Veprimtari të Diasporës shqiptare në SHBA (Foto Gazeta Dota)
Vitet e fundit diaspora shqiptare është më shumë e pranishme në shkëmbimet me shtetin amë. Janë zhvilluar 3 samite të diasporës, një veprimtari të shtuar të arbëreshëve të Italisë në mëmëdhe, por dhe vizita të përfaqësuesve të lartë të shtetit shqiptar në vendbanimet e tyre. Shohim një rigjallërim të bashkëpunimit konkret mes vendit amë dhe Diasporës, promovim të rolit të saj të rëndësishëm në zhvillimin gjithëpërfshirës së atdheut. Drejtore e Institutit të Studimeve të Globalizimit Dr. Marsela Musabelliu vjen në studio për një analizë të Diasporës shqiptare ndër vite, kontributit të saj në zhvillimin e shtetit amë dhe situates aktuale e sfidave me të cilat përballet kjo diasporë
CMG: Migracioni në Shqipëri ndahet në “diasporën e vjetër”, që pas largimit të shqiptarëve drejt Italisë në shekullin e 14-të dhe vijon me “diasporën e re”, të pas viteve 90-të. Flasim për dinamikën e migrimit historik të shqiptarëve. Arsyet, valët migratore dhe gjendja kombëtare.
Dr. Marsela Musabelliu: Të flasësh për Diasporën apo emigracionin në përgjithësi janë disa shekuj gjatë të cilave shqiptarët kanë lënë trojet e tyre për t’u larguar nga atdheu. Ka pasur disa valë migrimesh dhe ato në intensitetin e tyre kanë qenë shumë të dukshme për botën, por dhe sa i përket vendit, që lanë pas.]
Valët migratore kanë qenë për arsye pushtimesh të vendit amë, për motive ekonomike dhe sociale sepse vendet e tjera, jo vetëm pranë Shqipërisë, por dhe më larg kishin më shumë mundësi. Mjafton të kujtojmë që shqiptarët që kanë ikur para një shekulli në SHBA u janë dashur muaj të tërë udhëtimesh në det për të arritur .
Presidenti Bajram Begaj te komunitetet arbëreshe në Itali (Foto Euronews Albania)
CMG: Mbetet konstante arsyeja e largimit nga vendi “për një jetë më të mirë”?
Dr. Marsela Musabelliu: Nuk mendoj se është vetëm arsyeja “për një jetë më të mirë”, sepse ka patur dhe arsye politike, për shkak të pushtimeve të vendit, apo të sistemeve. Gjithçka ka të bëjë me familjen, me grupin dhe shoqërinë. Kur dikush e mendon se duhet të iki atëhere e merr këtë vendim dhe përpiqet për një jetë më të mirë, ose sepse kjo mbetet zgjidhja e vetme.
Sa i përket valës migratore pas vitit 1991 jemi të gjithë dëshmitarë që fatkeqësisht një nga asetet më të mëdha që kishte vendi në atë periudhë ishte mosha mesatare 23.4 vjeç. Nëse këta emigrantë do të ishin shndërruar në një forcë punëtore për vendin me shumë gjasa Shqipëria sot do të ishte ndryshe, por kushtet ekonomike i detyruar shumë prej shqiptarëve që të largohen nga vendi
CMG: Ishte periudha e ndryshimit të sistemit politik në Shqipëri dhe për të rinjtë e kohës ishte një nevojë e ndryshimit, për këtë arsye emigrimi masiv i asaj periudhe u cilësua si eksod
Dr. Marsela Musabelliu: Patjetër. Mjafton të kujtojmë imazhet e largimit të shqiptarëve me anije në Itali dhe tani duken të pabesueshme. Sot ata të larguar përbëjnë Diasporën shqiptare, për të cilën jemi të gjithë krenarë.
CMG: Kontributi i diasporës “së vjetër” shqiptare ka qenë kryesisht identitar, arsimor dhe kulturor. Kontributi i “diasporës” së re, përveç atij kulturor, shpesh përbën një kontribut ekonomik, të quajtur “remitancat”. Sa ka ndikuar ky kontribut në Shqipëri?
