10 vjet shkëmbim mallrash Kinë-Evropë përmes hekurudhës
2024-05-31 10:31:29

Pas një dekade përpjekjesh novatore, projekti emblematik i Kinës, “Një Brez një Rrugë', i cili arrin 223 qytete në 25 vende evropiane, ka kryer tashmë mbi 90,000 udhëtime me trena mallrash nga Kina në Evropë dhe anasjelltas, deri më 27 maj 2024.

I vlerësuar nga komuniteti ndërkombëtar, shërbimi i transportit Kinë-Evropë jo vetëm që rigjallëron prosperitetin e Rrugës së lashtë të Mëndafshit, por gjithashtu përmirëson jetesën e njerëzve, për të promovuar bashkëpunimin e favorshëm dhe vitalitetin ekonomik në të gjithë Euroazinë dhe më gjerë.

foto nga VCG

foto nga VCG

Autoriteti kinez i Hekurudhave “China Railway Express”, një shërbim i madh ndërkombëtar i trenave të mallrave, përfshin Kinën, Evropën dhe vendet partnere të Iniciativës “Një brez, një Rrugë”, duke ofruar mundësi të reja për tregti bashkëpunuese dhe të qëndrueshme. Sipas China Railway Group Limited, nga janari deri në prill 2024, operuan gjithsej 6,184 trena mallrash Kinë-Evropë, për të shpërndarë 675,000 tone mallra, duke shënuar një rritje nga viti në vit prej 10% dhe 11% respektivisht.

China Railway Express ka shtuar vazhdimisht linja të reja dhe ka zgjeruar kapacitetet e saj gjatë dekadës së fundit, duke i ofruar kontinentit Euroaziatik korridore të reja të transportit tokësor dhe ura të reja për bashkëpunim ekonomik dhe tregtar.

Gjatë tremujorit të parë janar-mars 2024, pesë linja trenash mallrash Kinë-Evropë me orare të plota midis Xi'an dhe Duisburg, Gjermani dhe Chengdu dhe Lodz, Poloni, kanë qarkulluar në mënyrë të qëndrueshme çdo javë, me 16 pika të tjera kthimi të trenave të mallrave Kinë-Evropë, të shtuara jashtë Kinës, për t'i shërbyer më mirë nevojave të larmishme të klientëve evropianë dhe më tej.

Llojet e mallrave të transportuara përmes linjës Kinë-Evropë janë shtuar. Prej vitit 2023, më shumë produkte kineze të teknologjisë së lartë të gjelbër, si bateri litium, produkte fotovoltaike, automjete me energji të reja, janë transportuar nëpërmjet trenave të mallrave Kinë-Evropë, duke reflektuar kërkesat e forta të tregut.

Gjatë një dekade, procedurat e zhdoganimit të trenave të mallrave Kinë-Evropë janë bërë më të përshtatshme, mjedisi i biznesit në pikat e kalimit vazhdon të përmirësohet dhe rregullat e transportit ndërkombëtar janë përsosur më tej.

Me trenat e mallrave Kinë-Evropë, bashkëpunimi mes Kinës dhe Azisë Qendrore e Evropës është bërë më i ngushtë dhe ekonomia e tregtia kanë lulëzuar më tej.

Shumë sipërmarrje të tregtisë së jashtme, të prodhimit të zgjuar, të shërbimit të zinxhirit të furnizimit etj. janë krijuar përgjatë linjave hekurudhore. Përmes shkëmbimeve nga mallrat në hekurudha, vazhdojnë të përditësohen sektorët e prodhimit, tregtisë, financave, informacionit, etj.

Si rezultat, më shumë produkte evropiane kanë hyrë në Kinë dhe njëkohësisht më shumë mallra të prodhuara nga Kina janë mirëpritur nga konsumatorët evropianë.

CMG: Z. Koxhioni, ju e ndiqni nga afër ekonominë kineze. Më  25 maj  një tren i ngarkuar me mallra të ndryshme u nis nga qyteti Xi'an, kryeqendra e provincës Shanxi të Kinës veriperëndimore, për në Malaszewicze të Polonisë, duke shënuar një moment historik. Numri i përgjithshëm i udhëtimeve të trenave të mallrave Kinë-Evropë i tejkaloi 90,000. Komenti juaj

Ilirjan Koxhioni: Me lejoni që të hedh një vështrim të shpejtë tek Iniciativa e njohur e Kinës “Një Brez, Një Rrugë” ose, sikurse njihet ndryshe, “Rruga e Mëndafshit”.

