Turizmi shqiptar, fillimvit i mbarë dhe pritja e sezonit veror
2024-05-20 10:37:39

Viti 2024 nisi me rritje të shifrave të flukseve hyrëse turistike drejt Shqipërisë. Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro në komunikimet e saj publike të fundit e ka cilësuar vitin 2024 si gurin e provës dhe një sfidë e përgjegjësi të madhe për të përballuar me sukses flukset e shtuara turistike. Disa nga masat e marra nga ministria e Turizmit dhe Mjedisit për këtë vit janë mbështetja e 8 bashkive bregdetare me operatorë shtesë pastrimi, ngritja e një Task Force në bashkëpunim me ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë për kontrollin e menaxhimit të ujërave të ndotura dhe për të përmirësuar cilësinë e ujërave në plazhe, certifikimi i detyrueshëm i operatorëve turistikë detarë dhe prezenca e vrojtuesve në çdo stacion plazhi.

Bregdeti i jugut të Shqipërisë (Foto Abc News)

Bregdeti i jugut të Shqipërisë (Foto Abc News)

Ekspertja e njohur e turizmit Flora Xhemani Baba për Grupin Mediatik të Kinës komenton turizmin e pesë muajve të parë të vitit dhe pritshmëritë për sezonin veror

CMG: Vitin e kaluar statistikat shënuan 10,1 milionë turistë në Shqipëri. Për këtë vit operatorët turistikë kanë llogaritur një rritje prej gati 40 përqind. Në vlerësimin tuaj si eksperte e turizmit, edhe ky vit do të sjellë turizëm masiv për Shqipërinë?

Flora Xhemani Baba: Edhe unë jam shumë e lumtur kur shikoj që tashmë qytetet turistike  të Shqipërisë si Berati, Gjirokastra, Kruja, Tirana, Shkodra, apo Saranda më së shumti gjatë verës, kanë turizëm gjithëvjetor, i cili edhe pse me luhatje mund të gjesh turistë në Berat e Gjirokastër edhe në janar apo shkurt. Besoj se ky ka qenë synimi dhe dëshira e të gjithë atyre që merren me  turizëm që qytetet kulturore të Shqipërisë të jenë si ato kudo në botë që janë gjatë gjithë vitit të mbushura me turistë.

Pritet një fluks më i lartë prej 30-40 për qind siç është parashikuar, por nuk është një lajm i mire sepse ka një cak drejt të cilit ne kam frikë se po shkojmë përtej. E kemi thënë vazhdimisht që shifra 10 milion është diskutuar nëse janë tërësisht turistë, apo edhe nëse janë hyrje-dalje, nuk janë një numëer njerëzish. Sepse një njeri mund të gjenerojë disa hyrje-dalje. Pavarësisht kësaj, ne e dime se shifra 10 milion vjen në harkun kohor të një viti, por edhe nëse janë kaq apo më pak, janë shumë për një vend të vogël si Shqipëria, të cilës i mungojnë  jo vetëm kapacitetet njerëzore, prandaj nuk duhet të lumturohemi se do të na shtohet numri i turistëve. Ne nuk e kemi në dorë të ndalojmë rrjedhën.

CMG: Ka një kuriozitet të madh të turistëve për të ardhur në Shqipëri.  Mjafton të qëndrosh në Tiranë në fundjavë dhe shikon që në rrugët kryesore ka më shumë turistë të huaj se sa vendës.

Ekspertja e turizmit Flora Xhemani Baba në intervistë për CMG

Ekspertja e turizmit Flora Xhemani Baba në intervistë për CMG

Flora Xhemani Baba: Jo vetëm në rrugët kryesore, por edhe në lagjet periferike të Tiranës si Astiri, Fresku, Bulevardi i Ri pra të gjitha pellgjet e Tiranës janë tashmë të mbushura me turistë, të cilët i shikon kudo. Kjo është një gjë e mire sepse çdo qytet në këtë mënyrë gjallërohet, merr jetë dhe ka rritje ekonomike.

Por mendoj se nuk duhet t’i gëzohemi më shifrës, por duhet të ulemi dhe të bëjmë plane dhe strategji, që për fat të keq nuk po e bëjmë siç duhet në disa aspekte. Kaosi po ndodh në mënyrën se si po e presim ne këtë fluks turistësh.

CMG: E kemi thënë dhe në një intervistë të kaluar se Shqipërinë e kapi të papërgatitur gjithë ky fluks vizitorësh. Por një ndikim të madh kanë patur mediat, sidomos ato ndërkombëtare, që e kanë etiketuar Shqipërinë si Maldivet, me të cilat tashmë u mësuam. Kur thoni se nuk duhet një sasi kaq e madhe turistësh, e keni fjalën që të kalohet te strategjia dhe cilësia e turizmit?