Dr. Marsela Musabelliu: Sa i përket identitetit do ta quaja themelor pasi ne kemi shembuj të bashkatdhetarëve tanë, të cilët jetonin jashtë vendit dhe shkrinë pasurinë e tyre për të formuar një komb, për të krijuar një gjuhë të përbashkët dhe për t’u bashkuar ne të gjithë si shqiptarë. Kontributi i tyre për kombin shihet rrallë sot, por edhe heronjtë e vërtetë të tre dekadave të fundit vazhdojnë të sjellin të ardhura të fituara prej tyre me shumë mund e vështirësi dhe punë të palodhur. Shqiptarët emigrantë në vendet e BE-së apo në vende të tjera kanë provuar punë të vështira.
Veprimtari të Diasporës (Foto Tirana Magazine)
CMG: Kjo është dhe një përvojë e jetuar nga brezi i parë i emigrantëve të pas viteve 90-të, por më pas është brezi i fëmijëve të tyre që tashmë janë tërësisht të integruar
Dr.Marsela Musabelliu: Ne kemi patur valë migratore në 1991,që ka qenë ndër më të mëdhatë, në trazirat e vitit 1997 gjithashtu një valë e madhe migratore dhe vazhdoi me vitet 2013 e më pas, një tjetër valë migratore që ka prekur më shumë shtresën e mesme, sepse nuk largohen më punëtorë të pakualifikuar, por qytetarë me profesione të caktuara dhe arsim të lartë.
Duke iu referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë mund të them se remitancat në vitin 2023 ishin 929 milion euro të dërguara nga emigrantët shqiptarë në atdhe. Ndërsa në vitin 2022 kjo shifër ka qenë 834 milion euro. Nëse shohim vitin e nisjes së konfliktit në Ukrainë dhe rritjen stratosferike të inflacionit, si dhe zhvlerësimin e euros, kemi një rritje të madhe të vlerave që emigrantët shqiptarë po sjellin në atdhe.
Praktikisht kemi të bëjmë me 929 milion euro, por duhet të kemi parasysh se kjo shumë është vetëm nëpërmjet kanaleve bankare, ndërkohë që sipas ekonomistëve shqiptarë paratë e sjella në atdhe jo me rrugë bankare mund të jetë 3-4 herë më të larta.
Sipas një ankete të bërë nga Banka Botërore dhe Banka e Shqipërisë 6 për qind e familjeve shqiptare, ose 40 mijë familje shqiptare aktualisht kanë të vetmen të ardhur ekonomike remitancat. Ndërkohë që anketa thotë se maksimumi i tyre është 100 euro në muaj, që emigranti, i cili i dërgon përpiqet të ndajë për familjen në atdhe, falë punës së tij të palodhur në emigracion.
Ky zinxhir herët a vonë do të shkëputet sepse kur brezi i dytë i familjeve të emigrantëve do të rritet nuk do të ketë më detyrime ekonomike të drejtpërdrejta familjare, siç kanë patur prindërit e tyre.
CMG: Gjeografia e diasporës aktualisht është mjaft e gjerë. Nëse i referohemi shifrave Italia dhe Greqia kanë përqindjen më të madhe të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit rreth 75%. Ato ndiqen nga SHBA, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Belgjika, etj. Sipas të dhënave rreth 36 për qind e shtetasve shqiptarë që jetojnë në Europë i përkasin grupmoshës 30-49 vjeç. Largimi i të rinjve a po ndikon në plakjen e popullsisë në Shqipëri?
Dr. Marsela Musabelliu: Tani po presim që të dalin shifrat e Censusit të fundit, por mund t’i referohem Eurostat-it, sipas të cilit në vitin 2022 mosha mesatare në Shqipëri ishte 38.3 vjeç, që është e madhe. Ndërkohë në vitin 2002, pra dy dekada më parë mosha mesatare në Shqipëri ishte 27.6 vjeç. Kjo tregon se Shqipëria është plakur në ritme të pandalshme në këto dy dekada.
