Turizmi pa kufizime gjeografike, Shqipëria destinacion për shumë vende
2024-05-30 19:31:01

Deri  në fund të vitit mund të arrijmë 14 milionë turistë. Kështu shprehet zëvendës ministrja e Turizmit, Vilma Bello, e cila analizon pritshmëritë për këtë vit teksa çdo gjë duket gati për të pritur vizitorët nga anë të ndryshme të globit.

Foto nga Ksamili (Foto Klan tv)

Foto nga Ksamili (Foto Klan tv)

“Shqipëria vijon të mbetet jo vetëm në promovimet ndërkombëtare, por si destinacion i ka tejkaluar hamendjet, surprizat, jo thjesht një destinacion trend, por dhe një destinacion që po shkon drejt konsolidimit. Sigurisht rritja e numrit të turistëve dhe shifrave na bën të ndjeshëm si institucione vendimmarrëse apo bashkëpunuese siç janë institucionet e pushtetit qendror në bashkëpunim të ngushtë me pushtetin vendor, por në bashkëpunimin dhe me sektorin privat, që janë hallka të një zinxhiri që mund të gjenerojnë suksesin dhe duhet që të kenë dhe bashkëpunimin. Përgatitja e një viti e menaxhimit të një viti që vjen më pas, duke patur parasysh dhe rritjen e shifrave vit pas viti na bën më të vëmendshëm që ta fillojmë punën për përgatitjen edhe më përpara se të një viti të mëparshëm. Padyshim ka një vëmendje të shtuar pasi tashmë pjesa që lidhet me aktivitetet tona të mëdha si ministri, qoftë kjo prania nëpër panaire dhe prezenca e Shqipërisë në panaire dhe organizimi i forumeve të rëndësishme në Shqipëri, tashmë jemi në punën për të mirë menaxhuar këtë vit, që deri tani ka rritje të numrit të turistëve 38 për qind nga janari deri në prill.”

Në intervistën për Abc News, Bello tha se ecuria pozitive duket që në muajt e parë të këtij viti.

“Që do të thotë që kjo shifër mund të na çojë deri në fund të vitit deri  në shifrat e 13 apo 14 milionë. Por në fakt e rëndësishme në gjykimin e të gjithëve që janë të interesuar që jo thjesht turizmi është një pasaportë shumë e mirë shqiptare, por nga ana tjetër edhe një sektor prioritar që zhvillon ekonominë, sepse të dhënat që vijnë nga Banka Botërore, nga FMN dhe Banka e Shqipërisë, tregojnë se të ardhurat që vijnë nga turizmi janë të ardhurat më të konsoliduara dhe kjo e rrit më shumë përgjegjësinë se si ta menaxhojmë. Nuk janë vetëm shifrat, është edhe cilësia dhe shërbimi që do të impaktojë dhe do të kthejë turistët që të mund të vazhdojnë të njëjtin trend rritës dhe progresion rritës edhe në vitet e tjera.”

Zv,Ministrja Bello flet për  kapacitetet akomoduese për të gjithë këta turistë në Shqipëri.

Turiste ne Berat (Foto po.al)

Turiste ne Berat (Foto po.al)

“Në fakt nuk është një objektiv që është i vendosur nga institucionet, por është një parashikim që vjen nga operatorët turistikë, nga sektori privat, të cilët tashmë në miratimin apo në përmbushjen e kontratave kanë realizuar gati në masën 40% më shumë se të një viti më parë. Na mbetet ne si institucione në fund të vitit të ulemi të bëjmë përllogaritje të saktë. Por këto janë të dhëna që deri tani na vijnë nga sektori edhe vjet ishte një dilemë e tillë, edhe pse numrat ishin përtej surprizave, sërish pati një akomodim, dhe nuk kishim raste në të cilat të gjykonim se ku na shkuan të gjithë këta turistë që na erdhën në Shqipëri. Përveç strukturave akomoduese, të cilat janë shtuar si aplikime pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, por në territor javë për javë ose çdo muaj ka struktura të reja akomoduese që hapen dhe kanë jo vetëm shtretër më shumë dhe njësi akomoduese që të mundësojnë akomodimin e turistëve, por edhe të një standardi dhe cilësie shumë të mirë. Kështu që besoj që edhe ky vit do të ketë jo vetëm vëmendje nga sektori privat sepse strukturat janë shtuar, por nga ana tjetër kemi njësi akomoduese si vilat, apartamentet dhe shtëpitë e banimit, të cilat ashtu siç kanë funksionuar do të vazhdojnë të funksionojnë edhe sivjet dhe sido që të jetë do të ndikojnë në ekonomitë familjare të gjithsecilit që e përdor shtëpinë e vet si një bujtinë apo vend pritje.”

