70 përqind e hekurudhës Tiranë-Rinas-Durrës është ndërtuar!
2024-05-28 09:26:46

Hekurudha Tiranë-Durrës (Foto Shqiptarja.com)

Hekurudha Tiranë-Durrës (Foto Shqiptarja.com)

Në axhendën e konektivitetit(lidhjes së qytetarëve në distancë) të Shqipërisë, transporti hekurudhor ka interesimin dhe përqëndrimin e plotë të qeverisë së vendit, duke zënë vend kyç në planet strategjike të saj.

Hekurudhat janë mjeti ndër më të shpejtit në botë, pas transportit ajror. Ato përfaqësojnë njëkohësisht edhe mjetin më të lirë të zhvendosjes, së bashku me transportin detar. Por ndyshe nga ai detar, qytetari, përmes hekurudhës zhvendoset me herë më shpejt në kohë.

Më 21 dhjetor 2023, Komisioni Europian miratoi 120.5 milionë euro për projektet hekurudhore në Shqipëri, si pjesë e një paketë investimi prej 680 milionë eurosh, në hekurudhat dhe energjinë e rinovueshme në Ballkanin Perëndimor.

Projekti Tiranë-Rinas-Durrës është i pari për modernizimin e rrjetit tejet të amortizuar hekurudhor në Shqipëri. Në tetor 2020, u shpall kompania fituese e tenderit, të organizuar nga Komisioni Evropian, kompania italiane INC S.P.A .

Kompania po realizon shumë shpejt rehabilitimin e lidhjes hekurudhore 34.2 km midis Tiranës dhe Durrësit, për ta modernizuar atë dhe për ta shndërruar në linjë elektrike, si dhe ndërtimin e kilometrave të linjës së re hekurudhore midis Tiranës dhe Aeroportit të Rinasit.

Kosto totale e projektit është 92.1 milionë euro, nga të cilat 35.5 milionë euro janë dhuruar, grant nga Kuadri i Investimeve të Ballkanit Perëndimor, një strukturë me fonde nga Bashkimi Evropian, ndërsa 36.9 milionë euro janë kredi e butë e Bankës Evropiane për Rindërtim e Zhvillim(BERZH). Pjesa tjetër po financohet nga qeveria shqiptare.

Projekti 3D i hekurudhës (Foto Shqiptarja.com)

Projekti 3D i hekurudhës (Foto Shqiptarja.com)

Projekti i rehabilitimit të hekurudhës Tiranë-Durrës dhe ndërtimit të zgjatimit të ri në Rinas është pjesë e Axhendës së Konektivitetit të Procesit të Berlinit, e cila synon lidhjen mes rajonit e më gjerë me Europën Perëndimore.

Trenat e vjetër do të zëvendësohen nga trena me shpejtësi të lartë  rreth 100 km/orë. Qytetari do të shkojë nga Tirana në Durrës në vetëm 22 minuta.

Me pjesën e projektit në Rinas, hekurudha shfryn një pjesë të madhe të trafikut të sotëm të rënduar për në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit, pasi me qindra mijëra qytetarë të Tiranës dhe Durrësit, që nga marsi 2025, do të zgjedhin të udhëtojnë për në Rinas dhe nga Rinasi, përmes hekurudhës. Deri tani zgjedhja e detyruar ka qenë transporti rrugor me makinat e tyre dhe me autobuzë të linjës apo furgonë. Qytetarët do të udhëtojnë më shpejt dhe më lirë, duke i kursyer në vit xhepit të tyre dhe ekonomisë së vendit, sipas disa ekspertëve të ekonomisë, mbi 60 milionë euro. Hekurudha Tiranë-Durrës pritet të përfundojë brenda marsit të vitit të ardhshëm. Aktualisht janë mbyllur 70% e punimeve fizike për ndërtimin e hekurudhës si dhe kanë përfunduar 90% e veprave të artit.

Koha e udhëtimit nga Tirana deri në Durrës do të jetë 22 minuta, ndërkohë që qytetarët sot, përmes transportit rrugor me makinat e tyre ose me autobuzë apo furgonë, e kryejnë në mesatarisht 40 minuta.

