Baritoni Artur Vera, suksesi në skenat brenda dhe jashtë vendit
2024-05-26 10:27:16

Artur Vera duke interpretuar Skenderbeu kryezot (Foto nga facebook)

Artisti Artur Vera ka lindur në qytetin e Beratit, ku ka nisur pasioni i tij për muzikën, si dhe rrugëtimi artistik. Prej 4 vitesh baritoni Artur Vera është  solist i tretë në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit.  Ai është diplomuar  në “Universitetin e Arteve” në Tiranë dega kanto në klasën e profesores Shqipe Zani, por paralelisht ka studiuar edhe muzikë bizantine. Edhe pse është i ri në moshë, 26 vjeçari ka interpretuar mbi 20 role në skenë. Karrierën e nisi me rolin “Fiorello” në operën “Berberi i Seviljes”, për të vijuar me shumë të tjera. Ai është vlerësuar me mjaft çmime të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare, si “Festivali Jorgjie Truja”, “Albanian Exellence”, “Voci Di Mascagni”, etj. Ka përfaqësuar TKOB-in edhe jashtë kufijve shqiptarë, duke u shpallur fitues i Konkursit Ndërkombëtar të Zërave Lirikë “Spoleto”, për të cilat flet gjatë intervistës për Radio Ejani.  

CMG: Ti je shumë i ri, vetëm 26 vjeç dhe mbart shumë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare. Së fundi  u vlerësove me çmimin “Voci Di Mascagni”, konkurs që u mbajt për herë të parë në Shqipëri në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baltetit, ku  u vlerësove me çmim.

Artur Vera: Është e vërtetë. Më erdhi lajmërimi shumë papritur, që isha përzgjedhur dhe më pas u shpalla fitues. Nuk e prisja, pasi kishte konkurentë të ndryshëm nga vendi dhe nga jashtë, por fati deshi që ta fitoja unë këtë çmim dhe pikërisht aty në sallën e teatrit tonë.

CMG: Ishin emra të njohur të skenave botërore,ata që të zgjodhën, por si shkoi më pas, sepse në përgjithësi talentet zgjidhen për të marrë pjesë nëpër evenimente të ndryshme nëpër Europë

Artur Vera: Kam përshtypjen që do ketë një lloj bashkëpunimi apo ftese që do na bëhet në Festivalin e Livornos, por do jem në kontakt me teatrin, pasi ky është një bashkëpunim midis teatrit tonë dhe konkursit atje. Besoj se do ketë një bashkëpunim në kalendarin e tyre artistik që do të vendosin.

CMG: Ke fituar shumë çmime të tjera në Shqipëri dhe jashtë saj, si  çmimi “Jorgjie Truja” që mbart emrin e sopranos lirike të mirënjohur, por njëkohësisht edhe çmime në teatro apo evenimente ndërkombëtare. Në çfarë moshe ke nisur të fitosh çmime?

Artur Vera: Kam nisur të fitoj çmime që kur isha në lice. Festivali ndërkombëtar i zërave lirikë “Jorgjie Truja”, i jep mundësinë të gjithë këngëtarëve të rinj lirikë të performojnë dhe po ashtu ka qenë atëherë me një orkestër, romancat shqiptare të detyruara edhe pjesë të repertorit operistik botëror. Ka qenë një mundësi e mirë dhe unë jam shpallur fitues i vendit të parë tre herë dhe çmimit “Albanian Excellence”.

CMG: Artur je prej katër vitesh solist në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit dhe ke interpretuar  role të rëndësishme si “Berberi i Seviljes”, “Don Pasquale” etj. Rreth 20 role në këto katër vite. Mendon se janë shumë apo pak?

Artur Vera: Mua më duket sikur nuk i kam bërë unë, pasi koha kalon shpejt dhe gjithmonë mendoj se çfarë do vij më vonë, nuk shoh pas.

CMG: Nga këto 20 opera që ke interpretuar, ke ndonjë të preferuar që do doje ta interpretoje sërish?  

