Asambleja e 77-të Botërore e Shëndetësisë hodhi poshtë të hënën propozimin për përfshirjen në agjendën e diskutimit për ta ftuar Tajvanin të merrte pjesë në mbledhje si “vëzhgues”. Kjo është hera e tetë me radhë që një propozim i tillë hidhet poshtë nga OBSh-ja, gjë që tregon plotësisht se parimi i “Një Kine” është një konsensus i gjerë ndërkombëtar, thuhet në një koment të Grupit Mediatik të Kinës.
Asambleja Botërore e Shëndetësisë, foto arkiv 2023(Foto:VCG)
Në fjalimin e tij të marrjes së detyrës si lideri i rajonit të Tajvanit pak ditë më parë, Lai Ching-te paraqiti “teorinë" e re të "dy vendeve”, duke deklaruar se dy brigjet e ngushticës nuk i përkasin njëra-tjetrës, duke spekuluar hapur me të ashtuquajturin “Tajvani i botës” dhe duke u përpjekur për realizimin e “pavarësisë” së Tajvanit me ndihmën e forcave të jashtme. Në prag të hapjes së Asamblesë Botërore të Shëndetësisë, disa zyrtarë tajvanezë ndërmorën veprime të ndryshme për t’i bërë thirrje OBSh-së ta “pranonte” Tajvanin. Ndërkohë, sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken e inkurajoi fort OBSh-në ta ftonte Tajvanin të merrte pjesë si “vëzhgues”.
Në komentin e CMG-së thuhet që të gjitha këto përpjekje janë të kota, sepse janë kundër parimit të “Një Kine”, që është përcaktuar në rezolutën 2758 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së e në rezolutën 25.1 të Asamblesë Botërore të Shëndetësisë dhe është kusht paraprak për pjesëmarrjen e Tajvanit në aktivitetet e organizatave ndërkombëtare. “Refuzimi radhazi i propozimit prej Asamblesë Botërore të Shëndetësisë pasqyron vendosmërinë e bashkësisë ndërkombëtare në mbrojtjen e Kartës së OKB-së dhe normave bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare,” thuhet në koment.
Më tej komenti vijon duke vënë në dukje që autoritetet tajvaneze duhet të pyesin veten se përse, nga viti 2009 deri më 2016, rajoni i Tajvanit mund të merrte pjesë në Asamblenë Botërore të Shëndetësisë si vëzhgues. Arsyeja është sepse, pasi mori pushtetin, Partia Demokratike Progresive vazhdoi rrugën drejt “pavarësisë së Tajvanit”, duke mos njohur Konsensusin e vitit 1992, gjë që ka shkatërruar bazën politike të pjesëmarrjes së rajonit në OBSh.
Selia e OBSh-së, Gjenevë(Foto:VCG)
Megjithatë, autoritetet tajvaneze nuk hoqën dorë, duke u ankuar për të ashtuquajturin“boshllëk në parandalimin epidemik”për të fituar simpatinë ndërkombëtare. “Por kjo është krejtësisht një farsë politike. Qeveria qendrore kineze, mbi bazën e parimit të ‘një Kine’, ka marrë masat e duhura për pjesëmarrjen e rajonit të Tajvanit në çështjet globale të shëndetit. Në rajonin e Tajvanit ka pikë kontakti të Rregulloreve Ndërkombëtare të Shëndetit për të marrë menjëherë informacion mbi urgjencat e shëndetit publik dhe për t'ia raportuar ato menjëherë OBSh-së. Vitin e kaluar, 21 grupe me 24 veta nga Tajvani i Kinës morën pjesë në aktivitetet teknike të OBSh-së. Pra, i ashtuquajturi rrezik i ‘boshllëkut në parandalimin epidemik’është thjesht një pretekst për të kërkuar ‘pavarësinë’,” vihet në dukje në koment.
ShBA-ja e ka gjithmonë përdorur Tajvanin si gur shahu për të frenuar zhvillimin e Kinës. Sivjet, meqë në ShBA është vit zgjedhor, me siguri që Tajvani do të përdoret përsëri si një “kartë” nga disa politikanë amerikanë për të fituar vota nëpërmjet ndjekjes së “vijës së ashpër” ndaj Kinës.
Manipulimi politik i Uashingtonit dhe i autoriteteve tajvaneze u përball me një reagim të vendosur ndërkombëtar: shumica e vendeve anëtare të OBSh-së ritheksuan këmbënguljen në zbatimin e rezolutës 2758 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe të parimit të “Një Kine”. Mbi 100 vende kanë shprehur mbështetje në forma të ndryshme ndaj Kinës për të kundërshtuar pjesëmarrjen e Tajvanit në Asamblenë Botërore të Shëndetësisë, si dërgimi i letrave sekretarit të përgjithshëm të OBSh-së etj.
Z. Chen Xu, përfaqësuesi i Kinës në Asamblenë e OBSh-së, foto arkiv(Foto:VCG)
“Në botë ka vetëm një Kinë dhe Tajvani është pjesë e Kinës. Ky është një fakt i pandryshueshëm. Pavarësisht sa shumë përpiqen autoritetet e Partisë Demokratike Progresive dhe disa vende, fati i tyre është vetëm dështimi,” e mbyll komentin e vet CMG-ja. (Zhang Yan/Artan)