Bruna Sata, muzika pasion dhe profesion
2024-05-19 16:34:54

Bruna   Sata (Foto nga facebook)

Bruna Sata (Foto nga facebook)

Këngëtarja shkodrane Bruna Sata e ka nisur muzikën që në moshë të vogël. Ka qenë mësuesja e saj e cila e zbuluar talentin e Brunës, që në ditën e parë të shkollës. Më pas mësuesja e drejtoi për të marrë pjesë në festivalin për fëmijë në Shkodër “Bilbilat e vegjël këndojnë” ku u nda me çmimin e parë. Më pas Bruna u angazua me muzikën, duke vijuar studimet për Kanto në Liceun Artistik “Prenk Jakova” dhe është diplomuar për Pedagogji Muzikore. Dashuria e saj për muzikën vazhdon ta shoqërojë. Ajo interpreton live çdo natë, por gjithashtu sapo është angazhuar me aktivitete artistike në qytetin e Shkodrës, ku ishte pjesë e koncertit në Teatrin “Migjeni” “Pranverë me kangë”, ku interpretoi një këngë italiane. Në intervistë për Radio Ejani, Bruna Sata rrëfen për rrugëtimin  artistik, por edhe planet e saj për të ardhmen.

Bruna Sata ne performancat live (Foto nga facebook)

Bruna Sata ne performancat live (Foto nga facebook)

CMG: Bruna, ke marrë  pjesë së fundi në koncertin e përvitshëm në Shkodër, "Pranverë me kangë". Si shkoi ky aktivitet dhe si ishte pjesëmarrja jote aty?

Bruna Sata: Ka qenë një koncert shumë i bukur, shumë impenjativ. Këngët kanë qenë të përzgjedhura nga muzika e lehtë dhe të punuara me kujdes nga orkestra e qytetit të Shkodrës  me  në krye profesor Ilir Zoga dhe  kemi punuar me prova ditë e natë. Për fatin tim të mirë marr pjesë për të dytin vit radhazi në këtë koncert që është kthyer tashmë në një traditë e Shkodrës. Për mua ka qenë kënaqësi të performoja në vendin tim të lindjes dhe në Teatrin "Migjeni".

CMG: Me çfarë kënge more pjesë dhe si ishte pritja e publikut shkodran?

Bruna Sata: Ishte kënaqësi që të merrja duartrokitjet e publikut shkodran.Këtë vit unë zgjodha këngën "Luna" të Alessandro Safinës. Është një këngë shumë e njohur dhe besoj se të gjithë e kanë patur mundësinë që ta kenë dëgjuar të paktën një herë në jetë. Kjo si këngë transmeton shumë emocion në publik dhe unë mundova që ta përcjell këtë  emocion që është detyra e çdo artisti. Mendoj se ja arrita qëllimit sepse e pashë nga duartrokitja e publikut, nga buzëqeshja e tyre. Ishte një ndjenjë që nuk arrij dot ta përshkruaj.

Bruna Sata  ne kocertet live (Foto nga facebook)

Bruna Sata ne kocertet live (Foto nga facebook)

CMG: Bruna  ke nisur të merresh me muzikë që në moshë të vogël. Kush e zbuloi talentin tënd?

Bruna Sata: Kam qenë 7 vjeçe në ditën e parë të shkollës. Kur mësuesja na pyeti se kush ka mësuar ndonjë vjershë në kopësht apo ndonjë këngë, të çohet para klasës e ta këndojë. Unë nuk kam qenë në kopësht, si  fëmijë i vetëm më kanë rritur prindërit në shtëpi.  Për mua ishte hera e parë të isha mes moshatarëve të mi. Mësuesja me dashurinë e saj më hoqi emocionet dhe më tha të këndoja një këngë. Unë mbaj mend që kam kënduar këngën "Confesa" të Adriano Celentanos, të cilën e kisha dëgjuar shpesh kur udhëtoja me makinë me familjen. Sapo më dëgjoi mësuesja mbeti e habitur  dhe menjëherë ajo komunikoi me mësuesen e muzikës. E mori konfirmimin edhe nga ajo që unë isha e intonuar përtë kënduar dhe kisha vesh muzike.

CMG: Ke marrë pjesë në festivale fëmijësh, ku je ndarë edhe me çmime. Të kujtohet kënga me të cilën ke fituar çmim?

Bruna Sata: Më pas mësuesja më drejtoi për tek festivali i fëmijëve "Bilbilat e vegjël këndojnë". Mora pjesë në atë festival ku këndova këngën "Confessa" të Adriano Celentanos dhe  u ndava me çmimin e parë. Nuk e prisja këtë çmim dhe vërtetë që u gëzuam shumë si unë dhe familjarët e mi. Edhe tani që po e rikujtoj ndjehem mjaft e emocionuar, kur më vjen ndër mend mami dhe babi që i kishin sytë plot me lotë, kur unë fitova çmimin. Ato janë momente që nuk do harrohen kurrë.

