Faik Skopeci (Foto personale)
Faik Skopeci ka një karrierë ushtarake 22 vjeçare, duke kryer detyra të ndryshme në strukturat e Forcave të Armatosura. Gjithashtu ai ka dhënë kontribut për promovimin e imazhit të strukturave të Forcave të Armatosura ku ka shërbyer. Faiku prej dy vitesh jeton në Itali bashkë me familjen e tij. Një nga pasionet e hershme të tij është dhe piktura dhe ekspozitën e parë personale e hapi në shtator të vitit 2000 në qytetin e Laçit. Faiku ka marrë pjesë në një ekspozitë në Izmir të Turqisë si dhe në disa ekspozita kolektive. Ai po për një ekspozitë personale në qytetin e Librazhdit. Në një intervistë për Radio Ejani ai flet për karrierën ushtarake, pasionin për pikturën dhe ekspozitat ku ka marrë pjesë.
Piktori Faik Skopeci (Foto personale)
CMG: Sa vite ke që jeton në Itali dhe si ka qenë integrimi në shtetin fqinj?
Faik Skopeci: Unë kam dy vjet e gjysmë që ndodhem në Itali me bashkëshorten. Normalisht që nuk kam ardhur me vështirësitë e shqiptarëve në fillim të viteve 90-të, apo pas ngjarjeve të vitit 1997. Kemi pasur njerëzit tanë këtu, të cilët na kanë mbështetur për t’u integruar me punë dhe me banesë. Integrimi nuk ka qenë shumë i vështirë sepse e njoh gjuhën, por për të gjetur një punë të përshtatshme kërkon pak kohë. Unë për momentin jam i rregulluar në punë në një agjensi të rëndësishme, siç është Amazon këtu në Novara. Krahas punës së përditshme merrem dhe me pikturën.
CMG: Flasim për karrierën tuaj ushtarake në Shqipëri dhe kujtimet nga ajo periudhë
Faik Skopeci: Unë në vitin 1991 jam diplomuar oficer në Shkollën e lartë të bashkuar në Tiranë. Kam filluar karrierën ushtarake në një periudhë të vështirë, kur ishte ndërrimi i sistemit dhe të gjithë po iknin jashtë. Ndërsa mua mu desh që të vishja uniformën e oficerit dhe të filloja karrierën time në Burrel, ku kam qëndruar deri në vitin 1996. Pastaj jam transferuar në qytetin e Laçit dhe më vonë në Tiranë, derisa kam mbyllur karrierën ushtarake.
Faik Skopeci gjate punes si ushtarak (Foto personale)
Faik Skopeci: Shkolla ushtarake ishte tepër e vështirë, që nga disiplina dhe kërkesat për mësimin. Unë u emërova në qytetin e Burrelit bashkë me një shokun tim të klasës Dorian Çela, i cili aktualisht jeton në Pogradec. Ka qenë një periudhë shumë e vështirë. Dy gjëra i kam patur si parim në karrierën ushtarake, të jem i ndershëm në punën që bëja dhe të isha i përkushtuar për ta bërë sa më korrekt detyrën. Kjo nuk do të thotë se nuk kemi gabuar sepse nuk ka njerëz të përkryer, por këto dy parime nuk i kam shkelur asnjëherë.
Faik Skopeci gjate nje takimi (Foto personale)
CMG: Kur lindi pasioni për pikturën?
Faik Skopeci: Pasioni për pikturën është i hershëm, ku si çdo fëmijë dhe unë kisha dëshirë të pikturoja. Kryesisht në klasën e tetë dhe të nëntë fillova të bëja vizatime, dhe shokëve të klasës ja bëja unë vizatimet. Mbaja një bllok të vogël ku skicoja ndonjë vizatim të thjeshtë me lapsat e shkollës. Unë mbarova shkollën e mesme për agronomi, dhe më vonë vazhdova studimet në shkollën e lartë. Gjeta mundësinë për të vizituar Galerinë Kombëtare të Arteve, ku shikoja pikturat e Vangjush Mios, që dikur i kisha parë nga revistat. Gjithmonë në jetën time kam menduar për pikturën, pavarësisht se u desh një periudhë e vonë në moshën 30 vjeçare. Në vitin 1997 kam blerë bojërat e para, fillova të realizoja peisazhet e para në natyrë në zonën e Laçit. Bashkëshortja më ka mbështetur, duke më thënë se duhet të vazhdoja me pikturën.
Pikture nga piktori Faik Skopeci (Foto personale)
CMG: Pse të pëlqen më tepër të pikturosh peisazhe?
Faik Skopeci: Ndoshta vendi ku jam rritur në zonën e Përrenjasit, fshatin Rrashtën dhe pikturën e kam parë gjithmonë lidhur me natyrën. Mbase është dhe ndikimi që unë shikoja në pikturat e Vangjush Mios, që më dukeshin të thjeshta në atë kohë. Unë pikturën e shikoj me peisazhin dhe në udhëtimet e mia nëpër Shqipëri gjatë viteve të karrierës sime ushtarake, gjithmonë imazhin e peisazhit e lidhja me pikturën. Gjithashtu në pikturë trajtoj dhe gjëra të tjera, por në peisazh ndjehem më i fortë.
