Shkodra - foto Fb
Theth, Shkoder - foto Administrata e Zonave te Mbrojtura Shkoder
Të paktën 4.5 milionë turistë vendas dhe të huaj kanë vizituar zonat e mbrojtura në vitin që lamë pas. Ecuria e mirë e turizmit në vend, pasqyrohet edhe në shifrat e turzimit të zonave të mbrojtura, të cilat vazhdojnë të mbajnë një peshë të rëndësishme në raport me llojet e ndryshme të turizmit.
Por cilat janë zonat e mbrojtura në vend që kanë pasur më shumë vizitorë vitin e shkuar? Këtë vit është Shkodra ajo që qëndron në krye për nga numri i vizitorëve ndërkohë qe pas saj vijnë Fieri dhe Vlora. Sipas të dhënave vihet re një rënie e dukshme e rajonit të Korçës që në vitin 2022 mbante kryesimin. Në shkallë vendi, Parku kombëtar më i vizituar është Divjaka, Karavastaja, Alpet e Shqipërisë dhe Mali i Tomorrit.
Janë 425,000 vizitorë që kanë vizituar Monumentet e Natyrës gjatë vitit 2023. Ndërkohë që Ujrat Termale të Bënjës, Shpella Shënandoit dhe Sarisalltiku janë Monumentet e Natyrës më të vizituara per vitin 2023. Liqeni i Shkodrës, Syri i Kaltër dhe Qafështama kanë qënë Rezervatet Natyrore më të vizituara gjatë vitit 2023.
Maja e Zorgjit Parku Kombetar i Alpeve Shkoder - foto
Lugina e Kirit - foto Administrata e Zonave te mbrojtura
Kryeson Shkodra
Shkodra, e cila qëndron në krye të radhitjes për numrin më të madh të turizmit të zonave të mbrojtura, synon që turizmi në Shkodër të jetë gjithëvjetor dhe jo sezonal. Jo më kot është hequr data e fillimit dhe e mbarimit të sezonit dhe po shfrytëzon të gjitha resurset e mundshme. Dy aktivitete të mëdha që u zhvilluan në Shkodër, si “Qyteza e festave” (festimet para Bashkisë në festat e fundvitit ) si dhe “Karnavalet” në muajin shkurt, që u shoqëruan me një rritje të madhe të numrit të turistëve në qytet, treguan për potenciain e madh turistik që ka qyteti, i cili përveç vlerave historike, artitektonike dhe artistike, ka edhe një natyrë fantastike, ku mjaft zona të saj janë të mbrojtura nga shteti. Janë pikërisht këto zona që mbajnë lart interesin e turistëve të cilët shkojnë në Shkodër pa sezon dhe aty gjejnë turizmin e natyrës të kombinuar me lloje të tjera të turizmit, duke bërë që qyteti të jetë në krye të klasifikimit për numrin në rritje të turistëve nga vendi dhe bota.
Shkodra është një prej rajoneve me sipërfaqen më të madhe të zonave të mbrojtura që nisin që nga Alpet në Theth për të përfunduar në liqenin e Shkodrës apo plazhin e Velipojës. Zona e mbrojtur në territorin e Bashkisë Shkodër arrin në mbi 20 mijë hektarë, ku vetëm rezervati i Velipojës është 640 hektarë, ndërkohë zonat e mbrojtura të qarkut të Shkodrës, të ftojnë përtej, në hapësira gjeografike fantastike, të adhurueshme nga turistë vendas dhe të huaj.
Mbrojtja e diversitetit, është një nga arsyet e rritjes së numrit të tyristëve, pasi ata shpesh shkojnë në Shkodër për florën dhe faunën tonë, e cila po synohet të ruhet në maksimum. Pjesë e angazhimit për të rritur numrin e tursitëve që preferojnë zonat natyrore të mbrojtuar nga shteti, është edhe menaxhimi turistik më i mirë i liqenit të Shkodrës.
Pas një shkëputjeje të gjatë, këtij liqeni i janë rikthyer anijet turistike, duke tërhequr menjëherë qytetarë e vizitorë të shumtë. Turistët e shumtë që vizitojnë qytetin, tashmë mund të shijojnë një peizazh mbresëlënës nga liqeni më i madh i Ballkanit.
Pelikani kacurel ne liqenin e Shkodres - foto Administrata e Zonave te Mbrojtura
Qeveria dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit kanë mundësuar dy anijet e para turistike, Buna dhe Drini, me kapacitet prej 33 vendesh secila, që do të shërbejnë për lundrimin në liqen. Gjithashtu paralelisht po punohet me krijimin e 3 moleve përgjatë liqenit dhe lumit Buna.
Gjithashtu Parku Kombëtar i Thethit, është bërë më i aksesueshëm për turistët në sajë të përmirësimit dhe shtimit të mundësive akomoduese. Nga ana tjetër, së sajë të vënies në përdorim të një Zip Line, një mundësi e re për të eksploruar nga ajri atraksionet e këtij parku, turistët kanë mundësi për të kaluar mbi kodrat, lumin e Thethit dhe luginën e Alpeve të Shqipërisë, duke shijuar pamjet e mrekullueshme dhe adrenalinën përmes një Zip Line të teknologjisë së fundit.
Në hartën e turizmit shqiptar, Shkodra konsiderohet si kryeqendra, nga ku mund të nisë udhëtimi për të vizituar veriperëndimin e Shqipërisë, por edhe si porta hyrëse drejt Alpeve dhe hyrjes për në Europë.
Neritana Kraja