Gjatë inspektimit të punimeve të hekurudhës, ZvKryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku theksoi se “Hekurudha Tiranë-Rinas-Durrës është një nga projektet më të rëndësishëm të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, një projekt i nisur prej kohësh, me një vonesë të konsiderueshme, përsa i përket pjesës së aprovimit të financimit.

Megjithatë, të gjitha këto janë kapërcyer dhe sot kemi një kantier me ecuri të kënaqshme. Kemi 70 përqind tëe volumit të punëve të kryera, ndërkohë që 90 përqind e volumit të veprave të artit ka përfunduar.

Çfarë është më e rëndësishme, hekurudha përfaqëson një nga mjetet e transportit alternativ, një nga mjetet e transportit miqësor me ambientin, por edhe me financat e qytetarit. Ajo është një nga mjetet e transportit që vetë Bashkimit Europian incentivon dhe shtyn përpara, për objektivat e tij të konektivitetit.

Shqipëria prej kohësh ka nisur një strategji në zhvillimin e rrjetit hekurudhor. Ky është projekti i parë që ne tashmë mezi presim që ta dorëzojmë.

Transporti hekurudhor ka fokusin e plotë të qeverisë, ka përparësi, përsa i përket planeve tona strategjike dhe padyshim, hekurudha Tiranë-Durrës do të shënojë projektin e parë, i cili do të jetë edhe dallëndyshja e parë për rikthimin e këtij mjeti transporti tek ne”.

I gjithë projekti është i ndarë në 4 seksione. Ai fillon nga Durrësi deri në Shkozet. Nga Shkozeti linja hekurudhore vijon deri në Vorë. Pastaj eshte seksioni Vorë-Tiranë dhe pjesa e katërt e re, nga Kashari në Rinas, duke lidhur aeroportin me Tiranën dhe Durrësin.

Pjesë e projektit hekurudhor Tiranë-Rinas-Durres janë 9 ura, tetë prej të cilave tashmë kanë përfunduar.

Nga stacioni i Tiranës deri në aeroportin “Nënë Tereza”, qytetaret do ta bejne udhetimin në 12 minuta, me 3 stacione.

Projekti hekurudhor Tiranë-Rinas-Durrës (Foto Abcnews)

Projekti hekurudhor Tiranë-Rinas-Durrës (Foto Abcnews)

Projektet hekurudhore të qeverisë shqiptare nuk ndalen vetëm me hekurudhën Tiranë-Rinas-Durrës. Qeveria, si dhe Kuadri i Investimeve të Ballkanit Perëndimor, do të financojnë së bashku edhe hekurudhën Durrës-Rrogozhinë. Financimi do të përdoret për rindërtimin e linjës 33.5 km ndërmjet Durrësit dhe Rrogozhinës, kësaj rradhe me tren elektrik.

Hekurudha Durres-Rrogozhine është pjesë e linjës hekurudhore Durrës-Pogradec, e cila parashikohet të lidhë me linjë hekurudhore Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut në fshatin Lin. Ajo është po ashtu edhe pjesë e Korridorit të VIII-të Pan-Evropian, i cili lidh Italinë Jugore me Detin e Zi.

Në këtë projekt të dytë, fondi i dhuruar nga Bashkimi Evropian është 62.5 milionë euro. Hekurudha do të përfundojë në vitin 2028.

Ndërkohë, Hekurudha Shqiptare ka përzgjedhur një konsorcium të kompanisë austriake ILF Consulting Engineers Austria dhe Abkons, për të kryer një studim leverdisshmërie, për ndërtimin e një linje hekurudhore me Kosovën. Studimi do të kushtojë 1.8 milionë euro. Ai do të shqyrtojë dy variante për pjesën e Shqipërisë, degëzimin nga linja ekzistuese Durrës-Shkodër dhe kalimi i kufirit me Kosovën, pranë Morinës.

Do të kemi në pak vite rilindje të mirëfilltë të sistemit tonë hekurudhor, tashmë tërësisht me flotë trenash modernë dhe të elektrifikuar.