Presidenti kinez Xi Jinping dërgoi të mërkurën një letër për hapjen e Samitit të 14-të të Udhëheqjes për Turizmin Kinë-ShBA.
Në letrën e tij, Xi vuri në dukje se ky vit shënon 45-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kinës dhe ShBA-së. Bazat e marrëdhënieve kino-amerikane janë hedhur nga të dy popujt, dyert e marrëdhënieve dypalëshe janë hapur nga të dy popujt, historitë e këtyre marrëdhënieve janë shkruar nga të dy popujt dhe e ardhmja e marrëdhënieve do të krijohet nga të dy popujt.
foto: VCG
Presidenti kinez theksoi se turizmi është një urë e rëndësishme për shkëmbimet njerëzore dhe njohjen reciproke ndërmjet popullit kinez dhe popullit amerikan. “Ne mirëpresim ngrohtësisht turistët amerikanë të udhëtojnë në Kinë, të njohin miq kinezë, të përjetojnë kulturën kineze, të vizitojnë peizazhet e bukura të Kinës dhe të ndiejnë Kinën e vërtetë. Shpresojmë që të gjithë sektorët në të dy vendet mund ta shfrytëzojnë këtë samit si një mundësi për të thelluar shkëmbimet, për të konsoliduar konsensusin dhe për të ndërmarrë veprime pozitive, duke e përdorur bashkëpunimin turistik për të promovuar shkëmbimet njerëzore e për të trashëguar miqësinë kino-amerikane, si edhe duke ndihmuar në shndërrimin e Vizionit të San-Franciskos në realitet," u shpreh Xi.
Samiti i 14-të i Udhëheqjes për Turizmin Kinë-ShBA u hap në qytetin Xian të provincës Shaanxi të Kinës Veriperëndimore dhe ka temën "Turizmi promovon shkëmbimet kulturore midis Kinës dhe ShBA-së". Ky samit organizohet nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit e Kinës, qeveria e provincës Shaanxi, Departamenti amerikan i Tregtisë dhe Administrata e Turizmit e ShBA-së. (Li Huailiang/Artan)