Reperi Kiddmarioo (Foto personale)
Mario Dervishanji, i njohur me emrin e skenës Kiddmarioo është një këngëtar reper, tekstshkrues dhe kompozitor shqiptar. Ai u bë më i njohur me këngën e tij “13”, me të cilën debutoi në klasifikimin e 100 këngëve më të mira moderne shqiptare në “The Top List”, Top Awards. Tashmë artisti durrsak ka sjellë një tjetër projekt, në bashkëpunim me reperin italian Martino. Kënga titullohet “ITA-ALB” dhe ka pak kohë që është publikuar në YouTube, ku ka marrë shumë shikime dhe komente nga fansat e tij të shumtë. Videoklipi i kësaj kënge është xhiruar në qytetin e Romës, kryesisht në tunelin Porta Della Verita (Viterbo). Në një intervistë për Radio Ejani ai tregon për rrugetimin në muzikë, si dhe projektet muzikore në vazhdim.
Marjus Dervishanji (Kiddmarioo) ne interviste per CMG
CMG: Kur ka nisur pasioni yt për muzikën?
Marjus Dervishanji: Unë kam gati 10 vjet që merrem me muzikë, por profesionalisht kam 5 vjet me disa shokë të mi shumë të ngushtë. Gjithmonë rruga e muzikës ka qenë shumë e vështirë, për mua dhe për shoqërinë time, duke ditur se artistët e mëdhenj në Shqipëri nuk i mbështesin shumë artistët e rinj. Kështu që mundohemi me forcën tonë që të ecim përpara dhe tani jam në majat e karrierës dhe nuk kam për t’u ndalur kurrë.
CMG: Cila është rryma muzikore që ti ndjek?
Marjus Dervishanji: Kryesisht merrem me hip-hop, është një rrymë muzikore që më përshtatet mua. Gjithashtu edhe tekstet e mia janë nga jeta ime, ku jeta e përditëshme më frymëzon më shumë.
CMG: Përveç teksteve që i shkruan vetë, ti edhe i kompozon vetë këngët?
Marjus Dervishanji: Mundohem të bëj më të mirën, unë shkruaj tekstet vetë dhe kompozoj vetë muzikën. Kështu që gjithçka që flitet në tekst janë gjëra nga e kaluara dhe e tashmja ime.
CMG: Nga e merr frymëzimin kur shkruan një tekst kënge?
Marjus Dervishanji: Unë frymëzohem nga jeta ime e përditshme, sepse kam patur një jetë jo shumë të mirë. Kështu që gjithçka që më ndodh mundohem që të shkruaj nga pak çdo ditë.
Reperi Kiddmarioo ne xhirimet e videoklipit (Foto personale)
CMG: Sa këngë ke realizuar deri tani dhe si janë pritur nga fansat tuaj?
Marjus Dervishanji: Deri tani kam publikuar në kanalin YouTube gjashtë projekte, ku kënga e fundit është një bashkëpunim me një reper italian që quhet Martino.
CMG: Si arrite të bashkëpunosh me artistin italian Martino?
Marjus Dervishanji: Një shoku ynë i përbashkët më ka njohur me të, duke parë që ne jemi të dy të së njëjtës rrymë muzikore. Kombinimi ka qenë perfekt dhe xhirimet e videoklipit të këngës janë realizuar në Itali.
CMG: Kënga me reperin italian është në shqip dhe italisht?
Marjus Dervishanji: Unë jam shqiptar dhe i gjithë teksti im i këngës është shqip, dhe artisti italian Martino ka kënduar në italisht. Kemi bërë një kombinim dy gjuhësh, shqip-italisht dhe titulli i këngës është Ita-Alb. Kështu që gjithçka në këngë ka ardhë prej prejardhjeve tona.
CMG: Në cilën studio i realizon produksionet muikore?
Marjus Dervishanji: Unë bashkëpunoj me një studio produksioni në Tiranë, ku producenti im personal është Destro, që e falenderoj shumë për punën e tij të palodhshme me ne artistët.
