Xizang-u bën përparime të jashtëzakonshme në zhvillimin e gjelbër dhe me cilësi të lartë
2024-05-24 21:09:43

Rajoni Autonom i Xizang-ut në Kinën Jugperëndimore do të shfrytëzojë më tej epërsitë e tij unike për të promovuar zhvillimin me cilësi të lartë, sipas një konference shtypi të mbajtur të enjten nga Zyra e Informacionit e Këshillit të Shtetit në Pekin.

foto: VCG

foto: VCG

Duke theksuar zhvillimin e jashtëzakonshëm dhe ndryshimet e ndjeshme të rajonit vitet e fundit, Yan Jinhai, kryetar i qeverisë rajonale të Xizang-ut, theksoi se zhvillimi i suksesshëm dhe me cilësi të lartë në këtë rajon vjen nga strategjitë e përshtatura me kushtet vendore, filozofia e zhvillimit të përqendruar te njerëzit, përparësia e mbrojtjes ekologjike dhe hapja e mëtejshme.

foto: VCG

foto: VCG

PBB-ja e Xizang-ut është rritur në 240 miliardë juanë vitin e kaluar, nga 190 miliardë juanë në vitin 2021. PBB-ja për frymë e rajonit ka arritur nga 52 300 juanë në 60 000 juanë dhe rritja e të ardhurave të disponueshme për frymë për banorët urbanë dhe ruralë ka qenë nga më të lartat në Kinë. "Xizang-u po hap një rrugë të re për zhvillimin ekonomik me cilësi të lartë në rrafshnaltë," theksoi Yan.

foto: VCG

foto: VCG

I njohur si "çatia e botës" ose poli i tretë i botës, Xizang-u zotëron burime të pasura turistike. Ai tërhoqi 55.17 milionë turistë vendas e të huaj vitin e kaluar dhe pati 65.1 miliardë juanë të ardhura të përgjithshme prej turizmit, me një rritje përkatësisht prej 83.7 dhe 60 për qind, duke shënuar rekorde të reja, sipas Yan. "Turizmi është bërë një industri që pasuron banorët e Xizang-ut," tha ai.

Ndërsa sipas nënkryetarit të qeverisë rajonale të Xizang-ut Xu Zhitao, pritet që në vitin 2024 numri i udhëtimeve turistike në Xizang të ketë një rritje dyshifrore.

Rajoni vazhdon t'i japë përparësi ruajtjes së mjedisit ekologjik dhe të ndjekë rrugën e zhvillimit të gjelbër dhe të qëndrueshëm, për t'u bërë një model kombëtar, e madje edhe ndërkombëtar, në përmirësimin e qytetërimit ekologjik.

Sipas Yan, zonat e mbrojtura në Xizang mbulojnë 36 për qind të sipërfaqes së përgjithshme të rajonit. Përveç kësaj, më shumë se 50 për qind e rajonit është përcaktuar brenda vijave të kuqe të mbrojtjes ekologjike të vendit.

foto: VCG

foto: VCG

Xizang-u gjithashtu zotëron 16.5 për qind të burimeve ujore të Kinës, 30 për qind të kullotave, 41 për qind të akullnajave, 18.3 për qind të ligatinave dhe 40 për qind të sipërfaqes së liqeneve të vendit.

"Xizang-u mbetet një nga rajonet me mjedisin ekologjik më të mirë në botë," tha Yan, duke shtuar që rrafshnalta Qinghai-Xizang ka arritur në përgjithësi asnjanësimin e karbonit. (Li Huailiang/Artan)