Foto nga VCG
Më 28 maj, treni X8157 u nis nga porti Khorgos i Xinjiang-ut të Kinës Perëndimore për në Malaszewicze të Polonisë. Deri tani, trenat Kinë-Europë kanë bërë mbi 90 mijë udhëtime, duke dërguar 8.7 milionë kontejnerë me mallra me një vlerë prej mbi 380 miliardë dollarësh amerikanë.
Qysh prej udhëtimit të parë të trenave Kinë-Europë e deri në 28 maj 2024, linjat hekurudhore Kinë-Europë kanë krijuar lidhje të qëndrueshme mes 25 vendeve europiane dhe 11 vendeve aziatike, duke mbuluar 223 qytete në Europë dhe mbi 100 qytete aziatike.
Për 90 mijë udhëtimet e bëra nga trenat Kinë-Europë, zëdhënësja e MPJ-së kineze Mao Ning shprehu urime në një konferencë për shtypin, duke thënë se ky është një projekt kryesor dhe një markë simbol në ndërtimin e përbashkët të “Një brez, një rrugë”.
“Trenat Kinë-Europë kanë krijuar me sukses lidhje mes 223 qyteteve europiane dhe 100 qyteteve aziatike. Gjatë 8 viteve të fundit, ata janë bërë vërtet një ‘kanal i artë’ tregtar në kontinentin e Azisë,” u shpreh Mao Ning.
Foto nga VCG
Sipas të dhënave nga Komisioni Kombëtar i Zhvillimit dhe Reformës i Kinës, qysh prej majit 2020, trenat Kinë-Europë për 48 muaj me radhë kanë ruajtur shifrën e mbi 1000 udhëtimeve në muaj, ndërsa vlera e mallrave të transportuara me këta trena është shtuar nga 8 miliardë dollarë në vitin 2016 në 56.7 miliardë dollarë vitin e kaluar. Llojet e mallrave të transportuara janë zgjeruar gradualisht nga pajisjet elektronike, si laptopët dhe printerat, në 50 mijë lloje që mbulojnë 53 kategori të ndryshme, si veshmbathje, automjete dhe pjesë këmbimi, sende të përdorimit të përditshëm, ushqime, orendi, makineri e pajisje dhe produkte kimike.
Qysh nga viti 2023, të ashtuquajturat “tre të rejat”, pra automjetet me energji të re, bateritë e litiumit dhe produktet fotovoltaike, po bëhen pikat e reja të rritjes në transportin e trenave Kinë-Europë. Për arsye të kërkesës të madhe, niveli i kontejnerëve të rëndë në këta trena është ruajtur në 100 %.
Falë trenave Kinë-Europë, është zgjeruar rrjeti logjistik hekurudhor. Brenda Kinës, janë krijuar gjashtë porte kryesore në tre linja kryesore, ku trenat mund të ecin me shpejtësi maksimale prej 120 kilometrash në orë. Ndërsa jashtë Kinës, mbi bazën e linjave kryesore ekzistuese, janë hapur kanale të reja të transportit nëpërmjet detit Kaspik dhe Detit të Zi, që lidhin qytetet kineze Yiwu e Urumqi me Stambollin në Turqi dhe Salernon në Itali, duke formuar një rrjet më të konsoliduar mes Azisë dhe Europës.
“Në muajin prill kemi nisur për herë të parë linjën e re për në Itali nëpërmjet detit Kapsik dhe Detit të Zi. Me këtë linjë, koha e udhëtimit është afro 35 ditë, duke u shkurtuar më shumë se gjysmën krahasuar me transportin detar,” u shpreh presidenti i kompanisë së zinxhirit të furnizimit “Tianshun” të Xinjiang-ut Ding Zhiping. Me këtë linjë të re, koha e udhëtimit është kursyer shumë dhe kjo ka ulur koston e ndërmarrjeve, kurse niveli i tregtisë është ngritur në mënyrë të dukshme, theksoi Ding.
Foto nga VCG
Në portin e Xian-it, numri i automjeteve me energji të re që transportohen me trenat Kinë-Europë është rritur shumë në këtë vit.
“Në çdo tren të posaçëm të tipit JSQ6, mund të vendosen 261 makina me energji të re. Më parë udhëtonin një ose dy trena të tillë çdo muaj, kurse këtë vit numri është rritur në 5-8 trena të tilla në muaj,” u shpreh përgjegjësi i departamentit të logjistikës së automjeteve pranë degës së Xian-it të kompanisë së transportit hekurudhor të mallrave të Kinës Cao Ping.
Përveç shtimit të mallrave, në 15 vendet përgjatë linjave hekurudhore Kinë-Europë janë krijuar edhe 101 pika të kthimit të kontejnerëve, gjë që krijon lehtësi të madhe për tregtinë mes vendeve përkatëse. Ndërkohë, për të garantuar udhëtim të mbarë, janë aplikuar teknologjitë e reja, si lokalizimi me anë të sistemit satelitor “Beidou” dhe rrjeti 5G. Krahas këtyre, është formuar edhe qendra e posaçme e shërbimit dhe uebsajti zyrtar i trenave Kinë-Europë, ku ndërmarrjet mund të marrin shërbime profesionale me “një ndalesë” 24 orë në shtatë ditë të javës.
Gjatë këtyre vjetëve, trenat Kinë-Europë kanë ofruar jo vetëm lehtësi për ndërmarrjet tregtare dhe vendet përgjatë linjave hekurudhore Kinë-Europë, por edhe kanë nxitur ndërtimin e shumë parqeve logjistike, tregtare dhe industriale, duke ofruar shumë vende pune për banorët vendorë.
P. sh., në Duisburg të Gjermanisë janë tërhequr qindra ndërmarrje logjistike për regjistrim në këtë port hekurudhor, çka ka krijuar mbi 20 mijë vende pune. Në Malaszewicze, vëllimi i biznesit është dyfishuar, çka ka nxitur jashtëzakonisht zhvillimin ekonomik në këtë port polak.
Foto nga VCG
Me udhëtim të mbarë, bizneset do të lulëzojnë. Trenat Kinë-Europë nuk transportojnë vetëm mallra, por edhe raste biznesit. Me këta trena është krijuar një “urë e hekurt” në kontinentin euraziatik.
“Kina është e gatshme të përpiqet bashkë me vendet përgjatë linjave hekurudhore Kinë-Europë të nxisë zhvillimin me cilësi të lartë të këtyre trenave, t’i sjellë më shumë qëndrueshmëri ekonomisë botërore dhe të ofrojë më shumë gjallëri për zhvillimin e përbashkët,” u shpreh zëdhënësja e MPJ-së kineze Mao Ning. (Jiang Lei)