Niu Guangcheng ka shumë kujtime nga vitet '80 të shekullit të kaluar lidhur me lumin Caohejinggang, që kalon nëpër rrugën "Gumei" të Shangait. "Në atë kohë, lumi kishte ende ujë shumë të pastër dhe ushqente banorët përreth. Megjithatë, rreth vitit 1993, me rritjen e shpejtë të popullsisë, cilësia e ujit u përkeqësua dhe kishte mbeturina që notonin në lumë, i cili kishte një erë të çuditshme në verë," rrëfen ai.
Ky banor i Shangait ishte në ankth nga një gjë e tillë. Ai shpesh ecte buzë lumit për të parë ose për të kapur mbeturinat me një rrjetë. "Rreth vitit 2000, gjithnjë e më shumë njerëz i kushtonin vëmendje problemit të ndotjes së ujit dhe sektorët përkatës gjithashtu zhvilluan punët e menaxhimit të cilësisë së ujit, i cili filloi të përmirësohet gradualisht." Përmirësime të tilla nuk e penguan Niu Guangchang-un, që e do ujin, të vazhdojë ta mbrojë lumin.
Në këto vite, Niu Guangcheng-u ka përdorur shpesh kohën e lirë dhe ditët e pushimeve për të marrë pjesë në punët e mbrojtjes së lumit. Me propozimin e tij, mbi 500 veta u bënë anëtarë të ekipit të mbrojtjes së lumit që marrin pjesë në menaxhimin e lumit.
Në janar 2020, Niu Guangcheng-u u punësua zyrtarisht si "kryetar lumi" i rrugës "Gumei", duke fituar tituj si "Vullnetari kombëtar më i bukur për mbrojtjen e mjedisit ekologjik", "Vullnetari më i bukur i mbrojtjes lumore i Shangait" etj. Ai është gjithashtu themelues i Korpusit të Shërbimit Vullnetar për Mbrojtjen Lumore të Shangait.
Rruga "Gumei" ka kanale lumore që shtrihen në të gjitha drejtimet dhe shërbimet vullnetare për mbrojtjen e lumenjve nuk kanë kufij. Sot, Ekipi i Mbikëqyrjes së Pamjes, Mjedisit dhe Higjienës Ujore të Shangait ka gjithsej 16 veta, 12 prej të cilëve janë nga Ekipi i Shërbimit Vullnetar të Mbrojtjes Lumore të Rrugës "Gumei". Ekipi patrullon e mbikëqyr 16 distrikte dhe qindra rrugë e qyteza ujore në Shangai çdo muaj, duke përbërë 89 % të rasteve të mbikëqyrjes shoqërore të zonës ujore të Shangait.
Si udhëheqës i ekipit, Niu Guangcheng-u shpesh shkon me vullnetarët në distriktin Qingpu, distriktin Chongming dhe vende të tjera për të kontrolluar mjedisin e lumit dhe për të kryer aktivitete të mirëqenies publike. "Rruga 'Gumei' fillimisht kishte më shumë probleme lidhur me lumin, por tani është përmirësuar shumë. Kjo ka ardhur falë punës së palodhur të vullnetarëve. Lumi Caohejinggang është bërë model për menaxhimin e lumenjve," tha ai.
Këtë vit, Ekipi i Shërbimit Vullnetar të Mbrojtjes Lumore të Rrugës "Gumei" ka disa arritje të reja të spikatura. Niu shprehet se ekipi ka krijuar një hapësirë ujore praktike të qytetëruar të epokës së re që integron varkat, dhe vullnetarët mund ta patrullojnë lumin me anë të varkave.
Si një projekt pilot i Korpusit të Shërbimit Vullnetar për Mbrojtjen Lumore të Shangait, Ekipi i Shërbimit Vullnetar të Mbrojtjes Lumore të Rrugës "Gumei" ka në plan të ndërtojë katër doke dhe të përdorë anije të shumta për mbrojtjen e lumit. "Anijet e rojave të lumit do të shërbejnë gjithashtu si varka emergjente dhe anije shpëtimi. Shpresoj që, nëpërmjet krijimit të kësaj flote, ne të tërheqim më shumë të rinj për të marrë pjesë. Në të ardhmen, flota jonë mund të lundrojë nga 'Gumei' dhe të shkojë në zona të ndryshme për mbrojtjen lumore në mbarë Shangain," vuri në dukje Niu Guangcheng.
Nga një pjesëtar i patrullës së lumit në organizator dhe më pas në "kryetar lumi", Niu ka pasur shumë role e detyra, por ajo që mbetet e pandryshuar është dashuria e tij për lumin dhe vendosmëria për të mbrojtur ujërat e tij.”
"Mbrojtja e lumit varet nga çdo hap. Anëtarët e ekipit shfrytëzojnë rastin kur janë duke blerë ushqime, duke shëtitur, duke mbledhur mbeturina në breg të lumit, dhe kur shohin peshkatarë të paligjshëm, menjëherë i ndalojnë. Ata janë shumë të kujdesshëm. Falënderoj gjithashtu departamentet përkatëse që ofrojnë mbështetje për në. Të gjithë punojnë së bashku për të mbajtur një mjedis të pastër uji në Caohejinggang," shprehet ai. (Çang Çuo)