Flora Gjergji ne nje aktivitet (Foto personale)
Flora Gjergji është këngëtare e muzikës popullore dhe asaj folklorike të trevës së veriut. Ajo ka qenë e pasionuar pas këngës qëkur ishte fëmijë, por për arsye familjare ka pasur një shkëputje të gjatë nga muzika. Flora i është rikthyer këngës këto pesë vitet e fundit, duke realizuar disa produksione muzikore që janë pritur mjaft mirë nga artdashësit. Gjithashtu ajo ka realizuar një duet me këngëtaren e njohur pukjane Dava Gjergji. Së shpejti Flora Gjergji do të sjellë për publikun një kolazh me këngë dasme dhe produksione të tjera muzikore. Në një intervistë për Radio Ejani ajo tregon për pasionin e saj për këngën, aktivitetet muzikore dhe projektet në vazhdim.
CMG: Kur kanë qenë fillimet tuaja me këngën popullore dhe folklorike?
Flora Gjergji: Unë kam kënduar qëkur kam qenë fëmijë dhe ka pesë vite që jam rikthyer tek kënga. Kam kënduar kur isha në klasën e parë dhe më vonë në shkollën 8-vjeçare e të mesme. Ndërkohë që më vonë jam shkëputur, për të vazhduar prapë këto pesë vitet e fundit.
CMG: Kush e zbuloi talentin tuaj për këngën popullore?
Flora Gjergji: Talentin tim e ka zbuluar djali i xhaxhait, që në atë kohë punonte në arsim. Ai më dëgjonte duke kënduar dhe i tha mësueses së muzikës që unë këndoja të gjitha këngët në shtëpi. Më pas fillova të angazhohem me grupet artistike, ku më ftonin në aktivitete të ndryshme. Gjithashtu kam kënduar live edhe nëpër dasmat tona.
CMG: Keni patur dikë në familje që ka kënduar ?
Flora Gjergji: Babai im në atë kohë është marrë me grupet artistike të Pukës, ku e ftonin dhe në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës. Grupin që ishte babai im e përzgjodhën për të shkuar në Bullgari në atë kohë, por për arsye familjare nuk shkoi dhe më vonë u shkëput nga muzika. Pra këngën popullore e kemi traditë në familjen tonë.
CMG: Besoj se babai juaj ka qenë i lumtur që e trashëgove këngën nga ai?
Flora Gjergji: Padiskutim që ka qenë i lumtur, sepse ai luante në instrumentat e çiftelisë, fyellit dhe lahutës. Babai i përdorte shpesh këto instrumenta dhe i mbante në shtëpi edhe pse nuk merrte pjesë në aktivtete muzikore.
CMG: Ju luani në ndonjë instrument muzikor?
Flora Gjergji: Kur kam qenë e vogël i kam rënë çiftelisë, por tani luaj ngapak. Kam shumë dëshirë të luaj në çifteli.
Flora Gjergji me veshje popullore (Foto personale)
CMG: Pse u shkëputët për një periudhë të gjatë nga kënga?
Flora Gjergji: Arsyeja ka qenë sepse ne ishim nëntë fëmijë dhe ashtu ishin kushtet në atë kohë. Ndërkohë që më vonë u martova në një familje të mrekullueshme, por të madhe dhe unë isha nusja e vetme, ndaj iu përkushtova familjes dhe rritjes së fëmijëve të mi. Tani që fëmijët janë rritur, ata e dine që unë kam ëndërr muzikën, duke kënduar gjithë ditën në shtëpi, ndaj më kanë mbështetur shumë për ta vazhduar rrugën e këngës.
CMG: Fëmijët tuaj e kanë trashëguar këngën?
Flora Gjergji: Fëmijët kanë dëshirë të ndjekin rrugën e muzikës, sidomos vajza e vogël. Ata e duan shumë dhe këngën popullore, por më shumë preferojnë muzikën e lehtë dhe moderne.
CMG: Si jeni ndjerë me kostumin popullor tradicional?
Flora Gjergji: Kur kam veshur kostumin popullor jam ndjerë shumë mirë. Veshja popullore është e bukur dhe do ta vesh gjithmonë. Gjithashtu jam veshur me kostum popullor dhe nëpër dasma apo gëzime të tjera familjare.
CMG: Sa këngë keni publikuar deri tani në YouTube?
Flora Gjergji: Kam katër këngë të publikuara dhe pres disa projekte të reja. Së shpejti do të publikoj një kolazh me këngë dasme.
CMG: Cilët janë bashkëpunëtorët tuaj në realizimin e këngëve?
Flora Gjergji: Tekstet i ka shkruar një poet nga Lezha, Tonin Ndreca, të cilin e falenderoj shumë. Ndërsa muzikën dhe orkestrimet i kam bërë në studio të ndryshme, si Vis Milotsi dhe Alban Arifi, kurse dy këngët e fundit i kam realizuar te studio e Alfred Qemalja në Lezhë. Të gjitha këngët janë pëlqyer nga publiku dhe më kanë falenderuar në komentet e tyre.
CMG: Si erdhi bashkëpunimi me këngëtaren e njohur pukjane Dava Gjergji?
Flora Gjergji: Ne jemi dy këngëtare nga Puka. Dava është ikona e muzikës popullore, dhe unë kisha dëshirë të bëja një këngë duet me të. Kënga doli shumë bukur dhe shpresoj të kemi bashkëpunime të tjera.
CMG: Keni ndonjë këngëtar idhull të trevës suaj?
Flora Gjergji: Kam idhuj Dava Gjergjin, Zojë Palin, Fran Gjokën si dhe shumë të tjerë të trevës sime. Këto këngëtarë që përmenda i kam pëlqyer që e vogël, dhe i kam kënduar shpesh këngët e tyre.
Flora Gjergji gjate realizimit te nje videoklipi (Foto personale)
Flora Gjergji me veshje popullore te veriut (Foto personale)
CMG: Cilat kanë qenë aktivitetet muzikore ku keni marrë pjesë si këngëtare?
Flora Gjergji: Kam qenë në disa koncerte dhe së fundi mora pjesë në një koncert në Lezhë. Gjithashtu kam qenë edhe në një aktivitet artistik në qytetin e Beratit, dhe disa herë kam qenë e ftuar në aktivitetet kulturore në Kamëz.
CMG: Cili është repertori në një dasëm?
Flora Gjergji: Në dasma zakonisht këndoj këngët e trevës sime që i pëlqejnë shumë, por herë pas here këndojmë dhe këngë të trevave të tjera të Shqipërisë. Zërin tim e pëlqejnë shumë nëpër dasma dhe për këtë gjë jam shumë e kënaqur.
CMG: Cila nga këngët tuaj të publikuara është pëlqyer më tepër nga publiku?
Flora Gjergji: Në fakt këngët mi pëlqejnë të gjitha, por është pëlqyer dueti me Dava Gjergjin dhe kënga që e pëlqejnë më shumë është “Bukuri shqiptare”, sepse përfshin të gjithë shqiptarët kudo që janë. Shpresoj që të pëlqejnë dhe këngët e tjera që do të nxjerr në vazhdim.
Intervistoi: Gazmend Agaj