Më shumë kompani britanike pritet të marrin pjesë në Ekspozitën e Dytë Ndërkombëtare të Zinxhirit Furnizues të Kinës (CISCE), e cila do të mbahet në Pekin. Të dyja palët shpresojnë të forcojnë qëndrueshmërinë e zinxhirit furnizues.
Të premten u mbajt në Londër një aktivitet promovimi për Ekspozitën, ku morën pjesë Kryetari i Këshillit për Promovimin e Tregtisë Ndërkombëtare të Kinës Ren Hongbin, Ambasadori i Kinës në Britaninë e Madhe Zheng Zeguang, Kryetari i Këshillit të Tregtisë Britani e Madhe - Kinë Sir Sherard Cowper-Coles dhe rreth 150 persona të qarqeve industrialo-tregtare.
Ekspozita e këtij viti do të ketë gjashtë tema kryesore, duke përfshirë prodhimin e përparuar, automjetet inteligjente, bujqësinë e gjelbër, energjinë e pastër, teknologjinë dixhitale dhe jetën e shëndetshme.
Kryetari i Këshillit për Promovimin e Tregtisë Ndërkombëtare të Kinës Ren Hongbin theksoi rëndësinë e bashkëpunimit midis Kinës dhe Britanisë së Madhe. Sipas tij, bashkëpunimi mes sipërmarrjeve të dy vendeve është në favor të ruajtjes së qëndrueshmërisë së zinxhirit furnizues.
Sherard Cowper-Coles ndau përvojën e vizitës së tij të fundit në Kinë, së bashku me një delegacion britanik. Ai inkurajoi më shumë kompani britanike të zgjerojnë bashkëpunimin me Kinën, nëpërmjet pjesëmarrjes në Ekspozitën e Zinxhirit Furnizues të këtij viti.
Ekspozita e dytë Ndërkombëtare e Zinxhirit Furnizues pritet të mbahet në Pekin nga 26 deri më 30 nëntor të këtij viti. Deri tani, rreth 400 kompani kineze e të huaja janë regjistruar për pjesëmarrje. (Fani)