“Diploma ime”, ekspozita e maturantëve artistë në Fier
2024-05-24 11:06:25

Andi Bakiaj (drejtor i shkollës artistike Jakov Xoxa)

Maturantët e degës së pikturës të shkollës  artistike “Jakov Xoxa” në Fier zgjodhën një prezantim ndryshe për të paraqitur punimet e tyre, të ekspozuara në veprimtarinë “Diploma ime”. Rreth 90 piktura të realizuara në teknika të ndryshme por dhe fotografi  u prezantuan për herë të parë në Galerinë e Arteve "Vilson Kilica" të Fierit, në prani të artdashësve si dhe të ftuarve nga institucione vendore.

Sipas drejtorit të shkollës artistike “Jakov Xoxa” Andi Bakiaj,  kjo është një risi në veçanti për maturantët e degës së pikturës, të cilët sollën për herë të parë një ekspozitë me pikturat e tyre për publikun e gjerë. Nxënësit me punimet e tyre janë shprehur në disiplina të ndryshme si tekstili, fotografia dhe piktura me bojëra vaji. Në intervistë për Radio Ejani drejtori Andi Bakiaj flet rreth kësaj ekspozite dhe vijimësinë  e saj.

Foto nga ekspozita e maturanteve facebook

CMG: Ndryshe nga herët e tjera, këtë vit nxënësit e shkollës artistike"Jakov Xoxa" në Fier u paraqitën me veprat e tyre në pikture, fotografi dhe tekstil para një publiku të  gjerë. Çfarë impakti pati kjo veprimtari ?

Andi Bakiaj: Impakti ishte shumë pozitiv, nxënësit morën kënaqësi kur panë se punët e tyre nuk vlerësoheshin më vetëm nga nxënësit e shkollës dhe mësuesit e tyre, por edhe nga publiku i gjerë, nga artdashësit fierakë, nga drejtues institucionesh, njerëz me rëndësi në qytetin tonë.

CMG: Këtë herë u zgjodh një mënyrë ndryshe e prezantimit të pikturave të maturantëve të shkollës "Jakov Xoxa" nën titullin e ekspozitës "Diploma ime". E kujt ishte ideja për këtë dhe si erdhi deri në finalizim?

Andi Bakiaj: Ideja ishte e mësueses Irma Hoxhaj, mentore e maturantëve që paraqitën diplomat e tyre. Ajo bëri një kërkesë që punimet e nxënësve të dilnin jashtë galerisë së shkollës, në mënyrë që të kishin një impakt më të gjerë në shoqëri.

Më pas finalizimi ishte komunikimi im me drejtoreshën e Galerisë së Artit në Fier Elenica Paloli dhe gjeta mbështetjen e saj që projekti të finalizohej me sukses.

Foto nga facebook

CMG: Sa piktura u prezantuan për publikun, teknikat që u paraqitën aty dhe sa nxënës paraqitën materialet e tyre?

Andi Bakiaj: Ishin 90 punime që u paraqitën në të dyja katet e Galerisë së Artit në Fier. Gjithsej ishin 6 nxënës që paraqitën punimet e tyre dhe teknikat që u përdorën ishin të ndryshme, nxënës që punuan me specialitetin e tekstilit, atë të teknikës së pikturës me bojëra vaji dhe në specialitetin e fotografisë

CMG: Si u prit nga mësuesit kjo ekspozitë?

Andi Bakiaj: Kjo ekspozitë u prit shumë mirë, sepse është hera e parë që realizohet në përmasa kaq të mëdha në qytetin tonë. Ne kemi bërë edhe ekspozita të tjera, ku përveç galerisë, kemi realizuar edhe në sheshin qëndror të qytetit, përpara Galerisë së Arteve. Asnjëherë nuk kishim bërë si shkollë një aktivitet të tillë në Galerinë  e Arteve sepse aty vlerësohen punimet nga artdashësit, duke patur një sy më kritik dhe punimet e nxënësve u pëlqyen  shumë.

CMG: A i ndihmon ekspozita nxënësit për vijimësinë e karrierës së tyre artistike?

Andi Bakiaj: Patjetër që i ndihmon në vijimësinë e tyre artistike, sepse duke u vlerësuar nga mësuesit, artdashësit, por edhe kritikët e artit që ka qyteti i Fierit, ata morën  një motivim të madh dhe të gjithë njëzëri e thanë që do e ndjekin dhe vazhdojnë këtë degë, sepse e ndjenë veten të vlerësuar. Por sigurisht që punët e tyre ishin të arrira dhe ishin shumë evidente.  

CMG: Do të vazhdojë kjo traditë në shkollën tuaj edhe me maturantët e tjerë në vitet në vazhdim?

Andi Bakiaj: Patjetër që kjo traditë do të vazhdojë edhe më tej, nuk është hera e parë që shkolla bën ekspozita, por këtej e tutje do t’i ekspozojmë punimet kudo ku ka sy kritik. Mendojnë që të kemi bashkëpunime edhe me qytete të tjera, dhe punimet e nxënësve tanë të shfaqen edhe në Galerinë e Arteve të qyteteve fqinje dhe më gjerë.

Foto nga facebook

Një nga nxënëset e pranishme në ekspozitë  ka treguar e emocionuar për publikimin e punimeve të tyre:  “I  jam shumë falenderuese publikut që ishte i pranishëm. Ishin të pranishëm nxënësit e shkollës, miqtë tanë, mësueset dhe i falenderoj për praninë e  tyre”.

-Shkolla artistike “Jakov Xoxa” në Fier vijon traditën e përvitshme në Galerinë e saj të artit, por këtë herë kjo traditë u zgjerua, duke pritur vizitorë në një ambjent më të zgjeruar, si ajo e Galerisë së qytetit duke u dhënë më tepër rëndësi veprave të maturantëve. Punët e realizuara nga nxënësit, por edhe kjo mënyrë prezantimi ka ngjallur menjëherë interesin e publikut, por edhe emocione nga nxënësit deri tek profesorët e degës së pikturës. Emocionuese për nxënësit kanë qenë përballja e tyre me një publik jashtë shkolle, por padiskutim edhe prania e miqve apo  familjarëve të tyre. Kjo traditë e bukur vë në pah përgatitjen e të rinjve, artistëve të së ardhmes, të cilët studiojnë në degët e muzikës, pikturës e fotografisë. Kjo është një punë dhe përkushtim i një stafi impenjativ, me në krye mësuesen Irma Hoxhaj dhe drejtorin Andi Bakiaj.

Pas ekspozitës “Diploma ime”, u organizua një tjetër aktivitet në qendër të qytetit të Fierit, një koncert me pjesë artistike nga nxënës të shkollës artistike "Jakov Xoxa", një nga nismat që ka marë kjo shkollë të shtrijë aktivitetet e saj brenda dhe jashtë qytetit.  Aktiviteti i fundit artistik, i realizuar fundjavën e kaluar, nisi me  interpretimin e balerinave të kësaj shkolle, duke vijuar me pjesë të luajtura nga nxënës instrumentistë, të cilët i emocionuan të pranishmit në koncert. Veprimtaria artistike u mbyll me një ekspozitë me punime të nxënësve të shkollës “Jakov Xoxa”.

Intervistoi: Sava Lena

Foto nga facebook