Rako Paja: E ardhmja e Shqipërisë është energjia e rinovueshme
2024-05-23 10:02:51

Energji-e-rinovueshme (Revista Monitor)

Energji-e-rinovueshme (Revista Monitor)

Shqipëria po bën progres të shpejtë në fushën e energjisë së rinovueshme. Raporti i Zyrës së Statistikave të Bashkimit Europian (EUROSTAT) e rendit të tretën Shqipërinë, pas Suedisë dhe Finlandës për konsumin e energjisë që rrjedh nga burimet e rinovueshme duke lënë pas të gjitha vendet e tjera të BE-së. Përfaqësues të biznesit të paneleve fotovoltaike thonë për Radio Ejani se Shqipëria përfundimisht është në rrugën e duhur në fushën e energjisë së rinovueshme, teksa shumë projekte pritet të finalizohen.


Shqipëria po ecën me hapa të shpejtë në drejtim të prodhimit të energjisë së rinovueshme, kjo bën që në të ardhmen të ulet edhe varësia nga kushtet atmosferike. E ndërsa fokusi për shumë vende është në këtë drejtim edhe Shqipëria po ndjek politikat e duhura me ritme të shpejta për të shfrytëzuar potencialet që ka në drejtimin e energjisë së gjelbër. Në një intervisë për Radio Ejani, Rako Paja, një nga themeluesit e  kompanisë së parë të instalimit të paneleve fotovoltaike në Shqipëri bën një përmbledhje në shifra të zhvillimit të tregut, i cili po përparon me shpejtësi në implementimin e teknologjive të reja.

“Për sa i përket sektorit të energjisë me burime të rinovueshme fotovoltaike Shqipëria është shumë mirë mendoj se ne sot flasim me fakte ku kemi gjithsej të instaluar rreth 17,190 abonentë që kanë marrë lejet në prodhimin e energjisë elektrike, në fuqi të instaluara janë rreth 17 megavat. Për sa i përket nënndarjeve kemi rreth 11,400 biznese. Kemi 473 shtëpi private dhe 40 abonentë publikë. Kjo do të thotë një vlerë shumë e mirë ku shohim se po dalim dhe dhjetëra qindra leje në nivel shumë të madh në megavat ku me 10, 50 apo 500 megavat.”- shprehet Rako Paja nga Eco Energia.

Vendi ynë, për shkak të kushteve atmosferike mjaft  të favorshme ka më shumë rrezatim diellor se vendet e tjera të Rajonit dhe përdorimi i energjisë së rinovueshme do të sillte përfitime.

Rako Paja (foto personale Z.Paja)

Rako Paja (foto personale Z.Paja)

“Shqipëria përfundimisht është në rrugën e duhur në fushën e energjisë së rinovueshme. Mendoj që e ardhmja e Shqipërisë është energjia e rinovueshme, ku populli shqiptar do të ketë shumë përfitime. Në këto vite kemi këtë fluks, kërkesa të panumërta dhe jemi shumë të kënaqur me bizneset dhe klientët shqiptarë që e kanë kuptuar këtë risi, e cila është nga risitë më të mira për të mbushur portofolin e qytetarit shqiptar. Eshtë fantastike. Këtu meriton dhe një bravo shumë të madhe qeveria, për këtë udhëtim dhe rrugë të hapur në këtë fushë të zhvillimit që duhej prej vitesh të ishte hapur, por më mirë vonë se kurrë. Sot Shqipëria vjen në vendet e dyta apo të treta në botë në prodhimin e energjisë.”

Qeveria ka marrë disa nisma  për të  lehtësuar bizneset, konsumatorët si dhe për të ofruar një të ardhme më të gjelbër.

“Këtu do shtoja dhe instalimet publike, të cilat kanë filluar të realizohen dhe në Shqipëri. Përsëri është një bravo e pushtetit lokal dhe qeverisë për një bashkëpunim më të ngushtë për të arritur çdo kosto me 0 lekë, duke instaluar impiante fotovoltaike nëpër objektet fotovoltaike, objekte publike. Ne arrijmë të kursejmë disa qindra mijëra euro, të cilat pushteti shumë mirë mund t’i japë në shenjë bonusi, apo ndihmë ekonomike në familjet e varfra shqiptare.”

Themeluesi i kompanisë “Eco Energjia”, Rako Paja thotë se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për të shtuar edhe më tej investimet në objekte publike për një eficencë më të lartë të energjisë.

“Kjo ka qenë dhe një nga ëndrrat e mia, që sot e kam mundësinë dhe faktin real për ta thënë publikisht dhe të plotë. Por qeveria shqiptare duhet patjetër me një shpejtësi marramendëse të realizojë të gjitha objektet publike, me panele fotovoltaike, jo vetëm por të krijojë fonde për të gjithë familjet në formën e grantit rreth 30 apo 50% për t’u realizuar të gjitha familjet shqiptare me prodhim energjie fotovoltaike. Duke bërë të tëra këto hapa Shqipëria rritet me 20 vende drejt BE-së. Shqipëria afrohet drejt BE-së, prandaj mundësitë tona janë të shprehim mendimet, dhe qeveria të marri vendimet.”

