Të shtunën në mëngjes, një tren i ngarkuar me mallra të ndryshme u nis nga qyteti Xi'an, kryeqendra e provincës Shanxi të Kinës veriperëndimore, për në Malaszewicze të Polonisë, duke shënuar një moment historik. Numri i përgjithshëm i udhëtimeve të trenave të mallrave Kinë-Evropë tejkaloi 90,000.
Sipas statistikave të Grupit Kombëtar të Hekurudhave të Kinës, deri më sot, trenat e mallrave Kinë-Evropë kanë transportuar mbi 8.7 milionë kontejnerë, me një vlerë 380 miliardë dollarë.
Nga viti 2016 deri në vitin 2023, numri vjetor i udhëtimeve të trenave të mallrave Kinë-Evropë u rrit nga 1,702 në mbi 17,000. Vlera e mallrave të transportuara nga ky shërbim u rrit nga 8 miliardë dollarë në vitin 2016 në 56.7 miliardë dollarë në vitin 2023.
Llojet e mallrave të transportuara përmes linjës Kinë-Evropë janë shtuar. Fillimisht nga produktet IT, kompjutër laptop, printer, tani në mbi 50,000 lloje të ndryshme, duke përfshirë veshje, këpucë, automjete, mallra të përditshme, ushqime, drurë, mobilje, produkte kimike, makineri etj.
Prej vitit 2023, më shumë produkte kineze të teknologjisë së lartë të gjelbër si bateri litium, produkte fotovoltaike, automjete me energji të reja, janë transportuar nëpërmjet trenave të mallrave Kinë-Evropë, duke reflektuar kërkesat e forta të tregut, tha Grupi Kombëtar i Hekurudhave.
Deri më tani, trenat e mallrave Kinë-Evropë kanë arritur në 223 qytete të 25 vendeve evropiane dhe në mbi 100 qytete të 11 vendeve aziatike. Rrjeti i shërbimit ka mbuluar pothuajse të gjithë kontinentin Euroaziatik. (Fani)