Foto nga VCG
Më 19 maj, helikopteri i presidentit iranian, Raisi, pësoi një aksident në një provincë të Iranit Veriperëndimor. Përveç presidentit, në bord gjendeshin edhe Ministri i Jashtëm, Guvernatori i provincës dhe disa zyrtarë shoqërues. Deri tani, helikopteri nuk është gjetur ende.
Sipas CMG-së, ekipet e shpëtimit po përballen me vështirësi shumë të mëdha.
Së pari, aksidenti ndodhi në një rajon me male dhe pyje, ku terreni është shumë i vështirë për lëvizjen e makinave. Ndërkohë aksidenti ndodhi në një kohë me mjegull të madh. Përveç këtyre, shefi i shtabit të forcave të armatosura të Iranit u shpreh se pas aksidentit, pala ushtarake mobilizoi pajisje, aparate dhe staf ushtarak e policor për shpëtimin e helikopterit.
Sipas një lajmi pak më herët, komandanti i gardës revolucionare të provincës u shpreh se është identifikuar sinjali i helikopterit dhe sinjali i celularit të një ekuipazhi në bord. Aktualisht një kontingjent i madh forcash shpëtuese po bëjnë kërkime për shpëtim.
Sektori meteorologjik tha se natën e 19 majit, zona e aksidentit po përballej me një rrymë të ftohtë ajrore, temperatura të ulta dhe reshje. Këto faktorë janë shumë negativë për ekipin e shpëtimit. Fillimisht u përdorën drona dhe helikopterë për kërkim, por për shkak të motit shumë të keq, u detyruan të kthehen pas. Në rrugën pranë zonës së aksidentit, janë parkuar shumë makina policore dhe ambulanca, por ekipi i shpëtimit mund të futet vetëm me këmbë në këtë zonë.
Lideri suprem i Iranit Hamenej, u shpreh pas aksidentit që shpreson se Presidenti Raisi dhe shoqëruesit e tij të kthehen mbarë, ndaj të gjithë duhet të luten. Populli iranian nuk duhet të shqetësohet, pasi punët shtetërore dhe qeveritare nuk do të ndikohen nga kjo ngjarje.
Foto nga VCG
Zv/presidenti i parë i Iranit Mokhber, zhvilloi një mbledhje, ku ngarkoi me detyrë zv/presidentin Mansouri dhe ministrin e Shëndetësisë për të shkuar në vendngjarje. Ndërkohë qeveria do të vënë në përdorim të gjitha forcat për të ndjekur zhvillimin e aksidentin.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Guterrez publikoi një deklaratë pasditen e 19 majit, ku u shpreh se po ndjek me vëmendje njoftimet për rënien e helikopterit të Presidentit Raisi. Ai shpreson që Presidenti Raisi dhe shoqëruesit e tij të jenë në gjendje të mirë.
Presidenti turk Erdogan u shpreh më 19 maj se Turqia po i kushton vëmendje të madhe këtij aksidenti. Ajo po mban lidhje me palën iraniane dhe është gati të ofrojë ndihma në një kohë të duhur.
Më 19 maj, Ministria e Jashtme turke deklaroi se Turqia po ndjek me vëmendje aksidentin dhe shpreson që Presidenti Raisi, Ministri i Jashtëm dhe zyrtarët e tjerë, të jenë në gjendje të mirë dhe të sigurt. Turqia ka ofruar mbështetje të ndryshme për ekipin e shpëtimit.
Foto nga VCG
Ministria e Mbrojtjes deklaroi se pas kërkesave e Iranit, Turqia i ka dërguar ekipit të shpëtimit disa drona dhe një helikopter për vizionim gjatë natës. Drejtoria e Turqisë për Fatkeqësitë dhe Emergjencat bëri të ditur që 32 pjesëtarë të ekipit të shpëtimit dhe disa makina nga Van dhe Erzurum janë nisur për në zonat përkatëse.
Ndërkohë, qeveria irakiane publikoi një deklaratë, ku thuhet që kryeministri i Irakut, al-Sudani ka udhëzuar Ministrinë e Brendshme, Gjysmëhënën e Kuqe të Irakut dhe institucione të tjera, për të dhënë ndihmë në veprimet e shpëtimit. (Jiang Lei)