Mozzik (Foto nga instagrami)
Këngëtari i njohur shqiptar Mozzik ka njoftuar për albumin e tij të ri muzikor të titulluar “Mërgimtar”. Reperi ka zbuluar kopertinën e albumit, duke treguar se ky projekt artistik do të ketë gjithsej 20 këngë. Ai ka treguar se çdo këngë mund të konsiderohet një perlë, por shumë detaje do t’i zbulojë në vazhdim. Mozzik ka shkruar në rrjetet sociale: “1 vit punë intensive që realisht ka qenë shumë e lodhshme, më ka marrë kohë shumë por ja ka vlejtur. Energjia ime ka folur më së shumti këtë herë, shpirti im ka folur më së shumti këtu, truri im ka pëshpëritur më shumti këtë herë. Emocion, dhimbje, mërzi, gëzim e dashuri, është një miks emocionesh që janë derdhur në këtë album. Plot 20 këngë, ku secila është perlë në vete, secila është ndryshe nga tjetra . Ky është coveri, datën e lansimit dhe listën e këngëve do e zbulojmë në ditët në vijim. E normal që do ketë surpriza e gjëra që nuk janë bërë asnjëherë më parë”, ka përfunduar këngëtari Mozzik.
Ylli Limani & Dafina Zeqiri (Foto nga instagrami)
Duart e Dafina Zeqiri & Ylli Limani (Foto nga instagrami i artisteve)
Një mesazh “dorë për dorë” nga Dafina Zeqiri dhe Ylli Limani
Dafina Zeqiri dhe Ylli Limani kanë publikuar një fotografi në rrjetet sociale, ku duket se bëhet fjalë për një bashkëpunim. Dafina Zeqiri ka publikuar një postim në rrjetet sociale, duke ngjallur spekulime të shumta tek fansat mbi një mundësi bashkëpunimi me artistin e njohur Ylli Limani. Në foto duken dy duar të bëra së bashku, për të cilat fansat mendojnë se u përkasin Dafinës dhe Yllit, pasi Dafina në postimin e saj, ka vendosur emrin e Ylli Limanit. Të dy artistët janë shumë të dashur për publikun shqiptar dhe projekti i tyre pritet me një interes të madh. Dafina dhe Ylli kanë realizuar edhe më parë bashkëpunime të cilat kanë rezultuar të suksesshme si, “Kaje” dhe “Mos shko”.
Elita 5 (Foto nga facebook)
Grupi legjendar Elita 5 sjell premierë këngën e re “Natën e mirë'
Djemtë e grupit të mirënjohur Elita 5 kanë publikuar këngën e tyre të re “Natën e mirë”. Kënga duket se ka qenë mjaft impenjative, ku djemtë artistë, kanë punuar me profesionalizëm. Në këngën “Natën e mirë” është luajtur live nga Orkestra e Filarmonisë së Maqedonisë së Veriut dhe djemtë e grupit Elita 5, me vokalin e solistit Arif Ziberi. Grupi nga Tetova Elita 5 vjen në tregun muzikor me këtë material të ri pas këngës së publikuar në dhjetor të vitit 2021 “Lamtumirë”. Ndër të vetmet grupe muzikore, të cilat e kanë nisur muzikën rreth katër dekada më parë, Elita 5 vazhdon suksesshëm edhe sot me po të njëjtën energji aktivitetin artistik. Teksti i këngës “Natën e mirë” është shkruar nga Fatmir Muja, kompozuar dhe orkestruar nga Nexhat Mujovi (Virusi), si dhe me kontributin e të gjithë anëtarëve të Elita 5, nga vokalisti Arif Ziberi, Mevaip Mustafi (kitarë), Valon Gashi (kitarë), Agron Idrizi (kitarë), Besim Ibraimi (bateri). Kjo këngë ka ardhur gjithashtu e shoqëruar për publikun me videoklip, duke i dhënë një rëndësi shumë të veçantë këtij projekti artistik.
Përgatiti Sava Lena