Presidenti i Kinës Xi Jinping u takua të premten paradite me Presidentin e Tunizisë Kais Saied, i cili zhvilloi një vizitë shtetërore në Kinë dhe mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Mbledhjes së 10-të Ministrore të Forumit të Bashkëpunimit Kinë - Vendet Arabe në Pekin. Të dy krerët shpallën krijimin e një partneriteti strategjik midis Kinës dhe Tunizisë.
Foto: Xinhua
Xi Jinping vuri në dukje se Kina dhe Tunizia janë miq dhe vëllezër të mirë. Gjatë 60 viteve të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, pavarësisht ndryshimeve ndërkombëtare, të dy vendet kanë respektuar dhe mbështetur njëra-tjetrën në mënyrë të barabartë. Kina është e gatshme të punojë me Tunizinë për të trashëguar miqësinë tradicionale, për të thelluar bashkëpunimin në fusha të ndryshme dhe për të ngritur marrëdhëniet Kinë-Tunizi në një nivel të ri.
Xi theksoi se pala kineze është e gatshme të forcojë me palën tuniziane lidhjen strategjike të zhvillimit, të thellojë bashkëpunimin në fushën e infrastrukturës dhe energjisë së re, të krijojë forca të reja bashkëpunimi në fusha si shëndetësia, zhvillimi i gjelbër, burimet ujore dhe bujqësia, si edhe të nxisë ndërtimin e përbashkët me cilësi të lartë të nismës “Një brez, një rrugë”.
Kina mirëpret më shumë produkte cilësore nga Tunizia në tregun kinez. Ajo është e gatshme të vazhdojë të dërgojë ekipe mjekësore të nivelit të lartë në Tunizi, të thellojë bashkëpunimin në fushën e arsimit, turizmit dhe shkëmbimeve kulturore.
Kina është e gatshme të punojë me Tunizinë për të organizuar Forumin e Bashkëpunimit Kinë-Vendet Arabe dhe Forumin e Bashkëpunimit Kinë-Afrikë, duke shtuar energji të re për zhvillimin e marrëdhënieve Kinë-Vendet Arabe dhe duke punuar së bashku për të ndërtuar një bashkësi me fate të përbashkëta Kinë-Afrikë të nivelit të lartë.
Foto: Xinhua
Nga ana e tij, presidenti i Tunizisë Kais Saied tha se ndjehet shumë i kënaqur për vizitën në Kinë, me rastin e 60-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, si edhe për pjesëmarrjen në ceremoninë e hapjes së Mbledhjes së 10-të Ministrore të Forumit të Bashkëpunimit Kinë - Shtetet Arabe.
Tunizia dhe Kina kanë miqësi të thellë. Të dy vendet ndajnë ide dhe parime të përbashkëta. Tunizia pret të marrë sa më shumë mbështetje nga Kina në procesin e zhvillimit të saj kombëtar, të forcojë bashkëpunimin në fusha si shëndetësia, transporti, zhvillimi i gjelbër dhe arsimi, dhe të lartësojë marrëdhëniet Tunizi-Kinë në një nivel të ri.
Tunizia mbështet me vendosmëri politikën e “një Kine”. Gjithashtu mbështet përpjekjet e qeverisë kineze për të realizuar bashkimin kombëtar dhe për të mbrojtur interesat thelbësore.
Tunizia është e gatshme të punojë ngushtë me Kinën për të ndjekur vlerat e përbashkëta të gjithë njerëzimit, për të kundërshtuar hegjemonizmin dhe konfliktimin midis kampeve, si edhe për të krijuar një botë më të barabartë dhe të bukur, ku të gjithë popujt mund të gëzojnë të drejtat e vërteta të njeriut dhe lirinë, të jetojnë në harmoni dhe të ndajnë paqen, sigurinë dhe prosperitetin.
Dy udhëheqësit gjithashtu shkëmbyen mendime mbi konfliktin izraelito-palestinez. Xi theksoi se Kina dhe vendet arabe kanë qëndrime shumë të ngjashme. Kina është e gatshme të punojë me Tunizinë dhe vendet e tjera arabe, për të nxitur zgjidhjen e plotë, të drejtë dhe të qëndrueshme të çështjes palestineze me bazë të zgjidhjes me dy shtete.
Pas bisedimeve, dy udhëheqësit morën pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të disa dokumenteve të bashkëpunimit dypalësh në fusha të tilla si zhvillimi i gjelbër dhe investimet.
Më pas palët publikuan "Deklaratën e Përbashkët midis Republikës Popullore të Kinës dhe Republikës së Tunizisë mbi krijimin e partneritetit strategjik".
Foto: Xinhua
Para bisedimeve, Xi Jinping dhe bashkëshortja e tij Peng Liyuan mbajtën një ceremoni mirëseardhjeje për Presidentin Saied dhe bashkëshorten e ti.
Në mesditë, Xi dhe Peng Liyuan organizuan një drekë mirëseardhjeje për çiftin Saied. (Li Huailiang/Elona)