Financim i ri për Bashkitë sipas Censit, parashikimet për ndarjen e fondeve
2024-05-22 11:09:59

Buxheti (Foto Rvista monitor)

Buxheti (Foto Rvista monitor)

Bashkitë e vendit mund të marrin më shumë ose më pak fonde vitin e ardhshëm. Paratë do të përcaktohen, në bazë të rezultateve të CENSIT për popullsinë dhe banesat. Në intervistë për Radio Ejani, Drejtori i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, Agron Haxhimali  jep një panoramë të situatës aktuale, duke nënvizuar  pritshmëritë.

“Buxheti i bashkive për sa i përket indeksimeve nga viti në vit ka ardhur në  rritje,  por  për sa i përket fokusit të investimeve për vitin 2023, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, paketa e tërë e investimeve për të 61 bashkitë e Shqipërisë ka pasur një ndarje jo shumë të drejtë. Të dhënat tregojnë se buxhetin më të lartë e kanë përfituar 12 bashki kryesisht më të mëdha të vendit, përfshirë bashkinë e Tiranës, ndërsa treguesi tjetër është që bashkitë e vogla, dhe kryesisht bashkitë nga zona e veriut nuk kanë qenë të mbështetura mirë në këtë drejtim për sa i përket investimeve. Kjo nuk është një gjë e mirë, nuk përbën një lajm shumë të mirë.”- tha Haxhimali  .

Popullsia e Shqipërisë dhe numri i banesave që do të dalin nga CENSI 2023, do të ndryshojnë skemën e financimit të bashkive në vend. INSTAT pritet  të publikojë të dhënat në muajin qershor, ndërsa në fundit të vitit Ministria e Financave do të bëjë rishpërndarjen e fondeve për 61 njësitë e pushtetit lokal.

“Për sa i përket shpërndarjes së buxhetit të bashkive sipas censusit sigurisht edhe në këtë moment prej shumë vitesh buxheti i bashkive ndahet bazuar në censusin. Kjo do të thotë që pjesën më të madhe të buxhetit e përcakton kriteri i popullsisë, pra 80% të transfertës së pakushtëzuar, sot e përmban kriteri i popullsisë. Nëse ne do t’i referohemi faktit se çfarë do të ndodhë pasi të kemi censusin e ri, i cili do të publikohet gjatë muajit shkurt të këtij viti, atëherë i bie që bashkitë që kanë numër më të vogël të popullsisë do të kenë një ulje të buxhetit, megjithatë do të shikojmë se çfarë rregullimesh do bëhen me qëllim që këto bashki të mos persekutohen të mos kenë probleme me uljen e buxhetit për faktin që ka një ulje të popullsisë.”

Si do të përcaktohet se cilat janë bashkitë që kanë më shumë nevojë për financime?

“Të gjithë bashkitë kanë nevojë për financime. Kemi faktet që janë të drejta dhe reale, bashkitë shqiptare janë më të nënfinacuara në krahasim me gjitha bashkitë e rajonit apo edhe të Ballkanit Perëndimor. Ato marrin 1% të PBB-së  nga transferta e pakushtëzuar, një shifër shumë e vogël po ta krahasojmë me vendet e tjera. Ka nevojë për më shumë financime dhe ne kemi kërkuar që ky buxhet të shkojë në 2% të PBB-së  për bashkitë, që atyre t’u jepen mundësi të mira për të filluar një zhvillim kronik të qëndrueshëm. Bashkitë e vogla dhe mesatare, i referohem këtu popullsisë jo sipërfaqes, bashkitë malore kanë nevojë për më shumë mbështetje dhe zhvillim ekonomik. Për hir të së vertetës aq mund të jetë potenciali i prodhimit të të mirave materiale që ka ajo bashki, por mund të them dhe se disiplina financiare, përmirësimi i shërbimeve, zgjerimi i bazës së taksave, krijimi i ekonomisë lokale në bashkitë dhe stafet e bashkive, duhet të punojnë më mirë.”

Agron-Haxhimali (Foto ballkanweb.com)

Agron-Haxhimali (Foto ballkanweb.com)

Haxhimali tregon se si paraqitet situata në drejtim të investimeve për të frenuar emigracionin dhe nxitjen e të rinjve që të qëndrojnë e punojnë në Shqipëri.

“Gjatë këtyre viteve, apo kryesisht pas reformës territoriale të vitit 2014-2015, të 61 bashkitë e Shqipërisë duhet të punonin më fort për të krijuar baza të shëndosha të zhvillimit ekonomik vendor, të hapnin vende të reja pune, të nxitnin turizmin familjar, malor, apo agroturzmin, të zhvillonin sektorin e bujqësisë aty ku jeton një pjesë e mirë e popullsisë. Gjithashtu duhet të  krijonin vende pune për të rinjtë dhe të rejat me qëllim që t’u krijohej mundësia të rrinin në zonat e tyre, në fshatin e tyre, në bashkitë e tyre dhe mos të largoheshin. Në fakt jo vetëm në bashkitë e vogla, por edhe në disa bashki të mëdha përveç Tiranës dhe Durrësit, emigracioni duket një rrjedhë që nuk do të ndalet. Këtu përgjegjësia nuk është vetëm e bashkive, por edhe e qeverisë qendrore dhe gjithë institucioneve, çka do të thotë që politika, institucionet, duke filluar nga presidenti, kryeministri, parlamenti, ministritë dhe vetë bashkitë kanë nevojë të ndërtojnë një platformë bashkëpunimi, të hartojnë politika për të frenuar emigracionin, sepse nuk po ikin një, disa apo një grup, por po ikën mendja, njerëz të shkolluar, fuqia punëtore.”- u shpreh Haxhimali.

Teksa parashikohet një fluks në rritje i turizmit, Drejtori i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë thotë se është punuar nga pushteti vendor për menaxhiminin e flukseve.

“Lidhur me menaxhimin e bashkive apo punët e bashkive në zonat turistike, ka pasur një progres shumë të mirë të turizmit. Vitet e fundit mjaft vizitorë, turistë apo grupe të ndryshme, kanë vizituar Shqipërinë, ky është një lajm shumë i mirë dhe me përfitime shumë të mëdha. Për aq sa i takon bashkive për menaxhimin e turizmit, unë besoj që është punuar mirë, por duhet punuar më mirë në sigurimin e infrastrukturës së rrugëve, kanalizimeve, ndriçimet, urbanistika dhe pjesa që lidhet me menaxhimin e mbetjeve që mbetet një hallkë shumë e vështirë. Një aspekt tjetër  është siguria dhe disiplina e shërbimeve për aq sa bashkitë mund të ndërhyjnë në sistemin e hotelerisë.”- tha  Haxhimali.

Harta e bashkive (Foto  Scan TV)

Harta e bashkive (Foto  Scan TV)

Deri tani fondet për bashkitë janë bërë sipas një formule që lidhet me administrimin e tyre në 42 funksione, por me panoramën e re që do të japë CENSI do të ndërtohet edhe formula e re e transfertës së pakushtëzuar. Në Strategjinë për Menaxhimin e Financave të hedhur për konsultim publik, thuhet se gjetjet e Censit do të shërbejnë për të parandaluar dhe korrigjuar veçanërisht çrregullimet demografike të dekadës së fundit.

Bazuar në të dhënat e publikuara nga INSTAT, numri i banorëve nuk mendohet të jetë më i lartë apo i njëjtë me një dekadë më parë, sikundër edhe struktura demografike.