Kjo iniciativë, si çdo nismë tjetër në botë, e ndërmarrë nga shtete apo organizma të ndryshëm ndërkombëtarë, ka në themelet e veta parimin universal të zhvillimit dhe përparimit ekonomik reciprok, nëpërmjet bashkëpunimit të sinqertë, transparent dhe gjithëpërfshirës.

foto nga VCG

foto nga VCG

Në këtë këndvështrim, kjo nismë e Kinës "Një Brez, Një rrugë", ka për qëllim bashkëpunimin e ngushtë ekonomik me vendet e ndryshme të rajonit evropian.

Një nga 5 prioritetet kryesore që e karakterizojnë këtë Iniciativë të Rrugës së Mëndafshit është përmirësimi dhe forcimi i lidhjeve të infrastrukturës fizike midis Kinës dhe Europës.

Në rastin konkret, në vitin 2011 u inagurua shërbimi i trenave të mallrave Kinë-Evropë me nisjen e një treni mallrash nga Chongqing, Kinë për në Duisburg të Gjermanisë.

Që prej asaj kohe, rrjeti i shërbimit të trenave të mallrave Kinë-Evropë është zgjeruar, duke arritur në shifrat e 223 qyteteve në 25 vende evropiane dhe mbi 100 qytete në 11 vende aziatike, duke mbuluar pothuajse të gjithë kontinentin Euroaziatik.

CMG: Janë mbi 50 mijë lloje produkte të ndryshme që tregtohen përmes linjës së trenave Kinë-Evropë dhe anasjelltas. Sa kanë përfituar qytetarët evropianë dhe ata kinezë nga kjo tregti?

Ilirjan Koxhioni: Linja hekurudhore Kinë -Europë ka ndikuar fuqishëm në zgjerimin e shpejtë të aktivitetit tregtar, që reflektohet më së miri në një gamë gjithnjë e në rritje të mallrave që tregtohen.

Ky fakt ka gjetur një mbështetje të fortë dhe vlerësim të lartë nga komuniteti ndërkombëtar, jo vetëm për mundësitë e mëdha që ka krijuar në rritjen e volumit tregtar midis Kinës dhe Europës, por dhe për ndikimin e drejtpërdrejtë që ajo ka në përmirësimin e mirëqënies dhe jetesën e njerëzve, duke shërbyer kështu si një e mirë publike jetike, që lehtëson procesin e integrimit më të mirë ekonomik të vendeve të rajonit në ekonominë e hapur botërore.

Statistikat dëshmojnë për masën në të cilën shërbimi i rrjetit ka nxitur lidhje më të ngushta tregtare midis Kinës dhe Evropës:

• Deri më sot, numri i përgjithshëm i udhëtimeve me tren të mallrave Kinë-Evropë ka tejkaluar 90,000.

• Janë transportuar më shumë se 8.7 milionë kontejnerë mallrash, me vlerë 380 miliardë dollarë amerikanë.

• Nga viti 2016 deri në vitin 2023, numri vjetor i udhëtimeve me tren të mallrave Kinë-Evropë u rrit nga 1,702 në mbi 17,000, duke arritur në një normë rritjeje vjetore prej 39.5 përqind.

Vlera e mallrave të transportuara nga ky shërbim u rrit nga 8 miliardë dollarë në vitin 2016, në 56.7 miliardë dollarë në vitin 2023.

• Llojet e mallrave të transportuara nëpërmjet trenave të mallrave Kinë-Evropë janë zgjeruar nga produktet e IT si laptopët dhe printerët në fillim, tani jane në mbi 50,000 lloje të ndryshme, duke përfshirë veshje dhe këpucë, automobila dhe pjesë, nevoja të përditshme, ushqim, lëndë druri, mobilje, kimikate dhe makineri.

Ilirjan Koxhioni CEO i Euroasia Group (Foto CMG)

Ilirjan Koxhioni CEO i Euroasia Group (Foto CMG)

CMG: Produktet kineze më të kërkuara sot në tregun evropian janë ato të teknologjisë së gjelbërt, si produkte fotovoltaike, bateri litiumi, etj. Pse, në gjykimin tuaj?

Ilirjan Koxhioni: Pyetja juaj lidhet drejtpërdrejt me faktin që Kina është sot prodhuesi kryesor dhe me një çmim konkurrues në nivel global, i produkteve fotovoltaike, baterisë lithium dhe makinave elektrike.