Artur Vera: Opera “Don Pasquale” është ajo që kam gjetur veten dhe do doja që të rivihej në  Teatrin e Operas dhe Baletit, por që të kisha mundësinë që ta këndoja dhe në skena të tjera. Do doja që të më jepej mundësia ta interpretoja edhe një herë atë rol pasi mendoj se më rrinte bukur.

CMG: Po diçka tjetër që nuk e ke interpretuar, por që mbetet në ëndrrat e tua për në vazhdimësi?

Artur Vera: Një që do mbetet për një kohë të gjatë në ëndrrat e mia sepse kërkon moshë është opera “Evgenij  Onjegin” e Çajkovskit, një vepër e njohur dhe një nga të preferuarat e mia. Këtë do doja  shumë që ta luaja në të ardhmen.

Artur Vera në intervistë për Radio Ejani

CMG: Ke interpretuar dhe vepra nga kompozitorë shqiptarë, si “Gjergj Kastrioti Skënderbeu Kryezot” i kompozitorit Vasil Tole, të cilën e ke sjellë mjaft bukur. Nëse do i krahasonim me veprat e huaja, çfarë vendi zenë për ty ato shqiptare?

Artur Vera: Të shprehesh në gjuhën tënde është gjithmonë e lehtë dhe e bukur. “Gjergj Kastrioti Skënderbeu Kryezot” e kompozitorit Vasil Tole ishte një vepër shumë impenjative me një ngjyrë kompozicionale të ndërlikuar. Kjo vjen në kulmin e krijimtarisë së kompozitorit dhe jam munduar që ta sjell në mënyrën më të mirë, si dhe t’i shtoj partiturës nga brendësia e shpirtit tim, në mënyrë që të arrija të justifikoja një figurë kaq të rëndëshme si figura e Gjergj Kastriotit. Në ndryshim nga veprat e huaja më pëlqen të interpretoj veprat e vendit tim, pasi ato mbesin dhe na bëjnë të krijojmë identitetin muzikor në krijimtari. Prandaj mendoj është e rëndëshme të marresh pjesë në to dhe për aq kohë sa kam mundur ta bëj këtë, kam dhënë më të mirën time.

CMG: Po jashtë Shqipërisë do zgjidhje të interpretoje një vepër shqiptare apo ndërkombëtare?

Artur Vera: Edhe me veprat e sektorit operistik botëror sepse dhe ato tregojnë vlera të vokalit, por patjetër edhe ato shqiptare, pasi me veprat tona mund të paraqitemi me identitet. Nëse nuk dimë nga vijmë nuk dimë as ku shkojmë. Ne vijmë nga një muzikë e cila ndryshon nga fshati në fshat, apo nga qyteti në qytet, me një pasuri të jashtëzakonshme folklorike, e cila është kthyer tani dhe si popullore e përpunuar. Kjo do të thotë se trasmeton vlera të jashtëzakonshme. Edhe një këngëtar i mirë duhet të dijë ta interpretojë bukur muzikën shqiptare sepse aty tregon dhe vlera të tjera.

CMG: Sa e vështirë është që një bariton të interpretojë në muzikën popullore, ku jo në pak raste ti ke interpretuar?

Artur Vera: Unë kam qenë këto 2-3 vjet gjithnjë pjesë e Ansamblit Popullor të Këngëve dhe Valleve, si dhe më pëlqen të jem pjesë me këngë që i përshtaten vokalit tim, si ato popullore të përpunuara, pasi  dhe asambli është identitet kombëtar. Unë uroj që të ketë jetëgjatësi dhe vëmendjen e duhur nga të gjithë ne. Për mua është nder të jem pjesë me këtë emër. Një këngëtar i mirë duhet të dijë ta interpretojë muzikën shqiptare. Marr këtu shembullin e Gaqo Çakos, Ramiz Kovaçit, Zeliha Sinësetj. Nuk është e vështirë për një bariton të këndoj në muzikën popullore kur i vjen natyrshëm.