Flora Xhemani Baba: Sigurisht.  Kush është ai invidit, apo biznes që nuk do më shumë të ardhura, por mendoj se një shifër 4.2 miliard euro për një numër turistësh 10.1 milion është shumë pak. Duhet të ishte e kundërta që të gjeneronim me 4-5 milion turistë të ardhura prej 7-8 miliard euro. Kjo do të ishte më e drejtë, më e logjikshme për një vend me potenciale të fuqishme turistike si Shqipëria.

Pamje nga Ksamili (Foto Syri tv)

Pamje nga Ksamili (Foto Syri tv)

CMG: Në fakt, kjo është një periudhë tranzitore. Vitet 2022-2023 me fluksin e tyre turistik e gjetën vendin të papërgatitur dhe sigurisht që autoritetet qendrore do të trajtojnë këtë. Ministrja Kumbaro ka deklaruar se objektivi i qeverisë është që për vitin 2030 të kemi turizëm elitar. Si e komentoni këtë objektiv pare  kushtet aktuale të turizmit

Flora Xhemani Baba: Pra na duhen edhe 6 vjet të tjera që të shkojmë te turizmi elitar?

CMG: Sipas jush, si eksperte turizmi elitar nënkupton çmime më të larta?

Flora Xhemani Baba: Turizmi elitar nënkupton të ardhura më të larta për turist. Kjo do të thotë që Shqipërisë duhet t’i afrohet një lloj turisti apo konsumatori që mund të shpenzojë shumë, por nga ana tjetër kërkon dhe një listë shërbimesh, të cilat aktualisht ne nuk i kemi. Për shembull turist elitar mund të konsiderohet një turist i jahteve, i hoteleve luksoze me 7 yje, të pajisura me kazino, qendra spa, shërbime ekskluzive me kosto të larta dhe ushqim super cilësor. Pra kjo është ajo që praktikisht kanë destinacione bregdetare të Mesdheut, si Italia, Kroacia, Mali i Zi me ishujt e tij ekskluzivë.

Turizëm elitar mund të quhet dhe turizmi i bujtinave, ku kemi të bëjmë me numrin e vogël të njerëzve që gjeneron një zone e vogël rurale. Nëse në një bujtinë të tillë nuk vijnë më shumë se 20 apo 30 turistë, kjo do të thotë se nuk shkaktojnë ndotje në mjedis dhe i krijojnë të ardhura ekonomisë lokale. Ky grup turistësh mund të mbahet në destinacion përmes një oferte turistike shumë të diversifikuar të cilën ne e kemi në çdo kilometër katrorë.

CMG: Ka patur një problematikë vitin e kaluar, sa i përket mungesës së forcës së punës në turizëm. A vazhdon të jetë kjo mungesë dhe në këtë sezon?

Flora Xhemani Baba: Situata është po aq problematike, Jemi përpara një realiteti që vërtet ka përpjekje të vazhdueshme të të gjitha hallkave, si rritje të numrin të shkollave profesionale, rritje të numrit të studentëve të këtyre shkollave që nga të mesmet deri në degët në fakultete, hapje e një departamenti turizmi edhe në fakultete ku nuk ka patur të tillë, nxitjen e studentëve për t’iu kthyer degëve të turizmit.

Turistë në Gjirokastër (Foto Albeu.com)

Turistë në Gjirokastër (Foto Albeu.com)

Ndërkohë i gjithë sistemi arsimor do të përpiqet të mbyllë provimet më herët deri në mes të qershorit, me qëllim që i gjithë kontingjenti që ka dëshirë të punësohet part-time, madje dhe pedagogët janë vetëofruar si konsulentë, trajnues në terren për të trajnuar sa më shumë stafe dhe për t’i bërë sa më efikase në drejtim të sezonit.

Gjithësesi nuk është e mjaftueshme dhe nisma e qeverisë për të sjellë 40  mijë filipinas e shikoj me skepticizëm.

CMG: Po afron sezoni veror turistik. Nga informacionet që keni, sip o shkojnë përgatitjet? Disa qytete turistike e kanë çelur sezonin, por cila është oferta turistike sivjet, cilat janë risitë e turizmit shqiptar këtë vit?

Flora Xhemani Baba: Risi në kuptimin e ofrimit të ofertës turistike nuk ka. Kemi restorte “all inclusive” në vijën bregdetare  Kavajë-Durrës, por ka të tilla dhe në vijën bregdetare të Lezhës, si në Shëngjin dhe Tale që po popullohet.Ndërkohë kemi turizëm “full board” në Velipojë, që është  një ofertë tashmë klasike, ku 80-90 për qind e hoteleve ofrojnë 3 vakte me çmime konkurruese deri në 35 euro në ditë. Kemi ofertën “bad and breakfast” në Vlorë dhe në Rivierë, si dhe në Sarandë.