Njëherazi, tregu evropian ka ngelur prapa, përsa i përket investimeve në infrastrukturën prodhuese të produkteve të lartpërmendura.

Si rrjedhojë e kësaj situate, Evropa paraqitet që të jetë sot një nga importuesit kryesorë të këtyre produkteve nga Kina.

CMG: Sa e kanë ndihmuar zhvillimet e fundit potencialin e marrëdhënieve tregtare Kinë-Evropë dhe a realizohet ai përmes linjës së trenave Kinë-Evropë?

Ilirjan Koxhioni: Pa dyshim që vizitat e Presidentit të Kines Xi në tre vendet e Evropës, Francë, Serbi dhe Hungari, ishin një shtysë e mëtejshme e thellimit dhe forcimit të marrëdhënieve tregtare midis Kinës dhe Evropës.

Krahas transportit detar dhe atij ajror, transporti tokësor, nëpërmjet rrjetit hekurudhor, plotëson trinomin e një infrastrukture fizike të nevojshme për rritjen e volumit tregtar të mallrave midis dy tregjeve të mëdha.

Përparësitë e trenave të mallrave Kinë-Evropë nuk kufizohen vetëm në rritjen e tregtisë. Përkundrazi, ky lloj transporti ndërkombëtar ndërmjet partnerëve tregtarë, ka avantazhe të tjera të rëndësishme, si efikasiteti, shpejtësia, siguria, stabiliteti, zhvillimi ekonomik dhe kredencialet e gjelbra.

CMG: Si e shikoni potencialin e tregtisë dhe investimeve kineze në ekonominë e Shqipërisë dhe a e rrisin këtë potencial projektet hekurudhore të qeverisë shqiptare, si hekurudha Vorë-Hani i Hotit dhe hekurudha Durrës-Rrogozhinë, për të shkuar më tej deri në fshatin Lin, në kufi me Maqedoninë e Veriut?

Ilirjan Koxhioni: Është fakt që niveli i rrjetit hekurudhor në Shqipëri është ai që ne e dimë të gjithë, por iniciativat dhe përfshirja e rrjetit  hekurudhor në planet e qeverisë, për të ndërtuar disa projekte që lidhen drejtpërsëdrejti me rrjetin hekurudhor, do të ketë efekte të mëdha në ekonominë tonë.

Ilirjan Koxhioni në intervistë për CMG

Ilirjan Koxhioni në intervistë për CMG

Kjo, për disa arësye. Së pari, duke e ngritur e përmirësuar shërbimin e rrjetit hekurudhor brenda për brenda territorit të Shqipërisë, ne jemi bërë gati për lidhjen e këtij sistemi hekurudhor me shtetet fqinje.

Këto shtete, disa prej tyre e kanë këtë akses hekurudhor dhe kjo lidhje e rrjetit hekurudhor, natyrisht që do të ndikojë direkt në nivelin ekonomik të vendit, sepse do të rritet volumi tregtar i transporteve të ndryshme.  Po e ilustroj me një rast konkret : si EuroAzia Group, ne sot jemi në treg me makinat elektrike kineze, që karikohen.

Për mallrat qe importojmë nga Kina, apo për produkte të tjera, ne shpesh përdorim transportin detar dhe na vijnë mallrat në portin e Durrësit. Mirëpo mund të ndodhë që klientët e kërkojnë akoma dhe më shpejt dhe ne, për hir te shpejtësisë, kërkojmë linja më të shpejta, sikurse është linja hekurudhore, që jep afate 15-20 ditë.

Nga ana tjetër, unë si sipërmarrës, llogaris kostot e këtij transporti, sepse, po të ndjek rrugën hekurudhore nga Kina në Serbi ose në Gjermani, deri në këto pika, kam një kosto efikase të transportit.

Mirëpo, për ta sjellë prej këtyre vendeve në Shqipëri, duhet të përdor rrjetin transportues tokësor dhe ky rrjet ka pothuajse një kosto të dyfishtë. Kështu që nuk kam përfitime, jam me humbje.

Pra, përmirësimi apo vendosja e rrjetit hekurudhor ndërkufitar do të bëjë që sipërmarrësit do të përfitojnë edhe më shumë të mira publike materiale, finaciare për të gjitha nivelet, shtetin, individët, sipërmarrësit, etj

Intervistoi Fatos Çoçoli