Foto nga CFP
Më 10 qershor kremtohet një nga festat më të rëndësishme tradicionale kineze; Festa e Varkës së Dragoit.
Me afrimin e festës, në krahinat kineze nisin përgatitjet për aktivitetet e ndryshme kremtuese. Mes tyre, Gara e Varkave të Dragoit, e shpallur në vitin 2011 si trashëgimi kombëtare kulturore jomateriale, konsiderohet si aktiviteti më i rëndësishëm folklorik në këtë festë.
Në kontenë Dao, në Hunan të Kinës Qendrore, gara e varkave të dragoit ka një histori rreth 1000 vjeçare. Me rastin e festës, më shumë se 100 varka dragoi garojnë mbi lumin Xiaoshui.
Një fshatar pjesëmarrës tha:
"Kam ardhur posaçërisht nga provinca Sichuan. Edhe shumë bashkëfshatarë kanë ardhur nga Sichuani ose provinca të tjera, për të marrë pjesë në garën e varkave të dragoit.”
Në kontenë Dao, shumë të rinj punojnë në krahina të tjera, por pavarësisht sa larg vendlindjes gjenden, ata kthehen gjithmonë aty për të garuar në Festën e Varkës së Dragoit. Për ata, gara e varkave të dragoit është jo vetëm një ngjarje kulturore, por edhe 'shpirti i varkës së dragoit' që mbron nderin dhe trashëgon historinë e kulturën.
Tashmë gara e varkave të dragoit ka dalë deri jashtë Kine, duke fituar përkrahjen e gjerë në bashkësinë ndërkombëtare. Në lumin Ruhr në Duisburg të Gjermanisë, me rastin e Festës së Varkës së Dragoit, zhvillohet çdo vit gara e varkave, me pjesëmarrjen e mbi 100 ekipeve, të cilët tërheqin mijëra njerëz.
Në këtë destinacion të rëndësishëm të trenave të mallrave Kinë-Evropë, falë lidhjes së ngushtë ekonomike kino-gjermane e kino-evropiane, populli kinez dhe gjerman zhvillon shkëmbime, duke thelluar miqësinë nëpërmjet garës.
Nxënësi gjerman Raschid Shamilev tha:
"Është vërtet bukur që ka kaq shumë pjesëmarrës në garë. Ne kemi marrë shumë njohuri për Festën e Varkës së Dragoit, gjatë kursin të gjuhës kineze. Kemi ardhur këtu për të parë festimet, ndaj ndihemi shumë të kënaqur.”
Nxënësi gjerman Max Bitor u shpreh:
"Festa e Varkës së Dragoit është një festë tradicionale e Kinës. Gara e varkave këtu më bëri të ndiej bashkëpunimin miqësor midis dy vendeve. Ndërtimi i përbashkët i nismës 'Një brez, një rrugë’ka lehtësuar më tej logjistikën midis Gjermanisë e Kinës. Mendoj se është shumë e nevojshme një ngjarje e tillë kulturore në Duisburg, i cili njihet si 'qytet i Kinës'.”
Foto nga CFP
Në Dongmen të qytetit Ganzhou të provincës Jiangxi, banorët vendas përgatitin zongzi dhe ushqime të tjera tradicionale kineze. Zongzi është një petë orizi e mbështjellë me gjethe bambuje. Është një ushqim me traditë të gjatë në Festën e Varkës së Dragoit. Kurse në kontenë Anyuan të provincës Jiangxi, orizi i ëmbël me gjethe artemisia, është ushqim i domosdoshëm me rastin e festës.
Një banor i fshatit Jingqiu të kontesë Anyuan shprehet:
"Kemi shumë lloje orizi me gjethe artemisia. Gjatë Festës së Varkës së Dragoit, familjet përdorin orizin me gjethe artemisia, për t'u lutur për begatinë e vendit dhe lumturinë e familjes.”
Në provincën Jiangsu, muzikantët interpetojnë me instrumentin e lashtë muzikor Guqin, melodinë e poemës së lashtë Li Sao. Li Sao është vepra e poetit patriot Qu Yuan, në Periudhën e Shteteve Ndërluftuese (475-221 para erës sonë). Njerëzit janë gjerësisht të mendimit se Festa e Varkës së Dragoit lindi pikërisht për të përkujtuar poetin Qu Yuan. Gara e varkave të dragoit, ngrënia e zongzi-së etj. janë mënyra për të nderuar Qu Yuanin.
Artisti i Guqin-it Gao Tingxin tha:
"Sot luajta melodinë Li Sao, e cila shfaqi patriotizmin dhe romantizmin e poetit Qu Yuan."
Vepra e Qu Yuanit shfaq ndjenjat e tij ndaj atdheut dhe popullit. Sot kinezët e përkujtojnë poetin për të shprehur patriotizmin e tyre. Pavarësisht si do të ndryshojnë kohërat, patriotizmi trashëgohet brez pas brezi nga kinezët, ndaj është bërë marka e Festës së Varkës së Dragoit. (Fani)