Këtë sezon do të ketë hotele shumë të shtrenjta kryesisht në Rivierë, duke filluar nga Vlora e poshtë.

CMG: Me më të shtrenjta  i referoheni vitit të kaluar?

Flora Xhemani Baba: Po. Ato që vjet kanë patur dhoma me 200 euro nata do të shkojnë   deri në 250-300 euro. Edhe apartamentet e vijës së pare të bregdetit do të kushtojnë më shumë  dhe në këtë drejtim të mos harrojmë se euro ka rënë më shumë se vjet. Ndërkohë që sivjet janë marrë masa, por euro vazhdon të surprizojë  duke shkuar poshtë e më poshtë dhe rrezikon që në kohën e fluksit turistik të bjerë akoma më shumë.

CMG: Gjeografia e turistëve që vizitojnë Shqipërinë sipas mediave flet për interesim të madh të turistëve italianë, spanjollë por dhe nga vende të tjera. Ndikon këtu dhe shtimi i fluturimeve low cost drejt Shqipërisë. A mund të na bëni një klasifikim të turistëve?

Flora Xhemani Baba: Në një klasifikim të përgjithshëm vendin e pare do ta mbajnë turistët nga Kosova. Në vendin e dytë janë turistët e “all inclusive” ku përfshihen polakët, nordikët që nuk janë të pakët në numër. Ka të paktën 4-5 tur operatorë në këtë drejtim. Ndërkohë shtetas polakë dhe çekë kanë blerë shtëpi në Shqipëri si dhe ka agjenci polake apo çeke që sjellin vetë turistë në vendin tone.

Në vendin e tretë hyjnë italianët dhe numri i tyre është rritur  dhe nuk janë më siç ishin etiketuar në fillim si “turistët e mbjelljes së flokëve” apo “turistët dentarë”.  Tashmë italianët vijnë për turizëm të organizuar në grupe ose në mënyrë individuale. Janë turistë nga jugu por dhe nga veriu i Italisë.

Edhe turistët spanjollë po shkojnë në një klasifikim interesant  dhe po rritet numri i tyre dhe ka shumë grupe turistësh spanjollë që vijnë dhe për shkak të linjave direkte dhe me çmime të arsyeshme.  

Sigurisht që ka dhe shumë turistë gjermanë, austriakë, zviceranë dhe holandezë. Këta janë turistët më të shumtë të destinacioneve të kulturës  dhe janë turistët që shpenzojnë më shumë.

CMG: Ishte një klasifikim europian ky, por do të doja të dija dhe për turistë të tjerë nga Azia, Amerika, apo vende të tjera më të largëta

Turistë të huaj në Tiranë (Foto Ministria e Turzimit dhe Mjedisit)

Turistë të huaj në Tiranë (Foto Ministria e Turzimit dhe Mjedisit)

Flora Xhemani Baba: Turizmi aziatik është një prurje shumë interesante. Por edhe turistët nga Amerika tani janë shtuar ndjeshëm, pavarësisht se nuk kemi linja direkte fluturimi, por ndoshta mund të vendoset një linjë direkte Nju Jork-Tiranë.

Rritja e ndjeshme e numrit të turistëve, sidomos kinezë, por dhe japonezë dhe nga vende të tjera aziatike si dhe nga vendet e Lindjes së Mesme përbëjnë një prurje interesante  sepse ata gjithashtu hyjnë te turizmi kulturor, gjithëvjeçar

CMG: Sepse nuk janë të fokusuar në pushimet në bregdet

Flora Xhemani Baba: Po.  Ky është një lehtësim i madh për ne sepse të mendosh që turistët kinezë të vijnë në sezonin veror do të jetë e vështirë për akomodim, sepse është kulmi i fluksit të pushuesve

CMG: Edhe agjencitë turistike janë të mirëorientuara në këtë drejtim. Mjafton të kujtojmë se sivjet turistë kinezë kishin ardhur në shkurt për të festuar në Shqipëri Vitin e Ri Kinez. Po kështu agjencitë besoj se orientohen dhe në periudhat e pushimeve në Kinë, jo vetëm Viti i Ri Kinez, por dhe pushimet në tetor me rastin e Festës së Republikës dhe këto periudha nuk përkojnë me fluksin veror në Shqipëri

Flora Xhemani Baba: Në pranverë dhe vjeshtë dhe çmimet janë të leverdisshme, por dhe moti është ideal. Edhe në botë turet kulturore zhvillohen në pranverë dhe vjeshtë. Megjithatë mund të shfrytëzohet mjaft mire dhe dhjetori, janari dhe me traditën e re të hapjes së qytezave të Krishtlindjes, i gjithë muaji dhjetor mund të shfrytëzohet për ture, si dhe muajt shkurt dhe mars, kur festojmë Ditën e Verës dhe festa të tjera.

Intervistoi Eda Merepeza