Videoklipi ‘Më Prano’ ( foto personale)
Eglantina Bajrami drejtuese e Klubit Kombëtar të Prindërve të Fëmijëve me Autizëm tregon se ideja për shfaqjen e mbajtur në Teatrin Kombëtar Art Turbina, lindi nga suksesi i aktiviteteve të mëparshme. Eventi përfshinte pjesën teatrore “I Pangopuri” dhe videoklipin “Më prano”, që është bërë himn i organizatave për persona me aftësi ndryshe në Shqipëri. Këto veprimtari shfaqin talentin dhe vlerat e fëmijëve me aftësi ndryshe, duke sfiduar paragjykimet shoqërore.
Eglantina Bajrami thekson se mesazhi kryesor i eventit ishte të reflektohej mbi talentet e të rinjve me aftësi ndryshe dhe të vlerësohej kontributi i tyre në shoqëri. Përmes teatrit dhe artit, fëmijët mësojnë dhe nxjerrin mësime të fuqishme. Ajo shpreson që të organizojë evente të ngjashme edhe në qytete të tjera të Shqipërisë, për të ofruar mundësi të reja për fëmijët me aftësi ndryshe dhe për të ndihmuar në integrimin e tyre në shoqëri. Art-terapia konsiderohet një formë e vlefshme terapie për këta fëmijë, duke i ndihmuar të ndihen të dobishëm dhe të vlefshëm.
Eglantina Bajrami thekson se fëmijët me aftësi ndryshe përfshihen plotësisht në role dhe japin maksimumin e tyre në çdo performancë. Ajo gjithashtu shpreh mirënjohjen për mbështetjen nga institucionet shtetërore dhe artistët që kontribuuan në suksesin e eventit.
Shfaqja ‘I Pangopuri’ ( foto personale)
CMG: Si lindi ideja për këtë event?
Eglantina Bajrami: Në aktivitetin e fundit në sallën e Teatrit Kombëtar, Art Turbina, sollëm eventin dhe kjo këngë tashmë është himn i të gjitha organizatave me persona me aftësi ndryshe në Shqipëri. Kjo këngë është një thirrje e sinqertë për këdo që vendos në një moment të paragjykojë një të ri apo të re që ka një çregullim. Në gjithë këto vite që ne kemi bërë koncerte dhe aktivitete, kemi kuptuar që këta fëmijë kanë talente të shumta në fusha të ndryshme të jetës, të cilat ata janë të munduar për t’i nxjerrë në pah.
Puna me këta fëmijë është emocion më vete sepse përherë ata përpiqen që të nxjerrin më të mirën, përpos kushteve në të cilat ndodhen. Për të treguar edhe njëherë se sa vlejnë këta fëmijë në teatër, ne sollëm shfaqjen teatrale ‘I pangopuri’, ku katër fëmijë ishin me aftësi ndryshe dhe tre të tjerë ishin tipikë pa probleme të shfaqura dhe kërkuan vullnetarisht të ishin të pranishëm në këtë event.
CMG: Cili ishte mesazhi që dëshironit të përcillnit?
Eglantina Bajrami: Mesazhi ishte shumë i qartë, ne dëshironim që të gjithë të kishin edhe njëherë mundësinë të reflektonin mbi talentin që këta të rinj kanë. Vetë shfaqja “I pangopuri” ishte me moral të lartë dhe tepër të fortë, që tregonte se si një personazh ishte plotësisht i pakënaqur nga jeta e tij pavarësisht çdo gjëje që bën apo arritje në jetë dhe karrierë.
Shfaqja ‘I Pangopuri’ ( foto personale)
Eglantina Bajrami: Unë vetë e kam si qëllim që ta arrij këtë gjë dhe jam duke punuar çdo ditë që të kem mundësi që të paktën disa nga bashkitë e Shqipërisë ta shohin të vendosur në skenë këtë aktivitet. Përmes këtij teatri apo edhe interpertimeve të tjera të gjithë fëmijët arrijnë të marrin më të mirën, të mësojnë dhe të nxjerrin mesazhe të fuqishme.
CMG: Çfarë ndikimi ka tek fëmijët më aftësi ndryshe të integrohet në këtë formë në shoqëri?
Eglantina Bajrami: Terapia e artit njihet nga të gjithë terapistët si terapia më vlefshme dhe më e fuqishme për të ndihmuar një fëmijë me aftësi ndryshe dhe në këtë konktest të gjitha organizimet, janë një suport shumë i rëndësishëm për këdo që ka një fëmijë me aftësi ndryshe. Përpos idesë që të nxjerr nga rutina, vetë fakti që fëmija dhe talenti i tij është në qendër të vëmëndjes mjafton që ai të ndihet i dobishëm dhe i vlefshëm. Ne duhet t’i ndihmojmë këta fëmijë duke ju krijuar më tepër mundësi që të nxjerrin nga vetja e tyre më të mirën dhe të jenë pjesë e shoqërisë sonë.
CMG: A futen tërësisht në rol fëmijët me aftësi ndryshe?
Eglantina Bajrami: Ata jo vetëm që bëhen pjesë e rolit, por janë edhe të gatshëm që të japin shumë më shumë, duke marrë në konsideratë që janë fëmijë me sinqeritet dhe të pastër në gjithçka që ata bëjnë.
CMG: A jeni ndjerë të mbështetur?
Eglantina Bajrami: Jemi ndjerë tej mase, qoftë nga insitucuinet shtetërore, qoftë nga artistët që ishin të pranishëm në këtë koncert, duke mbështetur të gjithë të rinjtë e talentuar dhe duke performuar vetë në skenë me ta.
Intervistoi:Megi Latifi
Shfaqja ‘I Pangopuri’ ( foto personale)