Për të aplikuar në një universitet, studentët shqiptarë duhet të plotësojnë një sërë kriteresh që vendosen nga institucioni i lartë i arsimit. Kriteret e pranimit në universitete mund të ndryshojnë në varësi të institucionit, vendit dhe programit të studimit. Ka shumë maturantë që kanë dilema se çfarë dëshirojnë të bëjnë në të ardhmen. Kjo është një ndër arsyet pse maturantët shpeshherë ndjehen të pasigurtë. Nxënësit kur përfundojnë gjimnazin, gjenden përpara plotësimit të formularit me 10 preferenca. Në Shqipëri ka shumë shkolla private e shtetërore që të japin mundësinë për të studiuar. Ka maturantë që janë të paqartë, shpeshherë mund të bëjnë edhe zgjedhjen e gabuar, duke mos dhënë më të mirën e tyre. Ka nga ata maturantë që i kanë idetë mjaft të qarta për të ardhmen e tyre. Cili është këndvështrimi i maturantëve ? Cilat janë zgjedhjet e tyre? Çfarë drejtimi do të marrin në jetë? Cilat janë degët që dëshirojnë të ndjekin në universitet? Për Radio Ejani kanë treguar zgjedhjet e tyre për në universitet maturantet Rejsi, Ruksana, Erika dhe Arlinda.
Foto nga Matura shtetërore
Rejsi Ahmetaj: Unë jam Rejsi, maturante e vitit akademik 2023-2024. Viti i fundit është sfidë e madhe për çdokënd. Shpesh na vjen në mendje pyetja: Çfarë dege dua të zgjedh? Çfarë më pëlqen më shumë të studioj? Ku e gjej veten më të aftë? Këto pyetje janë stresuese, si për mua ashtu edhe për të gjithë maturantëte tjerë. Jemi në një vit, që shënon të ardhmen tonë. Mos ndoshta jemi paksa të vegjël për të marrë këto vendime kaq të mëdha, pasi askush prej nesh nuk është rritur dhe formuar siç duhet. Gjithsesi kjo dilemë shuhet përmes komunikimit me mësuesit apo me prindërit.
Unë jam një nga ato që nuk dija se çfarë të zgjidhja. Por së fundi e gjeta dhe kam vendosur të studioj për arkitekturë. E kam zgjedhur këtë degë pasi më jep mundësinë që të jem më afër artit, njerëzve, dizajnit. Në Shqipëri ka shumë shkolla private e shtetërore që të japin mundësi shumë të mira për të studiuar si Universiteti Politeknik i Tiranës, Polis, Universiteti i Nju Jorkut, Universiteti Epoka, etj. Sa i përket Universitetit Politeknik të Tiranës, duhet një mesatare e lartë VKM-së dhe pikë të larta në provimin hyrës, që konsiston në testin e arsyetimit logjik, të kulturës së përgjithshme, të historisë së arkitekturës, vizatimit dhe prezantimit. Uroj që të gjithë maturantët të dalin sa më mirë me provimet, ndonëse e kanë marrë pak me stres.
Ruksana Bregu: Unë jam Ruksana maturante. Mund të them se ky vit i gjimnazit ka qenë plot me gjëra të reja, të vështira, të bukura, por megjithatë kam mësuar shumë. Ky është viti kur ne vendosim për të ardhmen tonë, në një botë të panjohur për ne, por që ka më shumë përgjegjësi. Dega që kam vendosur për të studiuar, është Administrim Biznesi. Kam qenë gjithmonë kurioze për botën e biznesit. Si funksionon biznesi? Si funksionon ekonomia? Apo si funksionojnë tregjet.
Universiteti i Tiranës (Foto UT)
E shoh këtë degë si mundësi për të zgjeruar aftësitë e mia drejtuese, pasi mund të më hapë shumë dyer në të ardhmen, por mbi të gjitha është zhvillimi personal dhe formimi i vetes, që do të fitoj prej saj. Për sa i përket universitetit, në Shqipëri ka opsione të mira për këtë degë, si shtetërore, ashtu edhe private. Unë kam vendosur të zgjedh Tirana Business University, pasi mendoj se mundësitë e edukimit janë më të mira, si dhe përvoja që merr aty të përgatit për botën e biznesit. I uroj të gjithë maturantëve suksese. Shijojeni jetën me të gjitha mundësitë që ju jepen. Edukohuni dhe bëhuni version më i mirë i vetes.