Pikture nga Faik Skopeci (Foto personale).jpg
CMG: Kur e ke hapur ekspozitën tënde të pare dhe si është pritur nga artdashësit?
Faik Skopeci: Në vitin 2000, unë kisha vetëm tre vite që pikturoja dhe ishte piktori Sokol Rexhaj bashkë me studiuesin në Kurbin Nikoll Lleshi, të cilët më shtynë që t’i ekspozoja pikturat e mia. Ata më mbështetën për të hapur një ekspozitë në një ambjent në Kurbin, ku pas një muaji këtë ekspozitë e organizova edhe në qendrën kulturore të forcave të armatosura me inkurajimin e miqve të mi ushtarakë. Kjo ekspozitë u prit mirë, më kujtohet që piktori i njohur në Laç Ndue Pepa bënte vlerësimin ndaj pikturave të mia. Të gjitha këto kanë qenë mësime pozitive nga një artist, që për mua kanë qenë një shtysë pozitive.
CMG: Sa ekspozita pikture keni hapur?
Faik Skopeci: Kam hapur dy ekspozita personale, ekspozitën e dytë e kam hapur në Izmir në vitin 2001 kur isha me studime në shkollën e xhenjos. Gjatë asaj peridudhe unë bëra 15 punime. Më vonë kam marrë pjesë në ekspozitë kolektive në vitin 2012 në Tiranë, organizuar nga Ministria e Mbrojtjes me pjesëmarrjen e uhtarakëve me talent pikturën. Para pak kohësh isha në Breshia, ku mora pjesë në një eskpozitë kolektive me pjesëmarrjen e piktorëve shqiptarë që jetojnë në Itali. Kjo ekspozitë ishte organizuar nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Itali. Ndërkohë që nga data 18 deri 26 maj mora pjesë në Novara me një vepër në një ekspozitë të titulluar “Kutia e ëndrrave”.
Faik Skopeci ne momente pune (Foto personale)
CMG: Një kontribut të çmuar ke dhënë dhe në fushën e botimeve ushtarake. Flasim për këtë përvojë tuajën.
Faik Skopeci: Karrierën time ushtarake do e ndaj në dy periudha, ku periudha 11 vjeçare ishte ajo që unë kryeja detyra direkt me stërvitjen e trupave ushtarake, dhe më pas kam kryer detyra që lidheshin me funksionin e bashkëpunimit civil ushtarak dhe marrëdhëniet me median. Ky kontribut në fushën e botimeve ushtarake është i lidhur me këtë lloj funksioni. Kam përgatitur dokumentarë të shkurtër mbi aktivitetin e brigadës së xhenjos, një strukturë e forcave të armatosura që jepte një kontribut për mbështetjen e popullatës civile, për ndërtim rrugësh, infrastrukturë rrugore në tërësi dhe ndërtim urash. Pra ishim pranë komunitetit, dhe në çdo fund viti ne e kishim bërë si traditë që bënim një përmbledhje të kësaj strukture. Në vitin 2006 artikujt që kisha botuar në shtypin ushtarak të kohës i përmblodha të gjithë artikujt dhe shënimet e mbajtura në ato aktivitete, dhe i botova në librin “Dimensioni njerëzor i xhenjerëve”. Ky është një dokument që i ka mbetur kësaj strukture. Pastaj kam konceptuar fletëpalosje dhe broshura në strukturat ku kam shërbyer, si dhe ekspozitë fotografike në vitin 2004 në Muzeun Kombëtar, që ishte pak e rrallë në atë periudhë.
Faik Skopeci gjate punes si ushtarak (Foto personale)
CMG: Mban kontakte me miqtë dhe ish kolegët tani që jeton larg Shqipërisë?
Faik Skopeci: Bota virtuale na e ka dhënë mundësinë që të rivendosim kontakte me miqtë që i kemi humbur kontaktet prej kohësh. Gjithashtu mbaj kontaktet me miqtë në Shqipëri, dhe pse këtu ku jetoj kam krijuar një rreth miqsh që merren me poezinë, pikturën apo muzikën, por dhe me miqtë e vjetër i ruaj kontaktet dhe më mungojnë shumë.
CMG: Keni në plan të organizoni ndonjë ekspozitë tjetër në Shqipëri?
Faik Skopeci: Kam marrë një ftesë nga mikesha ime Bardha Alimeta, që është drejtore në pallatin e kulturës “Sadi Halili” në Librazhd. Kështu që sapo të më jepet mundësia do të vij për të hapur këtë ekspozitë në qytetin e Librazhdit.
Intervistoi: Gazmend Agaj