Gjirokastra, qyteti që ofron turizëm në çdo stinë
2024-05-20 10:36:35

Qyteti i gurte- foto ATSH

Qyteti i gurte- foto ATSH

Kalldrëmet e gurta të qytetit të Gjirokastrës gjallërojnë në të gjitha stinët nga turistët vendas e të huaj. Në Gjirokastër nuk flitet për sezon turistik, por për turizmin gjithëvjetor. Nga janari deri në dhjetor Gjirokastra dhe rrethinat mirëpresin turistët vendas dhe të huaj.  Shifrat flasim vetë: gjatë vitit 2023 në Gjirokastër u regjistruan 50% më shumë turistë se në 2022, ndërkohë që shifrat e këtij viti pritet të kalojnë vitin 2023.

Pamje nga Gjirokastra- foto Wikipedia

Pamje nga Gjirokastra- foto Wikipedia

Po çfarë e bën Gjirokastrën kaq të pëlqyer?

Gjirokastra është një qytet me një arkitekturë tepër të veçantë që mbrohet nga UNESCO. Përveç kësaj vëmëndjen e turistëve e marrin organizimet e shumta të aktiviteteve kulturore-artistike, panaireve, koncerteve, ekspozitave, shfaqjeve të  filmave, etj.

Konkretisht, ndër aktivitetet më mbresëlënëse është Festivali Folklorik Kombëtar, i cili e kthen qytetin e gurtë në kryeqendrën kombëtar të promovimit të vlerave të folklorit dhe traditës; Festivali I filmit “Open Cinema”, Çeço Fest, Iso mbi kalldrëm, Divani lunxhot, Ditët e Kulturës Ndërkombëtare etj. Të gjitha aktivitete kanë ndikuar që turistët të kenë interesin për ta vizituar në çdo stinë qytetin e gurtë. Këto aktivitete e pasurojnë guidën turistike të qytetit si dhe rrisin kohëqëndrimin e turistëve në qytet dhe në fshtatrat përreth.

Turistët që shkojnë në Gjiroaktër vizitojnë vlerat natyrore, objektet historike, trashëgiminë kulturore dhe monumentet e kulturës në Qarkun e Gjirokastrës.

Pazari i Gjirokastres -foto ATSH

Pazari i Gjirokastres -foto ATSH

Pikat më të preferuara për t’u vizituar nga turistët janë Pazari karakteristik, Kalaja, muzeumet e qytetit, komplekset muzealë të Zekatëve, Skëndulajve, etj. Jashtë vëmendjes të turistëve nuk ngelen edhe vlera të tilla si Parku Natyror i Viroit, siti arkeologjik i Antigonesë, por edhe resurset turistike në njësitë administrative. Tashmë guida turistike në Gjirokastër krahas qytetit të gurtë përfshin edhe udhëtimin apo qëndrimin një dhe disaditorë të turistëve në Lunxhëri, Cepo, Odrie, Antigone, etj.

Megjithatë dy pikat më interesante të qytetit ku shihet përqëndrimi më i madh i turistëve janë kalaja në majë të kodrës dhe Pazari i vjetër i shekullit të 18-të, me një formë mjaft karakteristike, ku turistët shëtisnin rrugëve me kalldrëm në kërkim të gatimeve, si dhe punimet artizanale të zonës, që janë perde, punë me grep, qëndisma, qilima dhe kostume tradicionale.

Gjirokastra-foto kult plus

Gjirokastra-foto kult plus

Gjirokastra ka një traditë të pasur kulinarie dhe finese. Ushqimet përgatiten me shumë dashuri nga gjirokastritet të ciilat kanë ditur të ruajnë mjaft mirë traditat e të parëve. Menuja që ofrohet përbëhet kryesisht nga pjata lokale, duke përfshirë qofte të shijshme të bëra me mish të grirë dhe oriz, plot erëza aromatike, që njihen si qifqi. Po kështu në bujtinat e shumta turistët pëlqejnë  byreqe të llojeve të ndryshme, lakrorëve, mishin, rakinë, turshitë, hoshafin, etj.

E njohur për shtëpitë e veta karakteristike, çatitë prej guri dhe muret e bardha, Gjirokastra është një nga pikat kryesore të turizmit në vend. Qytet është  përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që nga viti 2005, si një nga pak shembujt e mbijetuar në Ballkan të qyteteve tregtare të stilit otoman.

E vendosur në Shqipërinë jugore, Gjirokastra qëndron në shpatet e pjerrëta të luginës së lumit Drino, në një pozicion mbisundues mbi një peizazh të pasur me histori, kufijtë e të cilit përvijohen nga maja malesh të larta.

Ky është "qyteti i një mijë shkallëve" që përfshin qindra shtëpi-kullë të tipit otoman me çatitë dalluese të gurta, ballkonet e drunjta dhe muret e gurta herë-herë të zbardhura me gëlqere.

Neritana Kraja