Erika Mena: Unë jam Erika, maturante. Do ndaj me ju eksperiencën time dhe vështirësitë që hasim në këtë rrugëtim. Ne si maturantë jemi të vetëdijshëm se sa e rëndësishme është zgjedhja që do të bëjmë dhe në një moshë kaq të hershme, duhet të marrim një hap të tillë.
Erika - maturante (Foto personale)
Unë synoj të zgjedh degën e Mjekësisë, pasi kjo ka qenë një dëshirë e madhe e imja që në fëmijëri dhe me kalimin e viteve është rritur gjithmonë e tepër. Padyshim që një degë e tillë ka shkallë të lartë vështirësie dhe impenjimi, por me dëshirë dhe me përkushtim, asgjë nuk është e pamundur. Gjatë kësaj kohe kam bërë shumë hulumtime mbi degë dhe universitete të ndryshme. Një ndër universitetet që synoj është ai i Mjekësisë së Tiranës. Është universitet publik e me kërkesa të larta pranimi e studimi, mjaft i kërkuar nga shumë maturantë, por dhe me një konkurrencë tepër të lartë. Universiteti kërkon që maturantët t’i nënshtrohen një provimi pranimi për të mbrojtur rezultatet e paraqitura. Në Shqipëri vështirësitë tona përfshijnë mungesën e përkrahjes, infrastrukturës dhe të investimeve në arsim. Ligji për studentët e këtij universiteti përfshin faktin se pas përfundimit të studimeve, duhet që tre vite t’i shërbehet shtetit shqiptar. Një tjetër opsion që më ka bërë vërtetë përshtypje është universiteti katolik “Zoja e këshillit të mirë”. Ky është një universitet jo publik që të ofron mundësi studimi të standardeve të larta, dhe partnerë me universitet italiane, me kushte tepër të mira studimi dhe zhvillimi akademik, si dhe mundësi praktike në spitalin përkatës. Gjithashtu universiteti ofron bursa për studentët me arritje të larta dhe përkrahjen në tregun e punës pas përfundimit të studimeve, gjë e cila është shumë e rëndësishme për ne.
Foto nga Matura shtetërore
Disa universitete të tjera me programe të shumëllojshme studimi janë edhe universiteti “Western Balkans”, “Ufo”,”Aldent”, “Universiteti Europian i Tiranës” etj. Koha po kalon dhe ne tashmë duhet të vendosim. Sugjerimi im për të gjithë bashkëmoshatarët e mi është që t’i marrin parasysh të gjitha para se të vendosin. Vetëm nëse e duam diçka vërtetë, mund t’ia arrijmë, por kërkon shumë punë, vëmendje dhe përkushtim, ndaj informohuni dhe hulumtoni mbi çdo gjë. Përmes rrugëtimin të formimit shpresojmë të kontribuojmë në mirëqenien e shoqërisë dhe të zhvillimit tonë më tej.
Arlinda Kërxhaliu: Unë quhem Arlinda dhe jam maturante e vitit akademik 2023-2024. Besoj se për të gjithë gjimnazistët viti i tretë është një vit plotë sfida dhe shumë impenjativ, për faktin se gjendemi përballë disa zgjedhjeve shumë të vështira. Jemi 18 vjeçarë që duhet të marrim vendime, që do të na ndryshojnë jetën. Unë kam zgjedhur degën e Stomatologjisë sepse kam një pasion të madh për biologjinë që më buron që në vogëli. Kjo degë kaq e bukur, ka patjetër vështirësitë e veta, por e para me të cilën po përballem është zgjedhja e universitetit të duhur, që më jep mundësitë më të mira për zhvillim dhe rritje profesionale.
