Foto: Xinhua
U mbajt me sukses të enjten Mbledhja e 10-të Ministrore e Forumit të Bashkëpunimit Kinë - Shtetet Arabe, duke arritur rezultate të frytshme.
Në këtë takim u miratuan tre dokumente të rëndësishme: "Deklarata e Pekinit", "Plani i veprimit i Forumit të Bashkëpunimit Kinë - Shtetet Arabe 2024-2026" dhe "Deklarata e përbashkët ndërmjet Kinës e shteteve arabe mbi çështjen palestineze". Gjatë mbledhjes Kina gjithashtu nënshkroi një sërë marrëveshjesh dypalëshe e shumëpalëshe me vendet pjesëmarrëse dhe me Sekretariatin e Lidhjes Arabe.
"Deklarata e Pekinit" rishikon konsensusin e rëndësishëm dhe përparimin e arritur gjatë Samitit të Parë Kinë - Shtetet Arabe, duke shtjelluar rrugët për të nxitur ndërtimin e një bashkësie me fate të përbashkëta kino-arabe. Deklarata rithekson mbështetjen e ndërsjellë të Kinës dhe shteteve arabe për çështjet me interes thelbësor për njëra-tjetrën, bën thirrje për thellimin e bashkëpunimit pragmatik dhe përshkruan qëndrimet e përbashkëta mbi zgjidhjen politike të çështjeve të nxehta rajonale, dialogun ndërmjet qytetërimeve, qeverisjen globale, luftën kundër terrorizmit, të drejtat e njeriut, inteligjencën artificiale dhe ndryshimet klimatike.
"Plani i veprimit i Forumit të Bashkëpunimit Kinë - Shtetet Arabe 2024-2026" planifikon forcimin e mekanizmit të forumit dhe përparimin e bashkëpunimit shumëpalësh e dypalësh në fushat politike, ekonomike, tregtare, të investimeve, financave, infrastrukturës, mjedisit, shkëmbimeve kulturore, aviacionit e hapësirës ajrore, arsimit dhe shëndetësisë në dy vjetët e ardhshëm.
"Deklarata e përbashkët ndërmjet Kinës e shteteve arabe mbi çështjen palestineze" shpreh shqetësimin e thellë të Kinës e të vendeve arabe për krizën humanitare të shkaktuar nga konflikti në rajonin e Gazës dhe thekson qëndrimin e vendosur dhe konsensusin e rëndësishëm për të nxitur një armëpushim në Gazë, për të siguruar ndihmën humanitare, për të kundërshtuar zhvendosjen e detyruar të banorëve palestinezë, për të mbështetur anëtarësimin e Palestinës në OKB dhe për ta zgjidhur çështjen palestineze me bazë të zgjidhjes me dy shtete sa më shpejt. (Li Huailiang/Artan)