CMG: Në muajin prill ke marr shumë duartrokitje në koncertin që është mbajtur me  asamblin

Artur Vera: Po është e vërtetë dhe u ndjeva shumë mirë. Njerëzit kanë nevojë të dëgjojnë këngë të interpretuara bukur dhe të gjithë artistët apo këngëtarët që kanë kryer Universitetin e arteve, pra kanë një kulturë në muzikë e kanë për detyrë mendoj që ta vendosin këtë funksion e studim në të mirë të interpretimit të këngës popullore. Kështu mundemi t’i përçojmë publikut atë që është e kulluar  e me vlerë për ta.

CMG: Ke studiuar në degën e kantos në Universitetin e Arteve në Tiranë,por paralelisht edhe muzikë bizantine. Cila është e përbashkëta e tyre ?

Artur Vera: Nuk janë fare të ngjashme si në notacion, ku në muzikën bizantine përdoret notacioni me shenja ndërsa në atë perëndimore, klasike përdoret notacioni pentagramor (që do të thotë pesëvijëshi në pentagram). Nga ana vokale po ashtu ka ndryshim sepse impostimi në muzikën bizantine është komplet i ndryshëm dhe mënyra e të kënduarit po ashtu. Në muzikën bizantine ekzistojnë edhe intervale të tjera si çerektoni ndërsa në atë perëndimore gjithçka e temperuar, pra dy stilistika dhe botë komplet të ndryshme nga njëra- tjetra, por ka edhe disa të përbashkëta të vogla që i gjen shumë rrallë si përshembull tradita. Tek të dyja gjejmë interpretime sipas një lloj tradite që janë kadencat, fundet e një arie që është një kadencë,e cila nuk interpretohet ashtu siç është shkruar nga kompozitori, por interpretohet në një mënyrë tjetër që mund të jetë interpretimi i një këngëtari shumë të dëgjuar, e cila ka mbetur. Po kështu edhe në muzikën bizantine. Ka interpretime të cilat kanë mbetur,nga një interpetues shumë i mirë i saj, që merren për bazë gjatë interpretimit deri më sot e kësaj dite.

CMG: Meqë ke zgjedhur muzikën bizantine, duhet të jesh i krishter për ta interpreruar këtë lloj muzike në kishë?

Artur Vera: Po dhe  kjo erdhi si rrjedhojë. Unë jam besimtar i krishter ortodoks dhe gjërat erdhën në atë mënyrë ku unë të mësoja dhe muzikën bizantine me profesor Theodhor Pecin dhe sot është bërë pjesë e një paralelizmi midis muzikës klasike dhe asaj bizantine. Duke qenë se jam i angazhuar me muzikën lirike, mundohem të gjej kohën dhe për atë bizantine.

CMG: Nëse interpreton muzikë klasike në opera dhe më pas muzikë bizantine, të duhet kohë për t’u impostuar e për të hyrë në rol?

Artur Vera: Muzika bizantine shërben për shpirtin, i cili ka nevojë ta dëgjojë e të jetë pastaj i ngrohtë për të interpretuar atë liriken. Për mua është si një ilaç i shpirtit që të mbushem e të mundem të jem i qetë për të interpretuar muzikën operistike.

CMG: Një shpirt i pastër që frymëzohet me muzikën bizantine dhe më pas shkon në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit me energji pozitive për të interpretuar muzikën vepra të muzikës klasike. Si u zbulua  talenti  yt  kur ishe fëmijë?

Artur Vera: Kur isha i vogël nuk e kuptoja që mund të këndoja. Një ditë të bukur kur isha në klasën e katërt na ndanë të gjithëve nga një tekst të vogël që ishte pjesë e një kënge dhe e kënduam të tërë me radhë. Në momentin që ishte radha ime të gjithë qeshën, në atë moment unë mendova se kisha kënduar keq, por në fakt kisha kënduar shumë mire. Mësuesja ime e parë e muzikës që spikati talentin tim ka qenë Vasilika. E punuam së bashku këngën “Valsi i lumturisë” nga Vaçe Zela, ku me këtë interpretim mora çmimin “Zëri më i bukur”. Nga ai moment filloi çdo gjë tjetër.