Universiteti i Mjekësisë së Tiranës është një nga opsionet e mia. Ky është një universitet shtetëror me kritere pranimi mesataren e VKM-së më të madhe ose të barabartë me 8.5 dhe 162 kuota për degën e Stomatologjisë, ku 120 janë për vendasit. Për vitin 2023 fituesi i fundit i raundit të parë kishte një mesatare VKM-je të barabartë me 9.57, ndërsa fituesi i fundit të raundit të dytë një mesatare prej 9.68, sipas portalit studentor. Gjithashtu një ndikim të madh kanë edhe lëndët e zgjedhura për vitin e tretë, kjo për shkak se nota mesatare e lëndëve të zgjedhura shumëzohet me një koeficient të paracaktuar. Në rastin e Stomatologjisë, në lëndët si biologjia, fizika dhe kimia shumëzohen me koeficientin 1.25, ndërsa nota e shumëzimit me zgjedhje shumëzohet me 1.4, nëse lënda e zgjedhur është një nga të mësipërmet, si dhe me 1.0 nëse është zgjedhur një lëndë tjetër, këto koeficient vlejnë vetëm për degën e Stomatologjisë. Opsione shumë të mira për këtë degë duket se janë dhe universitetet private, ndër të cilat edhe Universiteti katolik “Zonja e këshillit të mirë” , me një program pranimi për çdo program të ciklit të parë dhe në programet e integruara të studimit të ciklit të dytë, më të madhe ose të barabartë me 6.5. Por kandidatët duhet qe do t’u nënshtrohen edhe testimeve me shkrim mbi njohuritë me shkencat e natyrës. Gjithashtu ky universitet ofron dhe bursa deri në 30 përqind për studentët ekselentë.
Foto nga Matura shtetërore
Universiteti “Western Balkans” duket si një mundësi shumë e mirë për zhvillimin akademik, i cili pranon studentë me një mesatare më të lartë se 7-të ose të barabartë me të. Gjithashtu nga universiteti kërkohet që kandidatët të kenë të mbrojtur nivelin B1 të anglishtes. Për studimet e integruara si Mjekësia apo Stomatologjia, duhet që këta kandidatë t’i nënshtrohen edhe një testimi kasper, që matin inteligjencën emocionale. Ky universitet gjithashtu ofron dhe bursa deri në 100 përqind për maturantët me arritje shumë të mira.
Disa universitete të tjera për këtë degë janë edhe “Aldent”, “UFO”, “Barleti”, e shumë të tjerë. Personalisht jam midis këtyre opsioneve që përmenda, pasi programet e tyre më janë dukur më interesante si dhe mundësitë që ofrojnë duken më të mira. Për mendimin tim, praktika është mënyra më e mirë për t’u formuar profesionalisht dhe kjo ofrohet më shumë në dy universitetet e para që përmenda, pasi kanë infrastrukturë më të zhvilluar, provuar kjo edhe nga eksperienca e studentëve të tjerë. Ende nuk i kemi vendosur pikat mbi “i”, por sugjerimi im për të gjithë maturantët e viteve në vijim, është që të bëjnë kërkimet e tyre, për të gjetur opsionet më të mira për to. Kështu do ta kenë më të lehtë pjesën e aplikimit përfundimtar, i cili do të jetë vendimtar. Ju falënderoj për mundësinë që më dhatë për të dhënë mendimin tim rreth kësaj teme shumë të rëndësishme për maturantët.
- Viti i ri akademik 2024-2025 në universitetet publike dhe jopublike do të fillojë me datë 7 tetor 2024 dhe do të mbarojë me datë 26 shtator 2025. Matura shtetërore është momentalisht në një fazë që shënon përfundimin e tre viteve të gjimnazit dhe është hapi i parë dhe mjaft i rëndësishëm drejt universitetit. Të githë e kanë kaluar këtë fazë të jetës të mbushur sa me emocione të bukura, ndoshta pasiguri, e herë me mendime të qarta për të ardhmen që i pret. Por dilemat e tyre dhe pasiguritë zbehen pas bashkëbisedimit me mësuesit apo prindërit. Duke dashur të bëj një krahasim midis maturës dikur dhe sot, duket sikur ka ngjashmëri, por sigurisht që ka edhe mjaft ndryshime. Stresi dhe frika përpara provimeve të Maturës shtetërore mbetet prezente çdo vit, pasi ky është një proces që vendos të ardhmen e gjithsecilit, me drejtimin që çdo maturant do i japë jetës së tij. Ne i urojmë të gjithë maturantëve, suksese në provime!
Intervistoi: Sava Lena