Mesatarja europiane për plakjen në të njejtën kohë është 4.7 vjet, kurse mesatarja shqiptare për të njejtën periudhë është 10.6 vjet. Në fakt plakja e popullsisë është një karakteristikë që ka të bëjë me vendet e pasura.
CMG: Ka patur dhe rënie të lindshmërisë
Dr. Marsela Musabelliu: Me këto shifra po shkojmë afër mesatares së BE-së, sa i përket moshës, por jo të ardhurave. Mjafton të mendojmë se të ardhurat për frymë në Itali në një vit janë 33 mijë euro, ndërsa në Shqipëri janë 6 mijë euro. Në periudhë afatshkurtër dhe afatmesme kjo gjendje është problematike.
Nëse kthehem te shpërndarja gjeografike ka shumë shqiptarë në Greqi thuhet deri në 700 mijë, ndërsa në Itali deri në 600 mijë, por në Itali shqiptarët e kanë gjetur veten më mirë sepse kanë marrë shumë më shpejt shtetësinë, krahasur me ata në Greqi. Në vitin 2022 nga të gjithë shqiptarët që kanë marrë nënshtetësi europiane 75 për qind e tyre janë në Itali dhe 20 për qind në Greqi.
Ndërkohë sipas shifrave janë rreth 40 mijë shqiptarë që e lenë vendin çdo vit dhe kjo në një periudhë afatmesme do të jetë problematike
Dhoma e Biznesit e Diasporës Shqiptare (Foto Business Magazine Albania)
CMG: Emigracioni është një dukuri mbarëbotërore, por kryesisht në Ballkan nëse i referohemi Greqisë ka largime të shumta sidomos të të rinjve drejt Gjermanisë apo vendeve të tjera, po ashtu dhe nga Italia. Pasojat sociale, ekonomike dhe në nivel individual janë të shumta në Shqipëri për shkak emigrimit të shqiptareve. Këto dekada largimesh masive kanë ndryshuar dhe riformësuar e teksturën sociale shqiptare. Komenti juaj për këtë
Dr.Marsela Musabelliu: Mendoj se po. Patjetër që ka studime për këtë, por mjafton të shohim të njohurit apo miqtë tanë dhe është shumë e vështirë të gjesh në Shqipëri një familje që nuk ka një pjesëtar të saj në emigracion jashtë vendit.Kjo do të thotë distancë, ndarje, mall për psikologjinë e individit dhe psikologjinë tonë sociale në tërësi. Mendoj se tekstura e shoqërisë sonë ka vuajtur shumë nga këto largime sepse këto janë komponentë të domosdoshëm të vendit, por që fatkeqësisht nuk kontribuojnë për vendin e tyre. Tashmë është e lehtë të shohësh se si shkëlqejnë shqiptarët jashtë vendit.
Në shoqërinë tonë disa njerëz e përballojnë vetminë pas largimit të fëmijëve, por të tjerë e përballojnë keq. Mjafton të shohim zonat rurale të vendit ku janë shumë fshatra gati të braktisura, ose të banuara vetëm nga disa të moshuar.
CMG: Nga kjo përvojë emigracioni duket se identiteti shqiptar është shumë i fortë. Në vende të ndryshme të Europës dhe jo vetëm ka shumë përpjekje të shoqatave të ndryshme të emigrantëve për hapjen e klasave në gjuhën shqipe, krijimin e qendrave kulturore shqiptare, për të ruajtur gjuhën dhe identitetin
Dr.Marsela Musabelliu: Unë kam jetuar për disa vite jashtë vendit, por kjo është e vërtetë. Kur je jashtë atdheut rrënjët e tua të thërrasin më shumë. Tani emigracioni përbëhet më së shumti nga brezi i dytë dhe i tretë i shqiptarëve që nuk kanë lindur në Shqipëri, por duan të gjejnë rrënjët e tyre, të mësojnë gjuhën. Është e mrekullueshme që gjuha dhe traditat shqiptare vazhdojnë të ruhen nga shqiptarët jashtë atdheut.
Intervistoi Eda Merepeza