Artur Vera duke interpretuar Carmen te G. Bizet (Foto nga instagrami)

CMG: E ke patur artisten e preferuar Vaçe Zelën?

Artur Vera: Vaçe Zela ka qenë artiste e preferuar e fëmijërisë sime. Më ka pëlqyer shumë mënyra e saj e të kënduarit që në atë kohë, madje ka qenë një udhërrëfyese e mirë në interpretimin e muzikës shqiptare. Mendoj se të gjjthë ata që duan të kenë një interpretim të mirë e të përkushtuar duhet ta dëgjojnë këtë artiste.

CMG: Ke studiuar në fillim për kitarë në Liceun Artistik në qytetin tënd të lindjes në Berat, çfarë kujton nga  ajo periudhë?

Artur Vera: Është një periudhë ku nuk mbaj mend shumë gjëra, pasi kam qenë  gjatë gjithë ditës duke studiuar partiturat. Kush zgjedh ta bëj këtë gjë me përkushtim privohet për të bërë disa gjëra të moshës. Mbaj mend që në Liceun Artistik kam qenë tepër i fokusuar për t’u plotësuar me dije.

CMG: Po ashtu edhe me synimin për të studiuar në Tiranë?

Artur Vera: Po, u përpoqa të isha sa më i përgatitur, dola i pari në konkurs në Tiranë dhe më pas vijuan studimet.

CMG: Po sot si është raporti yt me instrumentin?

Artur Vera: Luaj pak kitarë, gjjthashtu ndonjëherë në shtëpi edhe flaut sepse edhe atë e kam studiuar me një profesor, por më tepër jam i lidhur me pianon, të cilën e ushtroj çdo ditë, por e kënduara merr pjesën më të madhe të ditës.

CMG: Ke provuar ndonjëherë të kompozosh? 

Artur Vera: Kam provuar shpesh, ka plot momente që më vijnë ndër mend fraza apo dhe tema të caktuara. Marr menjëherë telefonin, i regjistroj apo i shkruaj. Më tepër kam shkruar muzikë pianistike, por edhe vokale, korale.

CMG: Çfarë planesh ke në vazhdim të karrierës tënde artistike?

Artur Vera: Gjithë jeta jonë ka një vazhdimësi që është studimi çdo ditë, për të qenë gjithnjë në formë e kërkues ndaj vetes. Do doja të kisha mundësi të isha sa më tepër prezent në skenë, me role të karaktereve të ndryshme dhe për të justifikuar besimin e publikut. Mendoj që publiku është përgjegjësi e madhe dhe kërkon përherë përpjekje të përditshme për të qenë në lartësinë e duhur.

CMG: Do të shohim me shfaqje vetëm në Shqipëri apo jashtë saj?

Artur Vera: Nuk e di, këtë do ta sjellë koha, por ajo që di është që jam i lidhur me vendin tim dhe dua t’i shërbej vendit me aq sa mundem, si dhe shpirtin ta shpreh në tinguj për të gjithë njerëzit. Skenave të tjera askush nuk i thotë jo, sepse publiku është njëlloj, të gjithë jemi njerëz dhe profesioni ynë është një mision, të cilin jemi të priviligjuar që e kemi, gjithëashtu që kemi mundësinë të shprehemi, pasi muzika është një gjuhë universale.

CMG: Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit ka vënë në skenë shumë shfaqje ku  ke qenë pjesë e tyre, por ku do të shohë publiku në vazhdim, me cilat vepra dhe role?

Artur Vera: Tani së shpejti vendoset vepra për fëmijë “Flauti magjik”, pastaj kam përshtypjen që do jem në operën “D’Elisir D’Amore” në tetor dhe në vijim me kalendarin artistik të operas dhe baletit. Do jem gjithnjë aty kur të jenë role që i përshtaten vokalit tim dhe besoj paralelisht me kalendarin artistik të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.

Intervistoi: Sava Lena