bashkëpunime me këngëtarë të tjerë të muzikës popullore?

Mirjeta Çelaj: Kam bashkëpunime me këngëtarë tropojanë, por dhe me këngëtarë nga Hasi siç është Fatmir Dibra. Gjithashtu kam patur kërkesa për bashkëpunime të tjera me këngëtarë kosovarë, por do shohim në vazhdim.

Mirjeta Celaj gjate nje aktiviteti (Foto personale)

Mirjeta Celaj gjate nje aktiviteti (Foto personale)

CMG: Cili është emocioni që përjeton kur vesh kostumin popullor të Tropojës?

Mirjeta Çelaj: Kostumi popullor i Tropojës është një nga kostumet më të bukura. Padiskutim që të gjitha kostumet popullore të trevave të tjera të Shqipërisë kanë larminë dhe bukurinë e tyre. Kostumi popullor i Tropojës femrën e nxjerr shumë të bukur dhe të gjallë. Prandaj dhe mua kur e vesh atë kostum më fal gjithmonë të njëjtin emocion. Dikur ai kostum përdorej për të veshur nuset dhe tani është kthyer tradita dhe i veshin për qejf nëpër dasma kur vajza shkon nuse. Kostumi i Tropojës është një kostum shumë i bukur dhe unë ndjehem shumë mirë me të.

CMG: Kostumin popullor e ke tëndin?

Mirjeta Çelaj: Kostumin e kam timin dhe e kam dhuratë nga nëna ime.

Mirjeta Celaj gjate realizimit te nje videoklipi (Foto personale)

Mirjeta Celaj gjate realizimit te nje videoklipi (Foto personale)

CMG: Ke një karrierë të gjatë në fushën e mësimdhënies. Si i ke bërë bashkë këto profesione, këngën dhe mesuesinë?

Mirjeta Çelaj: Në fakt unë sivjet kam marrë titullin mësues mjeshtër për shkenca. Në të vërtetë janë bërë të dyja së bashku, sepse nuk e kam menduar asnjëherë që do të bëhem këngëtare. Rastësisht më kanë zbuluar për zërin, sepse unë kam nisur të mbaroj një fakultet dhe të kem një punë. Kënga ka ardhur pasi kam vazhduar shkollën. Besoj se është një kombinim shumë i mirë i të dyjave dhe më japin emocion, por më shumë emocion më japin nxënësit. Sidomos maturantët kur dalin mirë në provime apo kur marrin një degë të mirë dhe dalin në punë dhe vazhdojnë të më falenderojnë. Kjo gjë për mua është një kënaqësi dhe dashuri shumë e madhe, qoftë nga duartrokitjet dhe komentet, por dhe nga puna ime me nxënësit. Nxënësit më japin një dashuri shumë të madhe.

CMG: Si është marrëdhënia juaj me nxënësit në shkollë?

Mirjeta Çelaj: Unë punoj me klasat e të rriturve, klasa e 10-të dhe 11-të. Kuptohet që kanë ato problemet e veta, që janë probleme sociale, por mendoj se duke kaluar vitet kam një marrëdhënie shumë të ngushtë me ta. Nuk më shohin vetëm si mësuese, por edhe si psikologe dhe prind. Ndjehem shumë mirë me ta.

CMG: Ke jetuar disa vite në Shkodër gjatë studimeve, a këndon dhe këngë popullore shkodrane?

Mirjeta Çelaj: Unë më shumë këndoj këngët popullore tradiconale dhe jo ato qytetare, por i këndoj dhe qytetaret. Kam marrë pjesë te treva e Dukagjinit. Në fillimet e mia të para në muzikë unë kam përfaqësuar Shkodrën në Gjirokastër kur kam qenë studente, me këngën “Ma ke gishtin për unazë”.

Mirjeta Celaj me veshje popullore tropojane (Foto personale)

Mirjeta Celaj me veshje popullore tropojane (Foto personale)

CMG: Cilat kanë qenë aktivitetet muzikore ku ke marrë pjesë?

Mirjeta Çelaj: Kam marrë pjesë në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës, si përfaqësuese e qytetit të Shkodrës, por dhe përfaqësimi tani i zonës së Tropojës. Gjithashtu kam marrë pjesë dhe në disa aktivitete të fundvitit në trevën e Dukagjinit, sepse jam pjesë e ansamblit të Dukagjinit. Kam qenë e pranishme në aktivitete lokale si dhe në disa aktivitete në qytete të ndryshme të Kosovës. Jam pak e përfshirë edhe në dasma e mbremje të ndryshme muzikore.

CMG: Si je ndjerë në skenën e Festivalit Folklorik të Gjirokastrës mes shumë artistëve të tjerë nga të gjitha trevat?

Mirjeta Çelaj: Jam ndjerë shumë mirë, por kam patur dhe emocione. Unë kisha një këngë shumë të mirë, të realizuar nga mjeshtri i madh tropojan Skënder Dozhlani, një duet me një këngëtarë të njohur Malen Qelia. Për mua ishte kënaqësi të merrja pjesë në Festivalin Folklorik dhe ishte një pjesëmarrje dinjitoze jo vetëm e imja, por e grupit të Tropojës. Besoj se kemi lënë mbresa të mira me përfaqësimin tonë. Gjithmonë pjesëmarrja aty ka shumë emocione, sidomos kur del në skenë. Festivali i Gjirokastrës ta jep pjesën e traditës që mbart çdo rreth, prandaj është shumë mirë që të zhvillohet.

CMG: Si ke mundur ta ruash pastër këngën popullore në interpretim?

Mirjeta Çelaj: Unë nuk kam bërë shkollë të mirëfilltë për muzikë, por muzikantët profesionistë habiten me zërin tim sepse kam një zë të pastër, pavarësisht se nuk e kam kultivuar shumë. Kam pas shkëputje dhe tani aktivitetet janë të pakta. Besoj se ka lidhje vendi ku jam rritur, por dhe geni familjar sepse babai ka patur zë, por për nënën nuk e di. Ndoshta është e lindur ngaqë vij nga Tropoja sepse unë nuk kujdesem asnjëherë për zërin, por e kam thjesht natyral.

CMG: Cilat janë projektet tuaja muzikore në vazhdim?

Mirjeta Çelaj: Kam disa projekte dhe besoj se do të bashkëpunoj me mjeshtrin Skënder Dozhlani. Gjithashtu kam dhe disa projekte me autorë kosovarë, të cilët pres t’i nxjerr në vazhdim.

CMG: Një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe adhuruesit tuaj

Mirjeta Çelaj: Përshëndes të gjithë dëgjuesit tuaj. Ju falenderoj  për ftesën dhe ju uroj gjithë të mirat, shëndet së pari dhe çdo gjë të bukur.

Intervistoi: Gazmend Agaj