Fushata për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme, eksperti shpjegon përfitimet
2024-05-27 14:48:24

Shitblerja e pronave (Foto Scan tv)

Shitblerja e pronave (Foto Scan tv)

Kuvendi i Shqipërisë ka marrë për shqyrtim një propozim të deputetes socialiste, Blerina Gjylameti për të lejuar rivlerësimin për efekt fiskal të pronave të patundshme deri në qershor të vitit 2025. Propozimi i publikuar në faqen e Kuvendit të Shqipërisë thotë se të interesuarit do të mund të rivlerësojnë çmimin kontabël të pronës individuale apo të biznesit përkundrejt pagesës paraprake të 3% të diferencës. Kujtojmë që kjo është hera e pestë që qeveritë ndërmarrin një nismë të tillë.

Eksperti i pasurive të paluajtshme Ervin Demirxhiu thotë për Radio Ejani se kjo nismë është pozitive.

“Realisht nisma e deputetes Gjylameti është për t’u vlerësuar sepse një nismë e tillë për rivlerësimin e pronave është në të mirë të qytetarëve. Sigurisht që nuk bëhet vetëm për të mirën e qytetarëve, por edhe të mirën e buxhetit të shtetit, pasi ne e kemi vënë re, çdo vit zgjedhor kryesisht janë bërë rivlerësime. Rivlerësimet mbushin arkat e shtetit, sepse njerëzit të gjithë dynden duke bërë rivlerësimin e pronave të tyre, që i kanë blerë prej vitesh për t’i kthyer në një çmim tregu. Kjo sjell të ardhura në buxhetin e shtetit, por dhe për qytetarët që posedojnë një pronë.”- thotë Demirxhiu.

Eksperti shpjegon me detaje përfitimet që vijnë nga kjo nismë.

“Nëse një qytetar ka një pronë të blerë në vitin 2010 me vlerë 70 mijë euro, me siguri sot ajo pronë ka dyfishin e vlerës apo dhe më tepër, ndoshta një vlerë prej 170 mijë eurosh Kjo do të thotë që shteti këtë diferencë prej 100 mijë eurosh, nga 170  që  është vlera sot në 70 që ka patur vlerë para 14 vitesh, për shtetin kjo diferencë quhet fitim. Për këtë pjesë shteti të taton normalisht në shitjen 15% dhe sot me procesin e vlerësimit ajo të jep mundësinë ta rivlerësosh në mënyrë vullnetare pa e shitur, para se ta shesësh para se të kryesh një transaksion në këtë pronë. Me një ekspert vlerësues të çosh vlerën e pronës 170 mijë euro sa është vlera reale dhe për këtë diferencë duhet të paguash vetëm 3% nga 15 sa është normalja kur të bëhet transaksion.  Ky realisht është fitim i madh për secilin qytetar që posedon një pronë.”- shprehet Demirxhiu

Eksperti Ervin-Demirxhiu (Foto Gazeta shqiptare)

Eksperti Ervin-Demirxhiu (Foto Gazeta shqiptare)

Eksperti  tha se janë prona të blera ndër vite dhe çmimet në Shqipëri kanë pësuar ndryshim të ndjeshëm.

“Këto fushata të rivlerësimit kryesisht bëhen në vite zgjedhore dhe siç e dimë buxheti i shtetit ka kosto për realizimin e tyre. Kjo është arsyeja që bëhet kryesisht para viteve zgjedhore, ndoshta dhe për përfitim electoral, por kryesisht është për mbushjen e buxhetit.”

Projektligji i propozuar nga deputetja Gjylameti parashikon në mënyrë specifike mundësinë e rivlerësimit të pronave nën pronësinë e kompanive. 

“Risi shikoj realisht pjesën kur një qytetar që mund të rivlerësojë dhe një pronë që ka me një kontratë porosie, ndryshe nga vite më parë që nuk e bëje dot. Kësaj here në këtë fushatë ti mund të bësh dhe rivlerësimin e kontratave të porosisë, që do të thotë nëse ke porositur një apartament, një pronë, dhe ajo pronë akoma nuk është certifikuar sepse është pallati në ndërtim, ti ke mundësi t’i bësh rivlerësim. Besoj se këtu kanë patur parasysh dhe shumë e shumë prona të tjera që janë me kontrata pasurie që kanë një ngërç në certifikim, duke qenë se mund të jenë kompani që mund të kenë falimentuar etj etj. Por vlerat e tyre fillestare janë tepër qesharake, tepër të vogla dhe në momentin e shitjes atyre do të duhet të paguajnë shumë para, dhe kësaj teze sigurisht që i vjen shumë në ndihmë në këtë rast rivlerësimi i pronave.”

Qytetarët përfitojnë vlerë më të lartë prone dhe më shumë të ardhura në rast shitje.

“Nëse marrim një apartament në zonën e Komunës së Parisit, që në vitin 2014 mund të ketë kushtuar rreth 50 mijë euro, sot është e sigurt që ai apartament kushton rreth 150 mijë euro dhe për efekt llogarie marrim vlerën 150 mijë euro. Kjo pronë nëse do të shitej sot pa procesin e rivlerësimit 150 mijë euro i bie të kishte diferencë prej 100 mijë euro dhe kjo diferencë prej 15% që do të thotë që 15 mijë euro që shteti i merr këtij pronari për pronën që shet. Në rastin konkret nëse kjo pronë që do të shitet sot 150 mijë euro e blerë para 10 viteve, 50 mijë euro, sot me rivlerësimin vullnetar që personi mund ti bëjë kësaj prone nga 15 mijë euro duhet të paguajë 3 mijë euro. Themi që është goxha fitim apo goxha e mirë për këta individë apo familje, 12 mijë euro më pak duke i kursyer një familje. Ky mund të ishte një shembull konkret sesi mund të bëhej rivlerësimi i një prone.”