Bruna Sata (Foto nga facebook)

Bruna Sata (Foto nga facebook)

CMG: Më pas u  angazhove me talent show të ndryshëm muzikor.  Si i kujton këto pjesëmarrje?

Bruna Sata: Pasi mora pjesë te "Bilbilat e vegjël", konkurova edhe tek "Gjeniu i vogël 3", në vitin 2005. Ka qenë një konkurim jo i thjeshtë. Spektakli ndiqej nga gjithë shqipëria dhe konkurronin 30 fëmijë. Ky spektakël më rriti vokalisht dhe më dha sigurinë në skenë, që të performoja në publik, si dhe ta menaxhoja me sukses çdo emocion në çdo skenë të mundshme.

CMG: Ti je artiste që interpreton muzikë live, por  ke realizuar edhe shumë covera. Cili është repertori yt muzikor në netët live?

Bruna Sata: Në netët live unë performoj këngë nga treva të ndryshme shqiptare. Nuk mund të them se performoj vetëm një zhanër muzikor, pasi mundohemi që publiku që na ndjek të ndahet i kënaqur me muzikën që ne ofrojmë.

Bruna Sata (Foto nga facebook)

Bruna Sata (Foto nga facebook)

CMG: Në cilin zhanër muzikor përshtatet më shumë vokali yt?

Bruna Sata: Duke qenë se që e vogël jam stërvitur me zhanre të ndryshme, nuk mund të them se ku fle zëri im. Jam stërvitur që të këndoj çdo zhanër të mundshëm dhe ta përcjell siç duhet tek publiku. Ndërsa muzikën që unë kam më shumë me qejf është muzika klasike, por nuk e ushtroj shumë. Pasi këndoj më tepër këngët që njerëzit i njohin.

CMG: A do të marrësh pjesë në festivalet muzikore në vend?

Bruna Sata: E kam në planet e mia që të marr pjesë në festivalet muzikore që mbahen edhe jashtë Shkodre si ai i Rtsh-së dhe Kënga Magjike, por çdo gjë do vijë e menduar mirë dhe pak nga pak. Dua t'i përzgjedh me kujdes materialet muzikore me të cilat do të përfaqësoj veten. Nuk mund të them se kur do vijë, sepse po punoj fort dhe shpresoj që të koordinoj çdo gjë me kujdesin e duhur dhe profesionalizëm.

Bruna Sata (Foto nga facebook)

Bruna Sata (Foto nga facebook)

CMG: Ke studiuar për kanto e më pas  për Pedagogji muzikore. Cili është synimi yt në vijim të karrierës artistike?

Bruna Sata: Kam studiuar në Liceun Artistik "Prenk Jakova" në Shkodër, për katër vite, më pas kam mbaruar studimet Bachelor për Pedagogji Muzikore të përgjithshme. Por unë e shoh veten në aspektin professional, pasi muzikën nuk mund ta le. E kam muzikën pasion, por edhe profesion. Shpresoj që të më ecë gjithçka mbarë ashtu si unë e kam menduar.

CMG:  Bruna, si e sheh veten në  aspektin artistik pas një dekade?

Bruna Sata: Shumë pyetje e bukur. E shoh veten shumë lart, duke realizuar koncerte të ndryshme, ku të gjithë të këndojnë bashkë me mua. Gjithashtu e shoh duke realizuar ëndrrat e mia, e duke i bërë të afërmit krenarë, të cilët i falenderoj për mbështetjen e pakushtëzuar që më japin herë pas here. Kështu e shoh veten në të ardhmen.

Bruna Sata (Foto nga facebook)

Bruna Sata (Foto nga facebook)

CMG:  Mesazhi yt për dëgjuesit e Radio Ejani?

Bruna Sata: Këshilla ime për të gjithë personat që po na ndjekin tani, do u thoja që, kurrë mos hiqni dorë nga ëndrrat tuaja. Punoni fort e me përkushtim, dhe më besoni se një ditë do t'ja arrini. Edhe nëse keni ulje e ngritje, asnjëherë mos hiqni dorë, besoni në talentin që keni, dhe aspironi gjithmonë lart e më lart sepse me punë arrihet çdo gjë.  Të bëni krenar familjen, veten, por pse jo edhe vendin tuaj. Kujdesuni për veten tuaj dhe shpërndani gjithmonë dashuri. Në këtë mënyrë mund ta bëjmë këtë botë edhe më të mirë, si dhe të ndihmojmë njëri-tjetrin mbi të gjitha.

Intervistoi: Sava Lena

Bruna Sata (Foto nga facebook)

Bruna Sata (Foto nga facebook)