Digat në Shqipëri (Foto ATSH)
Komiteti Kombëtar i Digave të Mëdha është organ i Këshillit të Ministrave të Shqipërisë. Ai ushtron kontrollin e Shtetit për sigurinë e digave dhe përfaqëson Shqipërinë në Komisionin Ndërkombëtar të Digave të Mëdha (ICOLD).
Shqipëria ka në Evropë numrin më të madh të digave të larta, për një milion banorë. Digat ndahen në diga të mëdha hidrocentralesh dhe në diga të mëdha për punimet në bujqësi. Një pjesë e digave të hidrocentraleve shtetërore janë mbi 50 vjeçare, pjesërisht të amortizuara dhe kërkojnë herë pas here punime mirëmbajtjeje.
Kaskada e lumit Drin me tre hidrocentralet e saj të Vaut të Dejës, Fierzës dhe Komanit përfaqëson një ekosistem të digave të mëdha në Shqipëri, të zgjidhur mjeshtërisht si projektim dhe kapacitete shfrytëzuese. Në dy hidrocentrale në Kaskadën e Lumit Drin dhe në Kaskadën e lumit Devoll, janë eksperimentuar me sukses sisteme moderne pompimi, për të marrë energji nga uji i rikthyer në hidrocentral
Sipas të dhënave nga Komiteti Kombëtar i Digave, në total në Shqipëri numërohen 351 diga të mëdha, një pjesë e të cilave administrohen nga kompani private.
Qeveria dhe Buxheti i Shtetit i këtij viti parashikojnë mbështetjen e 9 projekteve, përmes Fondit të Digave, për të rritur sigurinë e digave të mëdha. Fondi i Digave është një mëkanizëm financiar, i cili zbaton masat e politikës kombëtare të qeverisë, për parandalimin dhe menaxhimin e fatkeqësive natyrore.
Diga e Moglicës (Foto Portali i Energjisë)
Më datën 16 maj 2024, u zhvillua në Tiranë simpoziumi ndërkombëtar “Sfida dhe inovacione për diga të sigurta”. Në këtë aktivitet, Zvkryeministrja dhe Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Ballukum, theksoi se “Eksperienca europiane në menaxhimin e digave të mëdha është e vyer, por ne kemi dhe një eksperiencë shumë të mirë, që është ajo e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare.
Kaskada e Drinit, në dijeninë time, pas 6 vitesh që drejtoj sektorin energjetik në Republikën e Shqipërisë dhe që e njoh me pëllëmbë atë kaskadë, është një kryevepër arti e sistemit hidroenergjetik dhe, për më tepër, është një kryevepër arti e sistemit të digave.
Padyshim, e lënë pas dore vite më parë. Sot që flasim, kemi pasur ndërhyrje shumë të rëndësishme dhe të gjithë anëtarët e Këshillit Kombëtar të Digave të Mëdha e dinë edhe më mirë se unë, të paktën shpresoj unë që t’i dinë, që kanë qenë ndërhyrje të rëndësishme si për mirëmbajtjen e këtyre digave, edhe për sistemin elektromekanik të tyre.
Kështu që Republika e Shqipërisë ka bërë një hap të rëndësishëm përpara. Fillimisht, me identifikimin e të gjithë digave në territorin tonë, të ndara këto sipas madhësisë, në diga të mëdha, në diga të mesme apo diga të vogla. Diga të cilat prodhojnë energji dhe janë një “case study”, përsa i përket hidroenergjetikës, apo diga, të cilat janë të vendosura në rezervuarët tonë, që kanë padyshim edhe ato nevojë për t’u mirëmbajtur, për t’u rikonstruktuar, por që nga ana tjetër janë një vepër arti.
Ato tregojnë sesi e gjithë Republika e Shqipërisë ka arritur që në fillim të viteve ’70-të të shekullit të kaluar, që të vaditet përmes rezervuarëve.
Nëse ka diçka që ne sot duhet të ndërhyjmë, dhe këtu po i referohem sektorit të digave të mëdha, të cilat përdoren nga bujqësia, duhet të ndërhyjmë në kanalizime. Të punojmë me rrjetin e kanalizimeve, të lidhur me rezervuarët, i cili, padyshim, për shkak edhe të ndërtimeve informale, për shkak të një tranzicioni 30 vjeçar, ka pësuar dëme të konsiderueshme.
Do të ishte e udhës dhe është në planet e qeverisë, që ta rehabilitojmë këtë rrjet, duke qenë se bujqësia vazhdon të jetë një nga sektorët më fitimprurës në ekonominë e vendit, me ndikim të jashtëzakonshëm në shifrat e eksporteve shqiptare.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, në ndryshim total të 10 viteve më pare, i ka dhënë një vëmendje të veçantë digave. Unë personalisht jam ulur me anëtarët e Këshillit Kombëtar të Digave të Mëdha, për të kuptuar të gjithë problematikën. Kemi identifikuar që Këshilli Kombëtar i Digave të Mëdha nuk është aty vetëm për digat, por është për të na ofruar edhe këshillime të mëtejshme, pasi digat janë ngushtësisht të lidhura edhe me përmbytjet.
Rehabilitimi i digave (Foto Revista Monitor)
Një nga zgjidhjet që i kemi dhënë, përmes analizave dhe studimeve që Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka bërë, padyshim me mbështetjen e Këshillit Kombëtar të Digave të Mëdha, ka qenë edhe zgjidhja e problematikës së përmbytjeve në fushën e Shkodrës. Të gjitha këto janë të lidhura në një zinxhir të njëpasnjëshëm me emergjencat civile, të cilat duhet të përgatiten për të gjithë problematikat që mund të vijnë nga prurjet e tepërta të cilat shkarkohen në Kaskadën e Drinit, apo dhe në kaskada të tjera”.
Sot sfida më e madhe qëndron në sistemin ekologjik. Në të gjithë ciklin natyror ekologjik, i cili ka ndryshuar ndjeshëm.
Ky është viti i dytë me prurje të larta në kaskadën e Drinit. Shqipëria më parë ka patur një praktikë në Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare. Praktika ka qenë që kishim dy vite të thata dhe një vit të lagësht mesatarisht.
Ndërkohë, sot ka ndryshuar plotësisht panorama klimaterike e Shqipërisë dhe jo vetëm e Shqipërisë. Sot jemi duke u përballur me fenomene të tjera natyrore, të cilat i bëjnë akoma më sfiduese mbrojtjen, rehabilitimin dhe përdorimin e digave tona të mëdha .
Sot duhet një mendje e hapur, duhen marrë praktikat më të mira europiane dhe ndërkombëtare, përsa i përket trajtimit të digave të mëdha, bazuar në të gjitha të dhënat e reja klimaterike. Këto të dhëna po mblidhen kudo nëpër botë, pasi po ndodhin fenomene të paparashikuara, në vendndodhje të paparashikuara dhe të palokalizuara më parë.
Qeveria shqiptare sot ka bashkëpunime të shkëlqyera me institucionet ndërkombëtare, kryesisht me institucione europiane, që kanë eksperiencë të vyer në këtë fushë.
Në Shqipëri vijojnë të ndërtohen hidrocentrale me diga të mëdha, si dy hidrocentralet e Moglicës mbi lumin Devoll. Sot mundësitë janë më të mëdha, me teknologjinë moderne dhe me dëshirën e mirë e të gjithë vullnetin e Qeverisë Shqiptare, për të ndryshuar plotësisht situatën dhe për të kthyer Shqipërinë në një eksportuese neto të energjise elektrike, përmes projekteve zhvillimore të bazuara vetëm në energjinë e gjelbër të ujit, diellit dhe erës.