 

Për rivlerësimin e pronave të paluajtshme propozohet që tatimi të jetë 3%, nga 15% që paguhet aktualisht nëse shet pronën. Tatimi paguhet për diferencën e vlerës mes asaj të regjistruar në kadastër dhe asaj me të cilën shitet. 

“Mundësitë e rivlerësimit janë dy: ta bësh me çmim reference me çmime të përcaktuara nga shteti apo dhe me çmim tregu që është me një ekspert vlerësues që mund të ishte  Ervin Demirxhiu apo çdo person i licencuar në Republikën e Shqipërisë për vlerësimin e pasurisë së paluajtshme. Kostot janë, sigurisht është ai 3% sa do të dalë diferenca për secilën pronë, është kostoja e raportit të vlerësimit që mund të jetë vazhdon nga 20 mijë lekë të reja deri në shuma në varësi të punës, por mbi 20 mijë lekë të reja kryesisht. Mund të jetë tjetër edhe kosto aplikimi, por jo gjithë qytetarët kanë mundësi të aplikojnë vetë veçse mundësinë e kanë ta bëjnë aplikimin nëpërmjet e Albania. Unë do të sugjeroja zyrat noteriale pasi kanë një korrespondence të vazhduar me zyrat hipotekore dhe sigurisht që shërbimi do jetë më cilësor tek ata se sa duke e aplikuar vetë domethënë nëpërmjet e Albania, ndërkohë që mund të dalin shumë problematika dhe mund të ngeci aty dhe mund të mos e mbarosh kurrë atë proces.”- tha eksperti.

Nëse ky projektligj do të miratohet, do të jetë i pesti proces në 13 vite dhe anët pozitive janë të shumta.

“Kjo fushatë rivlerësimit do të ketë shumë të mira,  si dhe fushatat e tjera. Të mirat kryesore janë për pronat që kanë një vlerë relativisht të madhe që janë pronat e luksit, prona që kanë vlera shumë të larta, që mund të ketë vite pa bërë transaksione me ato, por me kalimin e viteve mund të jenë investuar. Eshtë rritur vlera dhe nga thjesht fakti që ndodhen në pozicione të mira, nga tregu i vet dhe këto prona mbajnë shumë tatim për të paguar dhe ai 15% realisht është shumë i rëndë për ta dhe i bën të pashitshme apo i step apo i ka tërhequr shitësit për ta bërë një veprim të tillë, pasi duhet të paguajnë shumë para në lidhje me taksat. Ky rivlerësim me 3% do t’i fusë këta prona në treg të bëhen të shitshme dhe në këtë mënyrë do ndihmojë qytetarët që t’i shesin këto prona”

Rivleresimi i pronave (Foto Albanian construction portal)

Rivleresimi i pronave (Foto Albanian construction portal)

Subjekt i këtij ligji është edhe rivlerësimi i pasurive të paluajtshme të individëve, të cilët janë në proces legalizimi dhe regjistrimi të pasurisë

”Gjithashtu do jetë edhe një gjë e mirë për pronat, që nuk kanë shumë vlerë realisht nga ana fizike, por fakti që janë në qendër të Tiranës, në zonë të mirë të Tiranës, pavarësisht se nuk kanë vlerë, por tatohen shumë nuk merren parasysh amortizimet edhe pse ekspertët vlerësues kanë bërë raporte për amortizim dhe nuk janë marrë parasysh nga hipoteka.  Për këtë arsye transaksionet nuk janë kryer nga qytetarët sepse kanë patur një barrë të lartë për kryerjen e transaksionit dhe është menduar që të rrijë e pashitur prona se të shitet dhe pjesën më të madhe ta marrë shteti, sepse këto prona janë shitur apo shiten nën vlerën e references dhe tatohen mbi referencën. “

Gjithashtu ky ligj është i mirë edhe për njësitë.

“ Njësitë ne e dimë që kanë të njëjtën vlerë reference si ajo që është buzë rrugës apo nga mbrapa pallatit. Numrin e referencës e kanë të njëjtë, ndërkohë vlerën reale nuk e kanë të njëjtë kurrsesi ato prona. Ajo pronë që është buzë rrugës  sigurisht që ka një vlerë shumëfish më të lartë sa referenca, ndërsa prona që është nga mbrapa, jo atraktive ajo nuk e ka kurrsesi as vlerën e referencës gjithmonë këto prona janë të tatuara shumë dhe të mbingarkuara me tatim. Në rastin konkret me rivlerësimin ato do t’i çojnë këto prona në vlerën minimale fiskale, vlerën e shtetit dhe sigurisht që mund të shiten dhe poshtë asaj vlerë por të paktën nuk do paguajnë shumë apo ngarkohen shumë me tatim. “-u shpreh eksperti.

Procesi i fundit i rivlerësimit të pasurive nisi në vitin 2020 dhe mbaroi në gusht të 2022, nga i cili përfituan 110 mijë familje në të gjithë vendin dhe u rivlerësuan 168.200 pasuri.