“Agroweb” në një artikull kushtuar Energjisë së Rinovueshme shkruan se nismat për të zhvilluar këtë sektor të ndërmarra nga Agjencia për Eficencën e Energjisë (AEE) me anë të fushatës “Bashkë për Eficencën e Energjisë” si dhe nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë synojnë që brenda vitit 2030, Shqipëria të jetë kampione rajonale në këtë sektor. Për të arrirë këtë objektiv, janë duke u ndjekur udhëzime të reja dhe projekte inovative, çka do të mundësojë që Shqipëria të bëhet një eksportues neto i energjisë deri në fund të dekadës.

Ky objektiv parashtrohet edhe në Planin Kombëtar për Energjinë dhe Klimën 2030 të qeverisë shqiptare, i cili shkon në linjë me Strategjinë Evropiane. Thelbi i nismave është  përdorimi i energjisë elektrike të pastër nga burime të rinovueshme me një kosto më të ulët, gjë që do të ndikojë pozitivisht në të gjithë sektorët zinxhirë deri te faturat e shtëpive tona.  Udhëzimet për lidhjen në sistemin e shpërndarjes së energjisë, certifikimi i audituesve energjetikë, kualifikimi i menaxherëve të energjisë dhe sistemi elektronik i lejeve janë disa nga hapat e ndërmarrë për të lehtësuar dhe promovuar përdorimin e burimeve të rinovueshme.

Renewable-Energy (erpainvest)

Renewable-Energy (erpainvest)

Objektivi është që deri në fund të dekadës, Shqipëria të arrijë që 54.4% të energjisë që konsumohet në vend ta prodhojë nga burime të rinovueshme. Është ky synim i ndërmarrë nga MIE, në draft-planin e ri për energjinë, efektet e të cilit do të shtrihen gjatë këtyre viteve. Më tej thuhet se ndërtimi i parqeve fotovoltaike vlerësohen nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë si shtylla e suksesit të Shqipërisë.

Lidhur me këtë, një ndër iniciativat e fundit të ndërmarra nga Ministria e Infrastrukturës është edhe hapja e ankandit hidrid për fotovoltaikët, një tjetër hap sa i takon rritjes së prodhimit duke u bazuar tek energjia e rinovueshme. Kësisoj, priten përparime në ndërtimin e parqeve fotovoltaike deri në vitin 2030 në Karavasta dhe Spitallë, të cilat do të prodhojnë 240 megavat energji fotovoltaike në total. Ndërkohë, deri në vitin 2030 nga burimet fotovoltaike prodhimi do të rritet me 490 megavat.Karavastaja, projekti i parë do të fillojë të prodhojë duke i shtuar Republikës së Shqipërisë 140 MW nga energjia diellore, një diell që nuk mungon në vendin tonë, përveç ditëve me shi, por që do të mundësojë rikuperimin e ditëve që i duhen Kaskadës së Drinit.

Ky balancim i energjisë diellore dhe asaj të prodhuar nga uji, por edhe ajo eolike që po ngrihet, do të bëjnë që Shqipëria të plotësojë aspiratën për 2030-ën. Objektivi është që deri në fund të dekadës, Shqipëria të arrijë që 54.4% të energjisë që konsumohet në vend ta prodhojë nga burime të rinovueshme. Është ky synim i ndërmarrë nga MIE, në draft-planin e ri për energjinë, efektet e të cilit do të shtrihen gjatë këtyre viteve.

Raporti i Zyrës së Statistikave të Bashkimit Europian (EUROSTAT) rendit të tretën Shqipërinë, pas Suedisë dhe Finlandës për konsumin e energjisë që rrjedh nga burimet e rinovueshme duke lënë pas të gjitha vendet e tjera të BE-së.

Në raport evidentohet se konsumi bruto i energjisë, që gjenerohet nga burime të rinovueshme për vitin 2022 në Shqipëri rezultoi në 44%. Zëvendëskryeministrja, njëherësh dhe Ministre e Infrastrukturës dhe e Energjisë, Belinda Balluku e cilësoi këtë një tregues i shkëlqyer për strategjinë e ndjekur deri më tani dhe një udhërrëfyes i qartë për rrugën në vijim. Indikatori i referohet raportit të konsumit të energjisë që rrjedh nga burimet e rinovueshme, kundrejt konsumit total të energjisë .Përdorimi i energjisë së rinovueshme ka shumë përfitime, duke përfshirë një reduktim të emetimeve të gazeve serrë, diversifikimin e furnizimeve me energji dhe një reduktim të varësisë nga tregjet e karburanteve fosile (nafta dhe gazi).