Li Qiang nxit Kinën dhe Korenë e Jugut të shfrytëzojnë më shumë mundësitë e zhvillimit
2024-05-27 11:16:07

Xinhua

Xinhua

Kryeministri kinez Li Qiang e nxiti të dielën Koresë së Jugut të punojë me Kinën për të shfrytëzuar prirjen e përgjithshme të miqësisë e besimit të ndërsjellë mes dy vendeve dhe për të respektuar interesat thelbësore e shqetësimet kryesore të njëri-tjetrit. 

Në një takim me presidentin koreanojugor Yoon Suk-yeol në Seul, Li shprehu gjithashtu shpresën që Kina dhe Koreja e Jugut do të jenë vende fqinje mike të njëra-tjetrës me besim të ndërsjellë, si edhe partnere me përfitime të përbashkëta, dhe do të nxisin një zhvillim të fortë, të qëndrueshëm e thelbësor të marrëdhënieve dypalëshe. 

Zinxhirët e industrisë dhe të furnizimit të Kinës dhe të Koresë së Jugut janë thellësisht të ndërlidhur e të dy palët duhet të shfrytëzojnë më shumë mundësitë e zhvillimit së bashku, tha kreu i qeverisë kineze. 

Li vuri në dukje që Kina është e gatshme të thellojë bashkëpunimin me Korenë e Jugut në fusha të tilla si prodhimi i nivelit të lartë, energjia e re, inteligjenca artificiale dhe biomjekësia. Kina do të zgjerojë më tej hapjen e tregut e do të forcojë garancitë për investimet e huaja, shtoi ai, duke mirëpritur kompanitë koreanojugore të investojnë në Kinë. 

Të dy palët duhet të kundërshtojnë shndërrimin e çështjeve ekonomike e tregtare në çështje politike apo të sigurisë dhe të ruajnë qëndrueshmërinë dhe funksionimin e lirshëm të zinxhirëve industrialë e të furnizimit të të dy vendeve dhe botës, theksoi kryeministri. 

Li tha gjithashtu se Kina është e gatshme të forcojë bashkërendimin me Korenë e Jugut në fushat shumëpalëshe dhe të nxisë së bashku paqen e zhvillimin botëror. 

Presidenti i Koresë së Jugut Yoon Suk-yeol vuri në dukje që vendi i tij respekton parimin e "një Kine" dhe kjo qëndrim mbetet i pandryshuar. 

Sipas tij, pala koreanojugore është e gatshme të zgjerojë bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar e të forcojë shkëmbimet njerëzore me palën kineze, të thellojë bashkëpunimin trepalësh midis Koresë së Jugut, Kinës e Japonisë dhe të nxisë zhvillimin e mëtejshëm të lidhjeve ndërmjet Koresë së Jugut e Kinës. 

Të dy palët ranë në një mendje të përshpejtojnë fazën e dytë të negociatave të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë ndërmjet të dy vendeve. 

Ato pranuan gjithashtu të nisin një dialog diplomatik të nivelit të lartë dhe një dialog sigurie në një kohë të përshtatshme, të nxisin shkëmbimet njerëzore e rinore, si edhe të lehtësojnë më tej shkëmbimet ndërmjet popujve të të dy vendeve. 

Li arriti në Seul të dielën për të marrë pjesë në samitin e nëntë trepalësh ndërmjet Kinës, Japonisë e Koresë së Jugut.