Tashmë po synohet të ketë turizëm elitar që jep edhe një kontribut më të madh në ekonomi.

“Gjithmonë rritja e cilësisë të çon te turisti elitar, turisti elitar, një turist që të qëndrojë më shumë netë në një destinacion, pra të rrijë më shumë dhe të shpenzojë më shumë. Kemi parasysh që Shqipëria me gjithë paketën e plotë turistike dhe një paketë të jashtëzakonshme që ofron në një territor të vogël gjeografik kemi parasysh edhe sfidat që lidhen me territorin që i referohem mjedisit, sepse ne mund të vëmë target shumë të larta, por nga ana tjetër të kemi vështirësi menaxhimi për të ruajtur dhe për të mbrojtur mjedisin sepse është një, duhet një ekuilibër shumë i mirë për drejt zhvillimit që kërkon turizmi dhe drejt ruajtjes së mjedisit që kërkon një territor. Është e pamundur që një turist të mund të largohet nga Shqipëria dhe pastaj të thotë që po ishte një vend i mrekullueshëm, por  nuk gjeta shërbimin e duhur apo nuk gjeta një mjedis të pastër.”

Duket se sektori e ka sfidë  menaxhimin siç duhet të fluksit të turistëve.

Zv.ministrja e Turizmit Vilma Bello (Foto Ministria e Turimit dhe Mjedisit)

Zv.ministrja e Turizmit Vilma Bello (Foto Ministria e Turimit dhe Mjedisit)

“Padyshim që kjo është një sfidë shumë e rëndësishme dhe si e tillë ka shtim të mekanizmave ndihmues të qeverisë dhe ministrisë të mjedisit përmes një operatori shtesë që të ndihmojë në ato bashki bregdetare që shtojnë ndjeshëm numrin e flukseve të turistëve. Kjo ka ndodhur edhe në vitet e tjera, por sivjet janë shtuar edhen bashkitë e tjera dhe janë bërë 7 bashki që përmes operatorit shtesë mund të kenë një shërbim të shtuar të menaxhimit më të mirë të territorit sa i përket pastrimit. Këtu do të shtoja dhe shtimin e numrit të qendrave shëndetësore apo shtimin e numrit të postave të policisë, sigurisht kjo lidhet me sigurinë, e cila është një nga elementët të themi jo vetëm më të rëndësishëm por është primari, sepse një turist që do të vijë në një destinacion do të jetë i sigurt dhe Shqipëria këtë kriter e ka përmbushur dhe duhet patjetër që ta ruajë.”

Harta e vendeve që zgjedhin Shqipërinë tashmë është tepër e gjerë.

“Harta ka filluar të zgjerohet që përgjatë vitit të shkuar ndërkohë tashmë nuk flasim më për kufizime gjeografike, në të cilat turistët vizitojnë Shqipërinë por tashmë janë nga gjitha kontinentet dhe gjithë anët e botës, tashmë Shqipëria është kthyer në një kërkesë e vazhdueshme edhe pse jo interesante sidomos për ata që e vizitojnë për herë të parë për ta parë pse jo dhe në sajë të promovimit të jashtëzakonshëm që s ka qenë aq institucional sa ka qenë i vetë turistëve që kanë ardhur, e kanë vizituar dhe më pas janë larguar me mbresë edhe më të mirë sesa mbërritja e tyre në këtë destinacion.”