Kiddmarioo gjate xhirimeve te videoklipit (Foto personale)
CMG: Ka një histori emri juaj artistik Kiddmario?
Marjus Dervishanji: Emri im artistik është Kiddmarioo ose Kiddmarioo Kampion, dhe ndoshta më përshtatet ky emër. Zakonisht njerëzit që më njohin më thërrasin kampion. Kështu që dhe kidd, që shtohet para është sepse kam qenë më i vogli i shoqërisë, dhe i është përshtatur perfekt emri që kam vendosur.
CMG: Ke marrë pjesë në ndonjë aktivitet muzikor në Shqipëri?
Marjus Dervishanji: Kam qenë pjesëmarrës në finale e një një festivali, ku isha i ftuar nga artisti Kastro Ziso. Ky festival u organizua në Tiranë dhe gjithçka shkoi mirë.
CMG: Ke ndonjë artist idhull të rrymës hip-hop në Shqipëri?
Marjus Dervishanji: Mënyra sesi ka bërë muzikë dhe e ka kaluar në biznes, për mendimin tim personal është Noisy. Gjithçka që ai ka bërë është po e njëjta gjë që unë po bëj tani. Pothuajse jemi në dy botë paralele, pavarësisht se ai është më i ngritur, por shpresoj që me forcën dhe vullnetin që kam të kem sukses sa ai.
CMG: Përveç muzikës ke pasione të tjera në jetë?
Marjus Dervishanji: Unë kam qenë gati një vit e gjysmë në boks, por pas disa problemeve personale më është dashur të shkëputem nga boksi. Kështu që e kam peng, dhe nëse më jepet mundësia për herë të dytë, pse jo, do ta vazhdoja me shumë qejf.
CMG: Pse të ka tërhequr ky lloj sporti?
Marjus Dervishanji: Kam qenë më i dobët, dhe ndoshta ka qenë pjesa e vetmbrojtjes, për të pasur një profesion që ka të bëjë për pjesën e luftëtarit. Më ka pëlqyer gjithmonë që të rrezikoj, dhe ky ka qenë profesioni i parë para muzikës.
Reperi durrsak Kiddmario (Foto personale)
CMG: Cila është pika jote më e dobët dhe ajo më e fortë?
Marjus Dervishanji: Pika ime më e dobët është e vështirë ta them, por më e forta është se nuk dorëzohem lehtë.
CMG: Të pëlqen të udhëtosh në vende të ndryshme?
Marjus Dervishanji: Një pasion tjetër i imi janë edhe udhëtimet, sepse dhe frymëzohem nga pamjet. Mundohem që të udhëtoj shpesh me shoqërinë më të mirë që kam.
CMG: Si e shikon të ardhmen tënde në lidhje me muzikën?
Marjus Dervishanji: Synimi im në muzikë është të bëhem i njohur jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën.
CMG: Cilat janë projektet tuaja muzikore në vazhdim?
Marjus Dervishanji: Kam gati shtatë projekte muzikore të përfunduara, ky dy prej tyre kanë përfunduar dhe videoklipet, dhe njëra me reperin italian Martino është publikuar. Ndërkohë që këngët e tjera mund të përfundojnë nga fundi i majit. Momentalisht dua që ti le hapësirë këngës që kam në bashkëpunim me reperin italian.
CMG: Besoj se kënga me reperin italian dëgjohet dhe nga publiku i huaj?
Marjus Dervishanji: Kemi njohje në të gjithë botën, dhe mundohemi të bëjmë më të mirën për ta njohur të huajt gjakun që ne kemi, dhe karakterin e fortë të shqiptarit në të gjithë botën.
CMG: Një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe adhuruesit tuaj.
Marjus Dervishanji: Unë i përshëndes të gjithë, dhe dua të jap një mesazh që kurrë mos të dorëzohen, pavarësisht çdo gjëje që ju ndodh në jetë.
Intervistoi: Gazmend Agaj