Në një ditë të zakonshme, jo vetëm në kryeqytetin shqiptar Tiranë, por edhe në Shkodër, Lezhë, Krujë, Durrës e qytete të tjera mund të takosh grupe turistësh kinezë të cilët vite më parë i mungonin Shqipërisë. Lëvizja e lirë pas heqjes së vizave me shtetin kinez ka rritur ndjeshëm numrin e turistëve kinezë në vendin tonë. Trashëgimia historike dhe kulturore, mikpritja dhe gatimet tradicionale shqiptare e bëjnë vendin tonë një destinacion përherë e më të lakmueshëm. Dikur ishin raportet politike që i bashkonin Kinën dhe Shqipërinë. Një periudhë kur janë ndërtuar ura lidhje, miqësie e respekti reciprok mes dy popujve. Në ditët tona këto raporte janë rritur e konsoliduar. Përveç nostalgjisë, ka edhe një qasje pragmatike, siç janë raportet ekonomike e shkëmbimet tregtare, kulturore dhe turizmi... Shqipëria po rekomandohet gjithnjë e më shumë si një destinacion turistik edhe nga mediat prestigjoze ndërkombëtare përmes artikujve e reportazheve, duke e sugjeruar vendin tonë si një mundësi që nuk duhet humbur në Evropë.